Çka jeni hallakatë?

9 Maj, 2020 - 7:03 pm

Shkruan: Driada Matoshi

Çka është gjithë ky entuziazëm e çjerrë, si nëpër mitingje t’partisë në komunizëm?

Nuk është hera e parë. E kam përjetu njëjtë këtë flakërim iluzionesh në fushatë të Shpend Ahmetit para se ta fitonte Prishtinën? Sot askush nuk e humb asnjë rast për ta sha e mallku të shkretin për keqmenaxhim e korrupsion e për t’këqijat që  paska ba.

Veç po du me kujtu që shpendi qëllimet e veta i ka mbrri. I ka mbrri jo me program të qartë e progresiv për qytetin por tu na e ba krytë shoshë e tu i fitu votat me parullën “hajde ta hjekim Isën”. Çka mendojmë sot për Shpendin, atij bash palla nuk i han.

Të njëjtin skenar fund e krye po e përjetoj tash me Vetëvendosjen, së cilës gjithashtu i mungon vizioni e programi i qartë i udheheqjes dhe fitoren e gëzoj në bazë të parullës, “hajde pe hjekim Hashimin”.

Raportin mes politikanit dhe popullit duhet me sqaru njëherë e mirë ëe këtë vend, se jemi tu ja huqë sa jemi t’mëdhenjtë.

Nuk kam pa ndonjë rast në botë ku punëdhënësi bon tifo e çjerrët për punëtorin, shërbëtorin e vet. Politikanët si farë e fëlliqtë që janë me shumicë, janë punëtoret e popullit, rrogën e marrin prej pareve të popullit, puna e tyre e vetme është me çu përpara vendin dhe vetëm kaq. Pa duartrokitje mundësisht.

Detyrë e popullit është me ju nejt gati shërbëtorëve te vet me monitorim e me ndëshkim e jo me çjerrje e entuziazëm hala bile pa pas rast me e pa një element pozitiv të punës së tyre e cila veç zhagitet e mungesa e konstruktivitetit e efikasitetit vërehet prej aeroplanit, ndërsa buxheti i harxhuar për paga e për pjesëmarrje në komisione të bon me kap krytë, edhe në kohë të pandemisë.

Kurgjo pra, duket sheshit që jemi zero në të kuptuarit e raportit të qartë mes detyrave tona si popull me udhëheqësit që na përfaqësojnë.

Zaten në mungesë të thellë të kulturimit në shume sfera, të mos edukimit e emancipimit në përgjithësi, kemi qenë e po vazhdojmë të mbetemi rob të topalujtjeve të të gjithë politikanëve grykës e të pafytyrë që manipulimin e mashtrimin e kanë të lindur dhe që e kanë shndërru në profesionin ma të pagum.

Asnjani prej tyre besomëni, nuk është aty për ju e për interesa të juaja, hiq bash asnjani. Secili prej tyre ka agjendë të vetën, raporte kogja të mira me koleget e vet të sojit të vet, e populli është vegël, është instrument që ai e përdor për plane dhe arritje të veta personale, sepse populli në masë të madhe e lëshon në autopilot, sepse shumica edhe sikur të jene në gjendje të mendojnë për vetën, nuk e kuptojnë rrolin e vet në shoqëri.

E kuptoj, është ma kollaj me pa gjithë ditën e lume televizor e me leju me ta pastru trunin i madh e i vogël. Është ma e lehtë me vazhdu me jetu në mjerim dhe i pavetëdijshëm për detyrimet dhe përgjegjësitë si qytetar, si patriot e si dikush qe shqetësohet vërtetë për të ardhmen e vendit. Të të njëjtit vend ku gjuhet bërlloku prej katit të shtatë, shkelmohet kafsha e pambrojtur, ngacmohen femrat rrugës e diplomat blihet me pare, ku mungon dëshira për të mendu e vepru ndryshe, në kuptimin e të qenit përgjegjës për vetën, rrethin e për ambientin.

Gjendja e katandisun e vendit është për fajin e mungesës se vullnetit të qytetarit e jo të politikaneve.

Që demokracinë në sensin e përfaqësimit të drejtë të popullit në politikë e vendimmarrje e ka marr lumi, kjo vërehet edhe hiq pa pas haber prej këtyre punëve. Që politikanët kinse demokrat i mbrojnë interesat e grupeve të vogla të interesit pra ata që i financojnë, kjo tashmë është e ditur, që ata në momentin që ulen në karrigat e tyre i thonë bye bye transparencës e pergjegjësidhënjes, dëshmitar të ngjarjeve të tilla kemi qenë mijera e mijëra herë. Pronto.

Nuk kam pa asnjëherë askënd të protestoj kundër rrënimit e dështimeve të turpshme në sistemin e arsimit, për barazinë gjinore e kundër dhunës sistematike që u bëhet grave në këtë vend, dhunë fizike psikike e institucionale. Nuk kam pa asnjëherë askënd të protestoj për të rritur ndihmat e familjeve skamnore e zvogëlimin e papunësisë. Nuk kam pa kurrë të kërkojnë përgjegjësi për të gjitha këto, nga përgjegjësit, pra nga politik bërësit.

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës në vazhdimësi raporton për shkeljen e së drejtës kushtetuese të qytetarëve dhe gazetarëve që monitorojnë punën e kuvendit në qasjen e dokumenteve zyrtare, raporteve të auditimit prokurimit dhe raporteve fiskale. Po hajt bre se nuk është hiq interesant çka thojnë a nuk thojnë ata pak gazetar të hajrit që kan mbetë në Kosovë.

Raportet e instituteve vendore e ndërkombëtare që masin transparencën e deputeteve e të ministrive, në raportet e tyre publikojnë shifra alarmante që tregojnë se llogaridhënia është nën çdo nivel për një shtet demokratik, po hajt bre se kush ka vakt mu marr tash me ato far dokumente të komplikume me do gragika me do ngjyra e do përqindje që kush vesh nuk i merr.

Populli nuk ka vakt, e as durim me pa aty ku duhet e me i bo pyetjet e duhura.

Nuk ka vakt me protestu për faktin që të dhënat më së paku të hapura për publikun janë ato të prokurimit publik të ndjekura nga të dhënat buxhetore e operative, nuk ka vakt me protestu që 72% e ministrive nuk i publikojnë raportet e tyre buxhetore vjetore ne webfaqe.

Nuk ka vakt me protestu për mungesën e publikimit të raporteve të auditimit të aktiviteteve të komitetit parlamentar. Nuk ka vakt me protestu për shkelje të vazhdueshme që i bahen kushtetutës e të drejtave themelore të lirive të njeriut.

Jo nuk ka, e besoj, sepse ma parë duhet mu çjerrë e me qit xixa t’kuqe prej syve tu tregu çka i tha shpendi albinit e  Hashimi fistekut në filan debatin në televizor.

Politikanët tashmë e njohin mirë apatinë e popullit ndaj kërkimit të përgjegjësisë prej tyre dhe ndëshkimeve, prandaj manipulojnë me të cdo ditë, me vite,  deri sa të ia zhdukin çdo gjurmë të identitetit dhe qëllimeve të tij.

Nuk kemi sens të komunitetit, nuk dijmë ta mbrojmë vetën e njëri tjetrin, nuk dimë ti mbrojmë fëmijët tanë, tregohemi indiferent ndaj gjithë asaj që ndodhë jashtë mureve të shtëpive tona, e statuset urryese e çjerrëse ne fb i konsiderojmë detyra të kryera qytetareske në shërbim të shtetit.

Një popull i tanë me një vetëdije kaq të ulët të përgjegjësisë qytetare në një shoqëri demokratike meriton çmimin që po e paguajmë çdo ditë, një vend të shkretë një shtet të kapur e mafioz, i zhytur në korrupsion deri në thelb që po ua lëmë fëmijëve tanë.

Kur bëhet shërbëtori zot në shtëpinë tande, mundesh me pyet?  Përgjigjja shkencë raketore nuk është, përkundrazi është shumë e thjeshtë. Atëherë kur ti bën tifo për të hala pa ia nisë mire punës, atëherë kur çjerrësh prej adhurimit për të pa arsye konkrete, atëherë kur nuk e kupton që përgjegjësi e jotja është me kërku llogari për punët në shtëpi, atëherë kur ti e ngatërron rrolin tënd me të shërbëtorit dhe ia lëpinë duart saherë ai ta këtë mirësinë të ta hedhë ndonjë kocke të mbetur prej drekës që e ke paguar ti. /KultPlus.com

Të ngjajshme