Arti si ndëshkim

7 Maj, 2020 - 8:28 pm

Shkruan: Blerton Gashi

        Maks Velo përfaqëson një figurë komplekse të një intelektuali, piktori, studiuesi, shkrimtari e analisti i cili në artin e tij pasqyroi artin modern evropian. Ai u bë bartës i ndikimeve evropiane çka bëri që të etiketohej nga pushteti i atëhershëm si kundërshtarë i parimeve të pushtetit dhe si armik i partisë.

        Për këtë krijimtari të tij ai u kritikua rëndë dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie(1978). Jetën brenda katër mureve, prapa grilave ai do ta përshkruajë në shkrimet e tij të mëvonshme( lirohet me 1986 dy vjet para kryerjes së dënimit) Pikërisht në librin  e tij më të ri “ Jetë paralele” të përgatitur nga Alda Bardhyli na vjen me dokumente e dosje sekrete të përndjekjes, hetimeve e deri te dënimi që i bëri pushteti i atëhershëm komunist, dosje këto hetimore të sigurimit të shtetit, organ i pushtetit që kontrollonte çdo gjë dhe çdo kënd që tentonte të sillte frymë ndryshe në kundërshtim me parimet e realizmit socialist.

        Në këto dosje ishte edhe Maks Velo me rrëfimet  e tij mbi ngjarjet e raportuara që vijnë të përfshira në ato 106 dokumente të sigurimit të shtetit. Kjo dosje mbi artistin e shkrimtarin , Maks Velo ndoshta mund të paraqitet si biografi mjaft e mirë e autorit e realizuar nga ata që donin ta ekzekutonin. Nga fillimi i këtyre dokumenteve e deri në fund shohim ngjarje e njerëz që krijuan historinë e artit shqiptar nën pushtetin komunist.

    Libri jo rastësisht titullohet ngjashëm  me librin e Plutarkut.  “ Jetë paralele”, kështu titullohej edhe libri i Plutarkut, libër në të cilin  janë një seri biografish të njerëzve të famshëm, të organizuar së bashku për të ndriçuar virtytet ose dështimet e tyre të përbashkëta morale, ndoshta të shkruara në fillim të shekullit të dytë pas Krishtit.

       Në jetë paralele përfshihen dokumente sekrete ngjarjet të sigurimit të shtetit nga fillimi deri në burgim secili dokument ka autorin e vet.

        Mijëra njerëz të përndjekur politik kanë dëshmuar për jetën dhe pasojat që iu ka  shkaktuar mendimi ndryshe në pushtetin e atëhershëm. Prapa grilave çdo gjë është reale, njerëz të vuajtur që lëshojnë pasthirrma dhimbjeje, malli dhe brenge por të gjitha këto sot na vijnë vetëm si dokumente. Dhe, edhe pse dokumenti si dokument  na ofron vetëm një komunikim indiferent dhe pa emocione, në këto dokumente përballemi me një dramacitet të skajshëm.

      Kjo përmbledhje e dokumenteve përbrenda të cilëve gjendet edhe dosja e Maks Velos, ku përgatitet dhe vuloset edhe dënimi i tij, brenda tyre kemi, përmendje, shkresa me urdhra, njoftime, përgjime , marrje në pyetje, raportime, shënime si dhe vendime gjyqësore. Brenda këtyre 106 dokumenteve, shihen masat represive të shtetit përkatësisht Sigurimit të këtij shtetit.

      Tek “ Jetë paralele” shohim se si aparatura e shtetit me bashkëpunëtorët e shumtë kanë kontrolluar shoqërinë, duke mos kursyer as artistë e as  shkrimtarë që donin të shfaqnin diçka ndryshe nëpërmjet artit. Ata kryenin persekutime shtypëse të rrepta që i jepnin efikasitet pushtetit për t’i mbajtur dhe realizuar qëllimet e veta, dhe çdo kush që tentonte te paraqiste diçka ndryshe nga realizmi socialist ajo merrej si propagandë ndaj pushtetit dhe pushteti reagonte nëpërmjet Sigurimit të vet, i cili nuk e kurseu as Maks Velon.

        Këtu paraqiten individ të ndryshëm që nga etja për pushtet ose inatet profesionale thurnin komplote dhe drejtonin  njerëzit e Sigurimit të shtetit. Shihet një shtet me një llupë të madhe që sheh dhe kontrollon çdo gjë brenda tij, për të mbajtur gjallë idealet e partisë. Libri hedh pikëpyetje të shumta edhe mbi disa figura të mëdha qofshin ata artist apo shkrimtar, afërsitë e tyre me pushtetin duke u parë si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit madje edhe brenda përbrenda lidhjes së shkrimtarëve. Interesant është ballafaqimi i individit mënyra se si ai e sheh rrezikun që ai vet e krijoi në masën e gjerë , ky libër po ashtu na jep mundësi për të gjurmuar në mes lirisë dhe vullnetit të individit dhe imponimit që vjen nga pushteti. Ky libër na orienton kah morali si ide , si ndikues i madh në qëndrime. Por ku është ideja e ku është njeriu? Kush duhet të kërkoj falje?

          Velo thotë se Arti pa moral është anije e mbytur ne liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimor i ka edukuar feja dhe arti. Botimi i këtyre dokumenteve si proces gjyqësor kundër tij  është hap drejt një debati në lidhje me artin dhe kulturën e zhvilluar në kohën e pushtetit komunist. Këto dokumente tregojnë qëndresën e një artisti ndaj ideologjisë së kohës në kushtet e një represioni totalitar, ai arriti ta qoj më lart kulturën shqiptare edhe në këto rrethana të egra të diktaturës komuniste, më kohën e së cilës doli edhe ky artist i madh. 

Të ngjajshme