Distopia evropiane në një ironi tronditëse

20 Tetor, 2018 - 6:30 pm

Nga Ardona Bullatovci. “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” nga Gabriel Garcia Marquez.

T’i lexosh këto tregime të kaplon ndjesia e një avanture shtegtare, njësoj siç mund të fitohet përshtypja fillestare nga vet cilësori ‘pelegrine’ i vënë në titull. Tregimet bëjnë pelegrinazh Evropës së pasluftës së Dytë Botërore. Bashkë me tregimet niset edhe lexuesi në atë udhëtim të kryvendeve të Botës, qyteteve të ëndërruara nga shumëkush.

Tregon autori në parathënie se u deshën shumë vjet, që nga viti 1974 deri në vitin 1992, që këto tregime të gdhenden nga ideja fillestare deri te forma përfundimtare e botimit. Kjo kohë 18 vjeçare ishte ironike dhe plot peripeci si edhe vet përmbajtja e tregimeve. Marquezi duke rrëfyer për procesin krijues, tregon njëherësh edhe sa i vështirë e i ankthshëm është ai për një shkrimtar. Tregimet udhëtuan disa herë nga letra në koshin e plehrave, pastaj përsëri në letër, e disa edhe u zhdukën përgjithmonë. Ky autor, e ka dert kualitetin estetik të shkrimeve të veta, ndaj i rishkruan vazhdimisht derisa t’i botojë, por më kurrë pas botimit, se nuk i pëlqen të merret me variante. Rrëfen se të gjitha tregimet kanë të bëjnë me ëndrra, kujtime e nostalgji të kahershme, derisa vendosi që ato t’i transformojë letrarisht te personazhet e veta. Për të paralajmëruar kështu se kanë të bëjnë me fate e ngjarje të vërteta, ose të paktën shumë afër së vërtetës.

Parathënia që ai e shkruan me shumë kujdes, është një hyrje magjepsëse në veprën prej dymbëdhjetë tregimeve. Poioumenon i Marquezit e përgatit letrarisht lexuesin dhe e informon më tepër për procesin krijues se si u realizuan ato.

Ironia e fatit

Që të gjitha tregimet kanë një të përbashkët, kanë një vend dhe kohë të caktuar të zhvillimit të ngjarjeve, të cilat përputhen me kohë dhe vende reale. Personazhet e Marquezit janë pothuajse të gjithë amerikano-jugorë që nisen drejt Evropës si drejt tokës së premtuar, për ëndrra e dëshira, duke pritur se do të preknin vendin e realizimit të ëndrrave.

Gjeneva, Roma, Parisi, Vjena, Barcelona, Napoli, Sicilia, Madridi janë këto topvendet zëmadhe evropiane, të dëshiruara, që supozohet se kanë vend për të gjithë mysafirët. Është një Evropë e messhekullit XX, e sapodalë nga lufta e tmerrshme, që përballet me diktate e sisteme të reja që ka rrëzuar e ngritur ideologji pas ideologjie. Amerikano-jugorët vazhdojnë ta lakmojnë e ta shohin si strehimin përrallor, ndoshta edhe njerëzit e tjerë prej kontinenteve tjera.

Një politikan i rënë nga vakti, prej një vendi nga Karaibet bëhet mishërimi i parë i ironisë së mprehtë që fati ua rezervon njërëzve me famë. Ai do të ik në Gjenevë, për të jetuar i harruar, i plakur, i sëmurë dhe i vetmuar, ‘E keqja më e madhe e vendit tim ishte se u bëra unë president’ thotë ai, pas refleksionit që i jep vjeshta e jetës së tij. Politikanët e uzurpojnë nderin që s’e meritojnë. Si rrjedhojë i pret shpagimi herët a vonë.
Ironia e zhgënjimit i shoqëron edhe besimtarët latinë, që kapërcejnë oqeanin me dëshirën ta shohin Papën, e të bisedojnë me të. Qoftë edhe kur kanë argumente fetarie, duket se askush s’i merr seriozisht.

Njerëzit e shkurajuar, merren me çfarë t’u kujtohet për ta mposhtur kotësinë. Një Frau Frida prej Kubës, e pushton Vjenën me zanatin e fallxhores që kushtimisht sheh ëndrra dhe i interpreton, para se të vdes në dëshpërim.
Italia dhe Spanja s’kanë si të paraqiten ndryshe pos si të rraskapitura nga diktaturat. Pjesa më e madhe e tregimeve vendosen në këto dy vende. Spanja e shfytyruar nga regjimi i Francos, do të personifikohet në personazhe që vijnë nga ajo. Ka personazhe që kolektivisht janë çmendur e e kanë humbur arsyen. Ka edhe njerëz të shëndoshë që përfundojnë të mbyllur në çmendinë.

Ka pleq të vetmuar, që në vetminë e qyteteve të mëdha, presin vdekjen si mysafirin më të dashur. Kurse Madridi i palumë dhe i padet, shpërfaqet edhe si i padritë. Realizmi magjik markezian e metaforizon përhapjen e dritës me vërshimin e ujit, njerëzit tmerrohen se ka vërshuar drita!

Distopia e këtyre tregimeve është e rreptë dhe e pakompromis. Nuk kapet me asnjërin vend në veçanti, është përgjithësuese dhe megjithatë njerëzore. Urtësia e dalë nga këto andralla të bën të mendosh se këtë distopi e përjeton çdo njeri që gjendet për herë të parë në një vend të huaj, të largët, e mbi të gjitha ku ndihet i vetmuar dhe i anashkaluar. Është ndjesia e zgjimit nga ëndrra në realitet.

Kulmi krejt i mprehtë arrihet me distopinë romantike të Barcelonës dhe Parisit. Qytetet simbole të dashurisë, të muajve përrallorë të mjaltit, ku kanë lindur e janë kurorëzuar kaq dashuri. Por në ironinë markeziane në Barcelonë e Paris dashuritë vetëm vdesin. Tegimi i fundit “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë” është perlë në vete e gjithë këtij krijimi letrar. Një rrëfim konform realizmit magjik tipik autorial, do të ironizojë romantikën përrallore duke e sjellë në një realitet të dhimbshëm. Dy të rinj nisen nga Amerika e Jugut drejt qyteteve evropiane, në pikun e acarit dimëror. Nusja, pa dramatizim, vdes në Paris, nga humbja e gjakut, pasi e therri një gjemb i një trëndafili në Madrid.

Parisi e krejt vendet tjera të mëdha e të zhurmshme, pastaj bëhen shumë të trishta, të urrejtura, e të shtrenjta për të huajt, për të humburit, për të vetmuarit.

Atmosfera e zymtësisë dhe shembja e mitit zëmadh evropian, gjithmonë ngjyroset mirë edhe me metaforën e motit dhe me veçoritë sezonale të stinëve. Ose është zheg që të plasë, që të detyron të izolohesh, ose është shi rrëbesh që aq më tepër të struk në vetmi. Ose është erë shkatërrimtare si Tramundana e Barcelonës që të bën të mos duash as të ia dëgjosh më emrin Barcelonës. Ose është acar e i ftohtë dimri, që i ngrin edhe ndjenjat e fundit të ngrohtësisë njerëzore, që i ngrin edhe lotët e vetmisë, e të dhimbjeve që i kanë njerëzit e tëhuajsur./ KultPlus.com

Të ngjajshme