Buxhovi: Çmimi amerikan botuesit Ramiz Tafilaj, mbështetje shtetit të Kosovës dhe historisë së saj

7 Janar, 2019 - 10:30 am

Nga Jusuf Buxhovi

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) që iu dha Ramiz Tafilajt, drejtor i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni, është shpërblimi më i lartë për vullnetarët në Shtetet e Bashkuara.

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, shkruan pos tjerash kyetari Trump.

Në të vërtetë, Z. Tafilaj u nderua veçanërisht për punën e jashtëzakonshme për shqiptaro-amerikanët dhe për punën e tij në çështjet shqiptare në Ballkan në lidhje me politikën amerikane në rajon, por ajo që e dalloi veprimtarinë e tij të palodhshme nga të tjerët në SHBA dhe këtij çmimi i jep një peshë të veçantë, është padyshim veprimtaria e tij botuese, me ç’rast, botimi i “Kosovës” në tetë vëllime si dhe përkthimi i saj, në tri vëllime në anglisht, paraqesin një të arritur të jashtëzakonshme, një punë pionieri, që i takon shtetit dhe institucioneve akademike.

Me këtë rast duhet thënë se botimi në anglisht i “Kosovës” në vitin 2014, në saje të përkushtimit të madh të botuesit Tafilaj, si vepra e parë historiografike e një autori shqiptar e përmasave të tilla shkencore, jo vetëm që ka depërtuar në tregun amerikan të librit, por është futur në të gjitha institucionet shkencore dhe universitare amerikane dhe në Bibliotekën e Kongresit me statusin e literaturës për historiografinë e Europës Juglindore. Si e tillë, “Kosova” në tri libra, në anglisht, shfaqet si dëshmi historike për shtetin e Kosovës, por edhe për historinë shqiptare nga antikiteti deri te koha, e fokusuar te Dardania si epiqendër e saj etnike, shoqërore dhe politike, dëshmi kjo që kthen rëndësinë e shqiptarëve për qytetërimin antik si faktor të saj përbërës dhe njëherësh rrënon gënjeshtrën e propagandës serbomadhe për gjoja Kosovën “djep mesjetar të shtetit serb” dhe shqiptarët pa identitet kulturor dhe historik, të shpërndara prej tyre prej dy shekujsh, të cilave u ka munguar kundërpërgjigja e argumentuar shqiptare. 

Andaj, çmimi amerikan botuesit Z.Tafilaj, paraqet një mbështetje të veçantë amerikane për shtetin e Kosovës, për të cilin ata kanë merita të mëdha si dhe për historinë e tij të shkruar si fundament mbi të cilin qëndron ai si realitet shoqëror dhe politik. /KultPlus.com

Të ngjajshme