DJ Poeti i shpirtërores

3 Dhjetor, 2021 - 5:30 pm

Shndërrimi i gjërave shpjeguar përmes poetit të ri – DJ-it

Shkruan Ballsor Hoxha

History repeating

Shënim: Ky shkrim është për shenjën sociologjike, kulturore dhe të sjelljes së njeriut bashkëkohor të njohur me nocionin DJ, e kam fjalën për atë – raw -, undergound etj. Dhe duke qenë mix-i (në përkthim të lirë: ndërthurja) arti i tij, e ftoj lexuesin të bartet në mix-in tim përmbajtësor si përpjekje për të imituar atë që teoria postmoderne, në këtë rast shumë naive, e quan kolazh, e që në të vërtetë është shumë më shumë ndërthurje dhe kërkim rastësor i vibe të përbashkët të të pranishmëve në party.

Warm up

Kishte filluar në fund të viteve shtatëdhjetë, dhe kishte arritur kulminacionin në vitet e tetëdhjeta, dhe ishte masivizuar në të nëntëdhjetat në botë, e në Kosovë – clubbing – ka arritur me mishërimin (gjendje shumë e shpeshtë përjetimi, herë në ndërdije herë në vetëdije, në këtë sub-kulturë) e disa të rinjve në adoleshencën e tyre në shekullin e ri. Ka lindur si revoltë ndaj globalizimit konsumerist, është globalizëm shpirtëror (sado idealiste të tingëlloj kjo), është dekonstruksion i pushtetit të komercialistëve të muzikës – njërës prej gjuhëve më të thella njerëzore, duke pasur për model sjelljen (partying) të fiseve ende të “paprishura” nga ironia.

Nëpër shndërrimet biblike të botës kohëve të fundit, p.sh. gjëra si uji kanë filluar të shiten në shishe,arti në format e saj si: letërsia, muzika klasike dhe personazhet sociale si poeti, duke pasur një prej qëllimeve përjetimin e pamonetarizueshëm, , tanimë janë harruar. Për-jetimi sot arrihet ndryshe.

Përjetimi, mendoj është një prej qëllimeve (nëse ka një qëllim) të clubbing-ut. As drogat, as trendi i çorodisë më të re dhe as revolta ndaj pushtetit cilitdo qoftë ai (megjithëse të gjitha këto janë pjesë e kësaj), nuk janë esenca e clubbing. Është përjetimi i skajshëm, i arritur aq thjeshtë, përjetimi i thellë aq sa arrin mendja e njeriut brenda një nate, dhe assesi nuk është përjetim vetëm hedonist, me të vetmin qëllim kënaqësinë, sipas mendimit tim, sipas përvojës sime.

E tëra që duhet është një DJ, zërimi i mirë, dhe hapësira (që më vonë gjatë natës shndërrohet në një – zonë – specifike). Në kohën kur kishte filluar kjo rrymë sjelljeje të njeriut postmodern, në party-të që quheshin – rave – ambienti ishte një prej shenjave më të theksuara të tij: depo të zbrazëta, hambar, dhe hapësira të braktisura; në njërën anë kjo ishte ikje ndaj sistemit (policisë dhe këtyre gjërave) dhe në anën tjetër ishte revoltë ndaj po të njëjtit sistem konsumerist. Por megjithatë ky idealizëm është komercializuar tanimë dhe tani quhet clubbing, e që ndodh në ambiente thellë të komercializuara, estetizuara dhe të trendeve më të ndryshme të mundshme. Megjithatë përjetimi, ai për të cilin po flas, është i mundshëm edhe këtu, ka mbetur ende ai.

E njëjta ka ndodhur me rock-un kur është paraqitur në vitet shtatëdhjetë në Prishtinë, është trajtuar si çmenduri apo sjellje prej të cilës çmendesh (është e çuditshme se si çdo gjë të panjohur populli e klasifikon automatikisht në çmenduri) etj. E njëjta sigurisht ka ndodhur edhe me muzikën klasike, e njëjta ka ndodhur kur janë përhapur romanet etj, dhe e njëjta ka ndodhur edhe me muzikën elektronike, automatikisht, mekanizmi mbrojtës i shqiptarit kosovar e ka klasifikuar atë si çmenduri. Aq më shumë që sjellja e kësaj rryme ka për rekuizitë “ijat” e pashmangshme.

Pumping up

Një natë në këtë zonë, brenda shtjellës, është në të njëjtën kohë: postmodernizëm (lexo: bashkëkohësi globale), revoltë ndaj globalizimit dhe globalizim në një gjendje tjetër (për këtë më vonë gjatë tekstit), është shpërthim tej të njohurës së zakonshme dhe arritje në të brendshmen e thellë shpirtërore. Dhe në këtë shtjellim, derisa ndodh shndërrimi, brenda kësaj zone mbetet vetëm një shenjë, DJ. Për mendimin tim, duke u ndërlidhur me fillimin e këtij shkrimi, poetët (po i marr këtu si simbol i arteve dhe artistëve që po harrohen) janë duke u transformuar në një shenjë, model tjetër social dhe kulturor. Roli i poetëve ka filluar të transformohet sociologjikisht dhe kulturalisht, p.sh. në kohërat e renesancës poetët kanë argëtuar mbretërit dhe fisnikërinë në oborret e tyre, me një fjalë kanë qenë një prej mënyrave më të rëndësishme të përjetimit. Por tanimë poeti si nocion social ka kaluar, sigurisht jo ende në plotëninë e tërë, në formën, shenjën, modelin e ri, atë të DJ. Ai është artisti i qyshkut, klubit, depos, apo plazhit, dhe aty dilet tej, në atë anën që fshehet nga jeta e dhunuar nga miliona produkte që na kërkojnë në çdo moment të të qenit, zgjuar apo në ëndrra. Por të mos keqkuptohem, DJ sipas kulturës së clubbing është një artist që nuk krijon pushtet, në të vërtetë zbulimi i tij ka ardhur si revoltë postmoderne ndaj pushtetit të star-ëve, ai është dora që ndjek/krijon/estetizon përjetimin brenda zonës.

Përjetimin në duart e DJ, unë e kisha ndarë në dy gjendje: 1. shkallmim (në rock ka qenë e njohur si shock the system, shokoje sistemin) të sajesave të jetës së zakonshme, dhe 2. depërtim/thellim në të panjohurën, në ujanën e shpirtit. Sigurisht, të qenit DJ i muzikës elektronike mund të jetë çdo gjë përpos skemë, dhe ndonjëherë arti i tij/saj i ngjan një ndërtimi të paharrueshëm të të brendshmes, apo në raste të tjera është përkufizim i të bukurës që rrjedh nga kombinimet e tij/saj. Në një pikëvështrim tjetër, ndoshta arti i DJ është njëlloj dramatizimi i ritmit dhe tingujve për të krijuar thyerje estetike për të depërtuar shijuesi në shpirtin e tij. Një është e sigurt, është spontan. Është i atypëratyshëm (sigurisht buruar nga përvoja e DJ-it), dhe ndodh duke ndjekur vibe të atmosferës. Përfundimisht DJ dhe ata gjallnikë brenda zonës japin dhe marrin nga njëri tjetri gjatë të njëjtës natë për të arritur diku, bashkë, për të krijuar natën.

Prej këtu e kisha ftuar lexuesin, duke përkujtuar përpjekjen e cekur në fillim të këtij shkrimi, të më ndjek në të hulumtuarit dhe interpretuarit e punës së duos austriake si Kruder dhe Dorfemesiter.

1. Lutet lexuesi, për aq sa mundet të duroj, të hyj në linkun që përmban mix-et e tyre, posaçërisht të asaj që është e njohur nën Labelin Dj Kicks, Kruder and Dorfemesiter.

Përjetim i papërpunuar në laboratoret e kënaqësisë lehtë të arritshme – raw – që është proces i ndjekjes së lojës, shndërrimit të perceptimit të muzikës ashtu si njihet (lexuesi, të kërkoj në shpjegimet për lojën postmoderne, dhe random signifiers për më gjerë). Po një gjë që ky duo i muzicientëve e arrin secilën herë është njëlloj guximi të kalimit prej një ujane (nëse lexuesi don – shtrese) në tjetrën, duke kapur, arritur, edhe bartur përjetuesin në fusha krejtësisht të krijuara nën ndikimin e intuitës së tyre muzikore, duke shtyer pak më tutje kufirin e realitetit, kësaj” krijese” psikike, edhe fizike që na mban të humbur brenda një të vërtete të përhershme dhe me këtë, tragjikisht, të fundme. E të jesh i përfshirë, bartur nga levitimet e perceptimit dhe të të njohurës, kalimet e aftësisë muzikore të Kruder dhe Dorfemesiter, bota -kalon në një balonë pluskuese në duart tona, si shpikje e mashtrim. Në të vërtetë është një lojë e humbjes dhe gjetjes së vetes në shtjellat, shndërrimet, kështu duke gjetur një të vërtetë – përderisa muzika e K & D vazhdon – atë të të qenit (shaped në anglisht) i formësum nga muzika. Paradoksalisht, nëse nuk ke çka të humbësh, muzika e K & D është ajo që nëse ke çka të humbësh ia vlen ta ri-gjesh, ri-kuptosh, ri-shohësh të formësuar nga ringjallja shpirtërore që ndodh aty përball tij. 

3. Dropping the bomb

Të gjithëve na ka ndodhur në fëmijërinë tonë, ai momenti kur arrijmë në një zonë ku tingëllima e botës ku gjendemi harmonizohet me mendjen tonë, bëhen një, dhe përfundon mendimi (është i panevojshëm). Është moment qartësie të përkryer dhe në filozofinë budiste njihet si nirvana, apo në zen budizëm si përndritja.

Në çdo party të këtij lloji arrihet ky moment, kjo zonë, e çarë kur përfundon mendimi dhe e tëra, DJ, muzika, ne, turma dhe ambienti bëhemi një, në çdo party – arrihet nirvana. Por të mos blasfemoj, nirvana e plotë është të kuptuarit e çdo gjëje prej fillimit të vetë të kuptuarit e deri në këtë pikë të përfundimit të tij, derisa në këto thellime në ujana ajo arrihet fizikisht nga përmbushja e dëshirës më të thellë, të qenit një me universin.

Dhe ajo që i mbetet pjesëmarrësit të shënjuar në përhershmëri nga ky moment, është gjetja e një rruge për të arritur atje dhe me të jetuar, nëse bukuria e të muzikuarit është njëlloj ëndrre.

Outro

Gjërat janë duke u shndërruar, kosovarët e clubbing skenës kanë arritur atë që tërë qeverisja e Kosovës nuk ka mundur ta bëjë në tërë këtë kohë, sigurisht brenda kulturës në të cilën këta entuziast krijojnë. Mendoj, që përpos hedonizmit apo thënë më saktësisht të mishërimit të “tejshëm” (sa i përket mishërimit,  ka shumë prej DJ-ve fascinant që kanë kaluar në një gjendje tjetër, tërë ajo thellësi kombinuar me pasionin e të riut për një Kosovë të pranueshme në botë, dhe përshpejtimin e kemikalizuar në laboratore, kanë qenë tepër për t’i bartur), është përjetimi  ndryshe që e ofron kjo kulturë e quajtur clubbing. Është përjetimi pa gjuhën e folur, tanimë demaskuar që nga Derrida e Lacan si mjet nënshtrimi; pa star-ët që tanimë janë zbuluar si pushtetmbajtës të vuajtjes/besimit të “fansave”; pa historinë e përgjakur në dhëmbët e politikanëve apo thënë ndryshe duke rrënuar dhe ri-krijuar historinë ; dhe pa vetminë. Apo, vetmia bëhet kolektive, dhembja bëhet kolektive, lumturia bëhet kolektive, është një shpirt i i krijuar nga hapja e esencave shpirtërore në këto zona të krijuara nga DJ i mirëfilltë.

E nesërmja

Apo ndoshta kjo që u tha më lartë do të duhej të ndodhte në një party ideale, apo ka ndodhur në fillimet e kësaj sub-kulture, dhe tanimë ka kaluar në legjendë, dhe ndoshta krejt kjo është dashur të tregohet si legjendë, përderisa ideja është monetarizuar (lexo: politizuar ekonomikisht) diku nën mosbesimin e njeriut, diku aty nën tavolinë në formë të kemikaleve të shtrenjta monetarisht, njëjtë siç ka ndodhur me rock-un./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme