Çun Lajçi: Shtegun e lamës po don me thye Rrahmani me Rrahimat

13 Shtator, 2022 - 8:24 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, mirëpo ky takim nuk pati ndonjë sukses pasi Jasharaj tha se greva vazhdon.

Kryeministri Kurti pas takimit që ka mbajtur me Këshillin Grevist, ka thënë se janë zhvilluar shumë takime me Këshillin Grevist dhe se kërkesë e tyre ka qenë Projektligji i pagave.

Ai po ashtu ka thënë se Rrahman Jasharaj, i ka thënë “ndihmon si vëlla”. Ai tha se duhet një zgjidhje më universale për këtë çështje.

“Si vëlla të ndihmoj privatisht, jo si kryeministër. Kryeministri nuk bën pazare”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, për këtë rast ka reaguar aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi, i cili ka thënë se fjalët e Rrahman Jasharit: “Hajt ndihmom si vëlla ta kryejmë ket punë”, ia ka kujtuar bisedën që Lajçi ka pasur me Ibrahim Rugovën kur edhe ai i pati thënë dikur “S’ka hajt vëlla kur t’jeshë pushtet se Presidenti e Kryeministri s’janë ma as vëlla as motër, por janë pushtet e pushteti asht i popullit”, kur Lajçi ka dashur ta ftojë Presidentin Rugova në premierën e dramës “Ku asht populli”.

Më poshtë gjeni reagimin e tij:

Shtegun e lamës po don me thye Rrahmani me Rrahimat!
S’e di sa asht i vërtetë në fjalët që i thotë, ky i bekuemi, të cilit ia kanë vargisë nji turli emnash n’zinxhirin e qafës, por unë po i them Bin, se hala vazhdoj ta dua aktorin Mr Bean, por fjalët e fundit me Rrahmanin: “Hajt ndihmom si vëlla ta kryejmë ket punë”, (kështu disi mu duk se tha), ma ktheu n’mbamendje nbisedën që e pata me Dr.Rugovën, kur m’çoi Teki Dervishi me ftua në premierën e dramës se tij “Ku asht populli”!
Edhe unë i pata thanë: Hajt vëllau jem, hajde se na bahet qejfi!
E dini si mu përgjigj?
Nisoj, siç i paska thanë Albini Rrahmanit!
“S’ka hajt vëlla kur t’jeshë pushtet, se Presidenti e Kryeministri s’janë ma as vëlla as motër, por janë pushtet e pushteti asht i popullit”, me pat thanë edhe mua Rugova, Presidenti që s’vdes kurrë!
Nëse kështu t’ka thanë dhe nëse kështu iu ke përgjigjë, atëherë përnjimend kam me të dashtë, edhe pse nganjiherë po me ban mu luhatë!
S’ka hajt vëlla na i jep do pare neve, se edhe na pensionistët shkojmë nesër e i themi: Hajt vëlla, na i jep edhe neve do pare. Shkojnë edhe të tjerët, se shtegun e lamës e theu Rahmani me Rrahimat! / KultPlus.com

Të ngjajshme