займ на карту онлайн потребительский кредит

Çfarë ka me të vërtetë rëndësi në jetë?!

6 Dhjetor, 2019 - 10:35 pm

Një studim i Harvardit, që ka zgjatur 75 vjet dhe ka kushtuar 20 milion dollarë, sjell një renditje të gjërave që kanë më shumë rëndësi për të qenë të lumtur në jetë, transmeton KultPlus.

75 vjet dhe 20 milion dollarë, ose 16 milion Euro: kaq ka zgjatur dhe kushtuar studimi i jashtëzakonshëm i njohur si Grant Study, që ka marrë emrin e financuesit, sipërmarrësi amerikan Uilliam T. Grant.

Udhëhequr nga një ekip nga Universiteti i Harvardit (SHBA), ai filloi në 1938 dhe përfundoi në 2013; nga viti 1966 deri në fund u drejtua nga psikiatri George Vaillant. Qëllimi i studimit masiv ishte të zbulonte se çfarë na bën të lumtur, çfarë ka me të vërtetë rëndësi në jetë dhe nëse ekziston një formulë ose një recetë që rendit përbërësit. Studiuesit e Harvardit i bënë vetes këto pyetje në mesin e viteve tridhjetë të shekullit XX dhe filluan një projekt ambicioz për të gjetur përgjigjet: ata do të ndiqnin jetët e 268 studentëve meshkuj.

Të gjithë djemtë u vëzhguan dhe u analizuan nga rinia në pleqëri dhe, në shumë raste, deri në vdekje. Disa prej tyre kanë pasur jetë të plotësuar dhe të kënaqshme, të tjerë kanë vdekur në depresion ose të alkoolizuar, para kohe. Ka nga ata që kanë lindur të varfër dhe kanë vdekur të pasur, dhe ata që, pas një fëmijërie dhe adoleshence të artë, jetuan më pas vite të errëta ose kryen vetëvrasje.

Disa nga burrat nën vëzhgim kanë qenë të suksesshëm në punë dhe të tjerët jo; disa iu përkushtuan karrierës politike: katër u bënë senatorë, një guvernator dhe një, madje edhe president (në mesin e djemve të studimit, në fakt, u përfshi edhe John Fitzgerald Kennedy, i cili në vitin 1961 u bë presidenti i 35-të i SHBA. Dosjet në lidhje me të, megjithatë, janë sekreti dhe do të mbeten deri në vitin 2040).

Pse disa jetuan të lumtur dhe të tjerët jo? Pse disa patën sukses dhe të tjerët dështuan? Çfarë e bëri ndryshimin? A duhet vërtet “një fizik kafshëror për t’i rezistuar goditjeve të jetës”, siç këndonte Luca Carboni? Përfundimet e dala nga Studimi i Grant u paraqitën nga George Vaillant në dy libra, i fundit nga të cilët, “Triumfet e Përvojës”, u botua në vitin 2012. Disa nga rezultatet që dolën janë mjaft të parashikueshme.

Të gjithë burrat, për shembull, u ndoqën në Luftën e Dytë Botërore; ata që luftuan në vijën e parë të frontit dhe u kthyen në shtëpi kishin një jetë më pak të qetë, më pak të shëndetshme dhe më pak të gjatë, se ata që nuk shkuan në front. Lufta lë plagë të pashlyeshme për ata që mbijetojnë: asgjë për t’u habitur. Sidoqoftë, studimi dha gjithashtu rezultate të paparashikueshme dhe davariti disa besime; por zbuloi gjithashtu shumë gjëra të dobishme për lumturinë e vërtetë.

Jo varësive

“Alkoolizmi”, shpjegon George Vaillant, “ka fuqi të jashtëzakonshme shkatërruese: ishte shkaku i parë i divorcit në kampionin që studiuam, ai çoi shumë njerëz në depresion (i cili shpesh nuk paraprin por ndjek abuzimin me alkoolin) dhe, shoqëruar me zakonin e duhanpirjes, shkakton sëmundje të parakohshme dhe vdekje”. Si përfundim, burrat që janë kujdesur për shëndetin e tyre duke shmangur varësitë e rrezikshme dhe duke qëndruar në formë falë një aktiviteti të rregullt, janë plakur më të kthjellët dhe më të lumtur.

Sa e rëndësishme është inteligjenca

Të kesh një IQ shumë të ulët nuk ndihmon në jetë, por as kur e ke shumë të lartë: të kesh një inteligjencë mbi mesataren ka vërtet pak peshë. Në kampionin e burrave të analizuar, Vaillant nuk vuri re ndonjë ndryshim në të ardhura dhe mirëqenie ekonomike në mesin e atyre që kishin një kuocient midis 110 dhe 115 (pak mbi mesataren) dhe ata që tejkalonin 150 (kuocient njerëzish vërtetë të zgjuar). Kjo nuk do të thotë, natyrisht, që të qenit budalla është avantazh! Studimi i Grante thjesht tregon se për të qenë të lumtur nuk është e nevojshme të jemi gjeni.

Politika? Ajo është e lidhur me seksin

Mendimet politike kanë rëndësi në jetë, por jo në mënyrën si besojmë: ato nuk ndikojnë në kënaqësinë ose pakënaqësinë në lidhje me jetën e dikujt, por, sipas të dhënave të mbledhura nga studimi, ato kanë të bëjnë me seksin. Në të vërtetë, Vaillant zbuloi se burrat me ide të hapura, përgjithësisht mbështetës të Partisë Demokratike, prireshin të bënin seks edhe në moshën e tretë dhe të katërt (mbi 80), ndërsa konservatorët dhe ultra-tradicionalistët, që janë më të prirur të votojnë për partinë republikane, e ndalnin aktivitetin seksual rreth moshës 68 vjeç. “Unë jam konsultuar me disa urologë dhe andrologë për këtë temë,” shkruan Vaillant, “por asnjë prej tyre nuk ka arritur të më japë një shpjegim shkencor”.

Nëna ka rëndësi që çke me të

Vaillant vuri në dukje se burrat më të përmbushur ishin ata që në fëmijëri, kishin ndjerë më shumë dashurinë e nënave të tyre: “Burrat që shprehnin kënaqësi të thellë në moshën 70 vjeç nuk ishin ata që kishin fituar më shumë, as ata që kishin shijuar më shumë status të lartë shoqëror, por ata që kishin njohur në fëmijëri ngrohtësinë dhe dashurinë e nënës”. Të jesh i dashur që në moshë të re të jep një avantazh në jetë. Vaillant ka pasur provat: të dhënat konfirmojnë se ata që janë lënë pas dore nga nëna e tyre apo madje janë abuzuar që fëmijë, janë më të rrezikuar nga demenca në moshë të thyer. Studimi i Grantit zbuloi gjithashtu se burrat që kishin një marrëdhënie të mirë me babanë e tyre kur ishin fëmijë, përjetonin më pak ankth kur ishin të rritur.

Kurrë mos e humb shpresën

Proverbi thotë se “shpresa vdes e fundit ” dhe disa histori të mbledhura nga Studimi i Grantit e konfirmojnë këtë. Një student i Harvardit nga një familje modeste jetoi një jetë përbuzëse në universitet: për të paguar studimet, ai gjeti punë si asistent doktor në një spital psikiatrik. Çdo ditë për disa vjet ai mbulonte turnin e natës: nga ora 6 e pasdites flinte, pastaj çohej, shkonte të punonte në spital, shkëputej në 8 të mëngjesit dhe vraponte drejt e në klasë. Pasi u diplomua, u përpoq për një karrierë si aktor teatri, por nuk pati fat. U martua pa dashuri dhe u kënaq me një punë si nëpunës; në moshën 40 vjeç, ai rrëfeu për Vaillant: “Unë jam një njeri mediokër dhe pa imagjinatë”. Vitet e pjekurisë ishin një shkretëtirë emocionale për të, por më pas diçka ndryshoi. Pasi doli në pension, ai rifilloi pasionin e tij të vjetër për teatrin dhe filloi të aktrojë në role Shekspiriane, me një sukses në rritje; në moshën 78 vjeç u martua përsëri, këtë herë me dashuri. Në moshën 86 vjeç, ai i tha Vaillant: “Jam i lumtur, kam një shëndet të hekurt dhe ilaçi i vetëm që marr rregullisht është Viagra”. Në moshën 96 vjeç ai vdiq i qetë dhe i kënaqur. Morali i historisë: gjithçka mund të ndryshojë. Në çdo moshë.

Të japësh dhe marrësh dashuri

Në mars të vitit 2008, një gazetar e pyeti George Vaillant: “Çfarë mësuat nga kryerja e këtij studimi shumë të gjatë?” Psikiatri u përgjigj: “Ajo që ka rëndësi në jetë është cilësia e marrëdhënieve tona me të tjerët. Një burrë mund të ketë një karrierë të suksesshme, shumë para dhe shëndet të mirë, por pa dashuri dhe pa mbështetje sociale ai kurrë nuk do të jetë me të vërtetë i lumtur ”. Në librin e tij Triumfet e Përvojës, Vaillant shkruan: “75 vjet studime dhe kërkime më çojnë në një përfundim të vetëm: lumturia është dashuri. Dhe pikë!”. Gjithçka që ju duhet është dashuria, gjithçka që ju duhet është dashuria: Beatles e këndonin këtë 56 vjet më parë. /bota.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme