Çka e bëri njeriun njeri

6 Gusht, 2018 - 6:45 pm

Nga Arsim Canolli

Shpeshherë kur ulemi pranë zjarrit dhe bisedojmë, na kujtohet fëmijëria, përrallat, apo edhe ndjejmë njëfarë nostalgjie për natyrën dhe ekzotiken. Zjarri bën njerëzit bashkë dhe rreth tij njeriu ka krijuar shumë gjëra.

Paleoantropologët thonë zjarri na ka mbajtur të sigurt nga grabitqarët, zjarri na ka bërë që të kujdesemi për njëri tjetrin, madje disa potencojnë se rreth zjarrit ka nisur edhe zhvillimi i komunikimit njerëzor apo aty e ka origjinën gjuha. Pra, dija antropologjike thotë se zjarri dhe kontrolli i zjarrit, kanë qenë esenciale në evolucionin e njeriut. Por, pyetja shtrohet: çfarë tjetër ka krijuar njeriu nga zjarri? Në librin e tij të mirënjohur, të shkruar në një prozë të rrjedhshme, “Zjarri: si gatimi na bëri njerëz”[Catching Fire: How cooking made us human, 2009], paleoantropologu britanik Richard Wrangham na jep një pikëpamje të bazuar në mbi 25 vite hulumtime, duke konstatuar se zjarri ka mundësuar gatimin dhe gatimi na ka bërë njerëz. Në fakt, ajo që Wrangham propozon është se pjekja e mishit e ka bërë njeriun njeri. Si e argumenton ai këtë tezë?

Pyetja se çfarë e ka bërë njeriun njeri ka qenë pyetje e përhershme e kureshtjes njerëzore. Antropologët e biologët e ndryshëm kanë dhënë hipoteza të ndryshme të cilat kanë pasuruar konversacionin njerëzore për origjinën e tij. Disa kanë theksuar ngritjen e paraardhësve tanë në dy këmbë apo bipedalizmin, disa theksojnë rënien e qimeve, disa theksojnë lindjen e vështirë, disa trurin e madh, disa gjuhën e kështu me radhë. Por, deri më tani pak teori kanë arritur që të japin një pamje që, në fakt, i lidh të gjitha teoritë me një emërues të përbashkët sqarues për atë se çfarë e bën njeriun njeri, në kuptimin parësor efektiv të zhvillimit të tij të hershëm. Si nisi transformimi i tij në njeri?

Për Richard Wrangham-in, gatimi është esencial për zhvillimin e njeriut. Në fakt, qysh në fillim ai thekson se momenti transformativ qe kontrolli i zjarrit dhe pjekja e mishit. Si ka ndikuar pjekja e mishit në zhvillimin e njeriut? Wrangham na jep të dhëna empirike e laboratorike, duke marrë edhe nga shkencat tjera ndihmëse, që tregojnë se ngrënia e mishit të pjekur ka zvogëluar barkun dhe ka rritur trurin e njeriut. Po ashtu, energjia nga mishi i pjekur i ka dhënë njeriut fuqinë e duhur për të vrapuar dhe mbijetuar mes grabitqarëve. Të dhënat fosilike tregojnë se paraardhësit tanë kanë qenë sikurse ne dhe kanë ecur në dy këmbë, por truri i tyre ka qenë krejt pak më i madh se sa i shimpanzeve, barkun e kanë pasur më të madh, trupin më të vogël dhe pamje fytyre sikurse të shimpanzes. Në fakt, sipas Wrangham-it, këta paraardhës tanë kanë qenë pothuajse të njëjtë me shimpanzet. Por, në zinxhirin e shpërndërrimeve evolutive të këtyre paraardhësve, diku rreth 1.9-1.8 milion vite më parë, doli në skenë “homo erectus”, një prej paraardhësve tanë që i dha botës një hulli të re prej se cilës dolën edhe paraardhësit tanë direkt “homosapiens”.

Antropologët kanë hamendësuar se arsyeja që ka zhvilluar homo erectus-in ka qenë mishi dhe gjatë viteve ‘50 ideja e njeriut gjahtar [Man the Hunter] ishte ideja kryesore që mbizotëronte debatin antropologjik mbi evolucionin e gjinisë homo prej pellgut të australopitesinëve (e habilinëve) nëpër transformimin homo erectus e deri te homosapiens. Por, Wrangham thekson se hipoteza e “njeriut gjahtar”, lë shumë pyetje pa përgjigje, sidomos për ngritjen e homo erectus-it, apo ngritjen e “njeriut të ngritur”, si edhe përkthehet ky emër. Ndonëse Wrangham peshon tezat e ndryshme të deritanishme, ai thekson se të gjitha lënë anash evidencat empirike mjaft të theksuara në këtë drejtim: homo erectus-i ka nofull më të vogël, dhëmbë më të vogël, që s’janë të adaptueshëm për ngrënie të mishit të papjekur. Ai po ashtu korrekton edhe tezën e Darvinit se ne përdorim zjarrin, por zjarri nuk ka rëndësi të madhe biologjike, gjë që edhe antropologu i kulturës Lévi-Straus-i kishte potencuar, duke u bazuar në vrojtime të kulturave të ndryshme fisnore, pa ndonjë bazë nga evidencat që japin studimet biologjike, gjenetike dhe të fushave tjera. Madje, sipas Wrangham-it, Lévi-Strauss kishte prodhuar analiza revolucionare të kulturave njerëzore mbi tezën se gatimi ka peshë esenciale kulturore, por asnjë peshë biologjike. Pra, në fjalët e Lévi-Strauss-it, “njerëzit nuk kanë nevojë të gatuajnë, por e bëjnë atë për arsye simbolike për të treguar se janë njerëz e jo kafshë”. Kjo është thjesht tezë e gabueshme, thotë Wrangham. Mishi i pjekur në zjarr e bëri njeriun njeri: mishi i pjekur i dha njeriut mundësi të mëdha, absolutisht transformuese biologjike, për të menduar, për të qenë aktiv, për të riprodhuar më mirë, e me radhë. Pra, mishi i pjekur ndërroi njeriun dhe rrethanat e tij: fiziologjinë, anatominë, psikologjinë, shoqërinë dhe ekologjinë. Wrangham thotë se humaniteti ynë, njerëzorja jonë është krijuar nga gatimi, nga fakti se paraardhësit tanë kanë ngrënë mish të pjekur.

Ja një paragraf mjaft përmbledhës në fund të librit, ku Wrangham thotë:

“Posa arritën të mbajnë të ndezur zjarrin, një grup habilinësh i një vendi të caktuar, hodhën aksidentalisht copa mishi në zjarr dhe pasi ato copa qenë ngrohur apo pjekur për një kohë në zjarr, ata i hëngrën ato dhe panë se kishin shije më të mirë se sa copat e papjekura. Duke përsëritur shprehinë e tyre, ky grup evoluoi shpejt në homo erectus. Gatimet e tyre të reja dhe mjaft të shijshme u bënë shkas për evoluimin e tyre: barku më i vogël, truri më i madh, trupa më të mëdhenj, qime më të pakta në trupin e tyre, vrapime më të gjata, gjah më të madh, jetë më të gjatë, temperament më të qetë dhe specifika të reja në lidhjen mes meshkujve dhe femrave. Butësia e ushqimeve të tyre të gatuara përzgjodhi dhëmbë më të vegjël, siguria që zjarri u krijoi atyre gjatë natës u dha mundësi të flenë në tokë dhe të humbin aftësinë e ngjitjes në lisa dhe femrat filluan të gatuajnë për meshkujt, koha e të cilëve qe shumë me e lirë duke kërkuar mish dhe mjaltë. Përderisa habilinët tjerë në vendet tjera të Afrikës vazhduan me qindra mijëra vite duke ngrënë mish të papjekur, një grup fatlum u bë homo erectus – dhe filloi njerëzimi.”

Në këtë libër, Wranghham diskuton evidenca empirike, teza ekzistuese, analiza të reja dhe jep argumente të bollshme për të inkurajuar mendimin antropologjik drejt një hullie të re të hulumtimit: paleoantropologjisë së bukës. Paleontropologjia e bukës, në jehonën e argumentit të Wrangham-it, mund të na japë interpretime bindëse se kush kemi qenë e si kemi ardhur deri këtu, krahas interpretimeve se kush jemi ne sot. Në anën tjetër gjithë antropologjia e bukës, përfshirë paleoantropologjinë, mund të na jap edhe interpretime për të ardhmen tonë: kah po shkojmë si mishngrënës në këtë botë që po shtohet me shpejtësi? Njerëzimi është mjaft vigjilent ndaj rritjes së popullsisë dhe shpeshherë thuhet se kur bota të arrijë 9 miliardë njerëz, nuk do të ketë ushqime të mjaftueshëm, shkaku i zvogëlimit të resurseve dhe nevojës së energjisë për ushqim. Por, studiuesit e botanikës na tregojnë se bota mund të përballojë lehtësisht 45 miliardë njerëz nëse avancohet teknologjia e ushqimit dhe njerëzit fillojnë të bëhen vegjetarianë.

Ndoshta, ngritja e njeriut të tanishëm nga gjendja “homo sapiens sapiens” në një gjendje tjetër, nuk varet nga mishi i pjekur, si paska qenë rasti me paraardhësit tanë, por nga perimet e pjekura apo të avulluara. Ndoshta gjithë Toka do të mbetet një kopsht i egër për pasardhësit tanë, të cilët duhet së pari të mbijetojnë stuhinë transformuese të antropocenës./KultPlus.com

(Shkruan Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)

Të fundit

Të ngjajshme