Ç’e do dijen?

15 Gusht, 2020 - 1:57 pm

Nga Arben I. Kastrati

Ç’e do dijen? Kur e kujtoj Arbenin, e kujtoj qetësinë e tij, sensin fin të tij të humorit, imagjinatën e tij gjigande, sidomos dijen e tij, për të cilën karakterizohej. Në përvjetorin e tetë të vdekjes së Arben Xhaferit, në kujtesën time, takimet tona të përbashkëta kanë filluar të veniten, gradualisht. Me kalimin e viteve, koha u vë harresë takimeve, ndodhive, bisedave…

Kur jemi para problemeve kombëtare, e pyes veten: Si do ta kishte analizuar sitautën aktuale, Arbeni? Paraprakisht, do të kishte dëftuar një barcaletë, që ta shtendoste situatën. M’u kujtua një dëftim i Arbenit, në një takim me ndërkombëtarë në vitet e 90-ta; e kishte krahasur situatën e shqiptarëve me spermatozoidin e zi, nga një skenë e filmt të Woody Allen-it: “Everything you wanted to know about sex (but were afraid to ask)”. Shqiptarët në Jugoslavi, e kishte vazhduar krahasimin Arbeni, janë sikur ai spermatozoid i zi që shfaqet në mesin e spermatozoidëve të shumtë të bardhë, që po bëhen gati të dalin, ndërsa spermatozoidi i zi, thotë: What am I doing here?! (Po unë, ç’po kërkoj këtu)…

…Unë e ngisja veturën dhe qeshja me lotë, ndërsa Arbeni, që vazhdimisht dridhej, ende mundohej të qetësohej. Kur e gjeti pozitën e përshtatshme dhe të dridhurat iu qetësuan paksa, filloi të fliste me ngadalë. Arbeni ishte dëftues brilliant. E vazhdoi bisedën, telbin e së cilës ngjarje, si skaner e analizoi deri në palcë. U mrekullova me shpjegimin e tij. Sa mirë është të jesh i ditur, mendova. Sa mirë është të jesh i ditur, i thashë. Më shikoi gjatë, sepse fjalia që dëgjoi, i krijoi habi. Ktheu shikimin në anën e kundërt. Nuk foli fare.

Shikoi tej, përtej…. Pasi bëmë një copë rrugë, kur ndaloi me të qeshurën karakteristike, tha: “Dija asnjëherë nuk më ka shërbyer për asgjë. Përkundrazi, vetëm më ka prishur punë”. Ndjeva dhimbje në përgjigjen e tij. Ndjeva shumë dhimbje në përgjigjen e tij. Tani, isha unë që hoqa shikimin. Shikova tej, përtej… Pasi bëmë një cope rrugë, mendova por nuk ia thashë, se sa e tmerrshme është të jesh i ditur. Dija i kishte krijuar shumë probleme Arbenit.

Elaborimi i dijes, bëri që pjesën e mbetur të rrugës, ta kalonim në heshtje, pa shkëmbyer asnjë fjalë të vetme. Ndoshta Arbenit, dija dhe mund të mos i ketë shërbyer personalisht, por ne, në këtë kohë, dhe në çdo kohë, dija e Arbenit na nevoitet më shumë se kurrë. Arbeni iku me dhimbjen e tij të përhershme, preokupimin që kishte për zgjidhjet e problemeve të shqiptarëve. Pas boshllëkut që la ikja e Arbenit, vazhdimisht e pyes veten: What am I doing here?! (Po unë, ç’po kërkoj këtu?!) Prehu në paqe miku im… / KultPlus.com

Të ngjajshme