Don Lush Gjergji: Anton Çetta ishte kirurg shpirtëror i shqiptarëve

3 Janar, 2020 - 11:01 am

“Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet kurrkund e shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër, dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë”, thekson Gjergji, vikar i përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës, në një intervistë dhënë Kohës Ditore rreth Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve dhe refuzimin e Institutit Albanologjik të Kosovës që shtatorja e Çettës të vendoset para institucionit ku i kishte prirë seksionit të folklorit.

Dom Lush Gjergji i konsideron heronj të gjallë të gjithë ata që në emër të popullit falën gjakun e më të dashurve të tyre në fillim të viteve nëntëdhjetë. Shpreh keqardhje se ata njerëz janë lënë anash, megjithëse falja e rreth 1200 gjaqeve ndali vëllavrasjen në kohën kur regjimi brutal i Slobodan Milosheviqit nisi zbatimin e masave represive pas suprimimit të autonomisë. Gjergji, pjesë e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, të prirë prej Anton Çettës, thotë se pa ndaljen e vëllavrasjes nuk do të kishin sukses as lëvizjet për liri.

“Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet kurrkund e shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër, dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë”, thekson Gjergji, vikar i përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës, në një intervistë rreth Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve dhe refuzimin e Institutit Albanologjik të Kosovës që shtatorja e Çettës të vendoset para institucionit ku i kishte prirë seksionit të folklorit.

Gjergji, anëtar i Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores së Çettës, e përshkruan si zotni plakun e urtë që për dekada me radhë kishte mbledhur folklorin shqiptar. “Ishte një njeri i cili e donte mbi të gjitha popullin e vet dhe të mirën e popullit të tij. Prandaj do të thosha, një kirurg shpirtëror i mbarë popullit shqiptar”, thekson Gjergji. “Ishte ai i cili e hetoi, mbase më mirë se askush se kanceri më i madh i shoqërisë shqiptare është hakmarrja, siç e kam definuar unë, si vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje”.

KD: Çka ju shkon ndërmend kur dëgjoni emrin e Anton Çettës, sidomos kohëve të fundit pas përplasjes për lokacionin e shtatores së tij?

Don Lush Gjergji: Anton Çetta, një njeri i mrekullueshëm i traditës, i kulturës dhe i qytetërimit tonë ilir arbëror dhe shqiptar. Një njeri që e kemi definuar, të gjithë ata që e njohim, zotni, në kuptimin e fjalës, i kompletuar për sa i përket aspektit intelektual, për sa i përket aspektit shpirtëror. Ishte një njeri i cili e donte mbi të gjitha popullin e vet dhe të mirën e popullit të tij. Prandaj do të thosha, një kirurg shpirtëror i mbarë popullit shqiptar. Ishte ai i cili e hetoi, mbase më mirë se askush, se kanceri më i madh i shoqërisë shqiptarë është hakmarrja, siç e kam definuar unë, si vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje. Dhe për ta vetëdijesuar popullin për këtë nuk ishte lehtë. Antoni ishte njeri i provanisë së Zotit. Ai me hulumtimet që i bëri rreth thesarit popullit, rreth frazeologjisë, rreth kulturës dhe qytetërimit, 20 vjet, ishte një lloj përgatitjeje për veprën e tij hyjnore, sepse kudo që shkonim me bacën Anton, kishte njerëz që ai i njihte. Madje ishte legjendare kur shkonim para tridhjetë, katërdhjetë vjetëve, kam qenë në këtë shtëpi dhe më kujtohet atë natë kur kemi biseduar për kulturën, për traditën, për popullin shqiptar, dhe ka lindur një fëmijë. Madje i kujtohej edhe emri i njeriut tri-katërdhjetëvjeçar, dhe ai thoshte: baca Anton ai jam unë. Prandaj krijonte një atmosferë unike. Para Anton Çettës ka qenë shumë e vështirë të thuash jo. Dhe ne kemi punuar shumë rreth vetëdijesimit, sepse pa u ndryshuar vetëdijesimi nuk ka ndryshim. Populli në fillim bëri një rezistencë të jashtëzakonshme, por më vonë e kuptoi se ne nuk donim asgjë, pos që populli të jetë i lirë dhe i mirë. I lirë dhe i mirë, pa falje, është e pamundshme. E kam definuar edhe këtë: Kush urren, jeton për të bërë keq. Krejt fuqinë e jetës së vet e drejton gabimisht. Prandaj të jetosh si individ, si familje dhe si shoqëri nuk është e drejtë. Robëria më e madhe e një populli është pikërisht robëria e së keqes. Dhe gjakmarrja ose hakmarrja ka qenë një fenomen i tillë.

Fatkeqësisht, shpejt i harrojmë të mirat

KD: Një fjalë e urtë popullore kanunore thotë se “shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Megjithatë, çka tregon fakti se Instituti Albanologjik nuk i bën konak, le të themi kushtimisht, birit të tij?

Don Lush Gjergji: Pa shikoni, ato janë çështje të vendimeve dhe përcaktimeve të tyre, dhe unë nuk do të ndërhyja assesi, por Anton Çetta është meritor edhe për themelimin e Institutit Albanologjik, edhe për seksionin i cili është marrë me të, edhe për shumëçka tjetër. Le ta vlerësojnë njerëzit që janë ekspertë për këtë, por një gjë është e sigurt: Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet askund i shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë. Dhe figura e Anton Çettës e vërteton edhe një herë këtë qëndrim.

KD: Në Këshillin organizativ për shtatoren jeni ju dhe mulla Xhevat Kryeziu. Me aq sa kemi lexuar, nuk keni pasur dilema

Don Lush Gjergji: Absolutisht, nëse dikush meriton të njihet si njeri i popullit, një kirurg i shpirtit të popullit prej kancerit që është hakmarrja, atëherë kuptohet se merita nuk është as e Antonit, as e dom Lushit, as e Xhevatit, as e të ndjerëve Zekeria Canës, as e hoxhë Kokrrukut. Populli doli në sipërfaqe dhe populli e pranoi pajtimin si parakusht për çdo lëvizje tjetër. Pa pajtim të të gjithë shqiptarëve nuk do të kishim as liri, as demokraci, as shtet, as asgjë ….

KD: Më falni që ju ndërhyj, por institucionet shtetërore, si Instituti, pavarësisht se janë shkencore, por që financohen nga taksat e shtetit, ndryshe, ta zëmë prej Kishës apo Bashkësisë Islame, nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët

Don Lush Gjergji: … Ne si bashkësi fetare, që është Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike në Kosovë, absolutisht sikur atëherë që kemi bashkëpunuar, edhe hoxhë, edhe prift, edhe në kishë, edhe në xhami, edhe në lëndina, edhe në livadhe, e rëndësishme ka qenë të ndodhë pajtimi e jo ku. Dhe kjo e ka bashkuar popullin shqiptar edhe më tepër. Populli shqiptar edhe një herë e ka dhënë një dëshmi para botës se është një popull paqedashës, liridashës dhe e bëri një katarzë, një pastrim të brendshëm shpirtëror. Nuk fajëson të tjerët, por dëshiron faljen, lëshimin, apo gabimisht, apo traditën e mbrapshtë, që ishte gjakmarrëse, apo hakmarrëse. Ne kemi ndërruar edhe shprehjen, sepse kur thua gjakmarrës, ose hakmarrës, sikur kishte të drejtë, ndërsa jeta e njeriut është e pacenueshme, sepse e dhuron Zoti dhe e merr Zoti. Dhe ne atyre që kanë bërë krime nuk u kemi thënë që ata t’i falim, por t‘i lirojmë njerëzit që kanë pësuar dhe të dalin prej urrejtjes, që është diktatori më i madhi i njerëzimit dhe që nuk vdes kurrë. Krejt diktatorët  e tjerë vdesin ose dikush i largon, por diktatorin e urrejtjes apo së keqes duhet ta vrasim dhe ta flakim ne prej shpirtit dhe zemrës sonë. Prandaj Lëvizja për pajtimin gjithëshqiptar ka qenë një lëvizje preludi ….

Dora e zezë e armikut

KD: Por si nisi, sepse mbase ka pasur pajtime, nëse mund të themi sporadike?

Don Lush Gjergji: Lëvizja jonë ka nisur me studentët, me të rinjtë, sidomos me ish të burgosurit, sepse ata nëpër burgje kanë thënë: Ne nuk mund t’i hakmerremi një shteti, një sistemi. Shteti na burgos, na vret, na i bën të gjitha të zezat, na dhunon, na përjashton, megjithatë ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Pse atëherë ne trimërinë e vëllazërinë të mos i aplikojmë ne një sistem, që, ngadalë, të shohim që armikun, kundërshtarin dhe vrastarin ta bëjmë vëlla, sepse nuk kemi vëllezër tepër që të shkojnë në drejtime të kundërta dhe që të jenë shpeshherë të manipuluar për ekzistim. Mos harroni se në shumë raste e kemi hetuar dorën e zezë të sistemit, sepse ata janë munduar të na bindin ne: t’u japim armë, sepse e dimë se shqiptarët vrasin, e dimë se shqiptarët nuk falin. Edhe nëse ka ndodhur çfarëdo kontestimi, i kanë thënë: vraje. Ia kanë dhënë edhe armën, disa vjet shkon në burg në Serbi mëson një zanat dhe kthehesh. Kjo ishte dredhia. Andaj ne i falënderojmë për këtë edhe rininë, ish të burgosurit politikë, intelektualët e profileve të ndryshme, përfaqësuesit e bashkësive fetare, Kishën Katolike … Prandaj ne kemi krijuar një ideal rreth pajtimit ku ishin të gjithë. Andaj kanë dalë njerëzit me emra eminentë para popullit dhe kur kanë kërkuar një gjë, nuk kanë mundur t’u thonë jo. Në pajtimin e gjaqeve ne kemi mbledhur elitën më të mirën ekzistuese atëherë dhe ajo ka qenë përkrahëse e këtij ideali dhe kjo na ka ndihmuar shumë që populli ta kuptojë për së drejti, që ne nuk kërkojmë asgjë, por kërkojmë prej tyre lirinë.

Kthesë e madhe

KD: Megjithatë, studiues të huaj dhe shqiptarë kanë shkruar shumë për kokëfortësinë e shqiptarit, andaj a kishit ndonjë strategji, meqë ishte një ndryshim radikal në kuptimin e thyerjes së forcës së traditës dhe kanunit. A ishte e vështirë të bindeshin familjet, sepse kishte raste mospajtimesh ndërmjet familjarëve se a duhej të falej gjaku?

Don Lush Gjergji: Në fillim ka qenë shumë e vështirë, sepse logjika e popullit ka qenë e ngulitur në dy procese: Gjaku nuk falet dhe gjaku nuk tretet, apo nuk humb. Ne kemi thënë se nderi më i madh që mund t’iu bëhet të vrarëve është pikërisht kjo: populli shqiptar me gjakun e tyre ta gjejë fuqinë e pajtimit dhe të faljes. Kur populli e ka përkrahur dhe Lëvizja filloi të jetë popullore dhe gjithëpopullore, atëherë njerëzit kanë qenë të gatshëm të falin. Andaj fuqia ishte në popull, ishte në njerëz. Aktivistët kryesorë ishin ata që kanë falur gjakun. Në momente të caktuara ata kanë thënë: më fal, por nëse unë kam gjakun e babës, vëllait, shokut, mikut e të tjerë, nuk janë ata njerëz që mund t’i gjejmë në kopsht dhe t’i mbjellim, e kemi falur dhe jemi të lumtur që e kemi falur, dhe bëjeni edhe ju këtë gjë. Unë në një fjalim, ndër shumë fjalime të asaj kohe, i kam quajtur heronj të ditëve tona. Dhe kam kërkuar t’i shkruajmë në mesin e heronjve të ditëve tona. Dikur heronjtë i kemi kërkuar nëpër arkiva, nëpër histori, nëpër legjenda, sot heronjtë i kemi në mesin tonë.

KD: Çka tregon për një shoqëri pothuajse njëzet vjet pas luftës mospërfshirja e këtyre heronjve, siç thatë ju, as në tekste shkollore?

Don Lush Gjergji: Një shoqëri që nuk di të vlerësojë vetveten, Lëvizjen …. dhe dhuratën më të madhe që populli shqiptar ia ka bërë vetvetes dhe dëshmia më e madhe për bashkësinë ndërkombëtare, është një lëshim vetëvrasës. Dikur na kanë vrarë të tjerët, sot po bëjmë vetëvrasje me qëndrime të tilla dhe me shumëçka tjetër.

Nuk ka mbetur thuajse asgjë gjithëshqiptare

KD: T’i kthehemi edhe një herë përplasjes për shtatoren. Ju gjatë kohës së faljes së gjaqeve keni shkuar te familjet me sloganin “falja gjakun kombit”, mirëpo sot pse institucionet nuk po arrijnë të pajtohen për lokacionin e shtatores së figurës që nuk e kontestoi askush sa ishte gjallë. Çka dëshmon kjo për shoqërinë tonë?

Don Lush Gjergji: Kjo dëshmon se më nuk ka pothuajse asgjë që është gjithëshqiptare dhe grupet e ndryshme, partitizmi – nuk është më parti, është partitizëm – copëtimi i popullit në grupe, grupacione, parti, fatkeqësisht është sëmundje e re e popullit shqiptar, sidomos në Kosovë, mirëpo fenomeni është i pranishëm edhe në Shqipëri, dhe thuajse nuk ka asgjë të përbashkët që ta kemi si konsensus dhe të themi: Kjo është e përbashkët. E shihni edhe në bisedime me serbët, edhe në çdo çështje. Nuk kemi më pikë të përbashkët orientimi, dhe kjo e dëshmon varfërinë e mjerimin shpirtëror në të cilin jemi sot. Partitë jo që ta shërbejnë popullin, kanë arritur ta ndajnë dhe përçajnë atë. Dhe populli si i tillë, në prizmin e kësaj; grupeve, grupacioneve e partitizmit, e sheh me syze jo më me syrin e vet, por me syze që ia imponon dikush.

KD: Shqiptarët nuk janë më të lirë, nëse marrim parasysh Shqipërinë dhe Kosovën si shtete të lira, por edhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Megjithatë, pas kësaj që thatë, i bie se shqiptaria është në krizë më të madhe tani kur shqiptarët kanë liri më të madhe?

Don Lush Gjergji: Jemi në kuptimin e krizës së rrënimit të një sistemi të vjetër, të cilin me një mënyrë, rrethanat ndërkombëtare, sidomos ndërhyrja e NATO-s, shuarja e Jugosllavisë, rënia e sistemit të komunizmit dhe ateizmit, e ka përshpejtuar. Ne s’kemi qenë dhe s’jemi të gatshëm për ecje të re. Ecja e re e lirisë, e demokracisë, e paqes dhe e pajtimit kërkon dy-tri elemente që po na mungojnë: identiteti dhe personeli ynë ilir, arbëror dhe shqiptar. Ne kemi problem edhe me histori, kemi problem edhe me aktualitet, e sidomos kemi problem me projektimin e së ardhmes. Derisa një popull i tillë që nuk di se kush është, që nuk  di çka do dhe që nuk di si do ta arrijë atë, janë tri probleme themelore të identitetit dhe personelit, atëherë bredh në këtë formë prej skajshmërisë në skajshmëri, herë majtas e herë djathtas, e populli ka thënë mbaje mesin se vetëm në mes mund ta gjesh shpëtimin.

KD: Por a ka shpresë që të mos e mbyllim me pesimizëm?

Don Lush Gjergji: Absolutisht, unë besoj në Zot dhe derisa besoj në Zot, besoj edhe në popullin dhe në njeriun. Ne duhet ta gjejmë damarin e komunikimit. Në pajtimin e gjaqeve ia gjetëm damarin, ia gjetëm zemrën popullit, dhe populli na u përgjigj dhe na e dhuroi zemrën. Sot, fatkeqësisht, s’po ka liderë të tillë, s’po ka lëvizje të tilla për t’ia gjetur zemrën popullit dhe për t’i thënë: o popull, nuk dëshirojmë asgjë tjetër, përpos të mirën, të drejtën, të vërtetën, dashurinë dhe jetën tuaj.

(Intervistë e Don Lush Gjergjit dhënë gazetës KOHA Ditore, e diele, 5 gusht 2018, nr. 7566, f 10-11. Falënderojmë Kohën Ditore për lejimin e botimit.) /KultPlus.com


Të ngjajshme