Dy fjalë për Adnan Merovcin, po të ishte gjallë Ibrahim Rugova kish me t’thanë: Hiqju shkrimit Merovc

2 Prill, 2019 - 11:38 pm

Shkruan: Elida Buçpepaj

Adnan Merovci ka vendosur të ndryshojë profesion në kohën e pleqërisë, në atë fazë kur njeriu duhet të jetë i urtë, i drejtë dhe i vërtetë me veten dhe botën.

Adnan Merovci ka vendosur nga bodygurd të kthehet në person publik. Ka marrë shembull nga Skënder Hyseni që, nga përkthyes i Ibrahim Rugovës, u bë deputet e ministër.

Në Shqipëri e Kosovë sot bëhesh çka të duash, bëhesh (me)nder i kombit, veteran i luftës, shkrimtar e poet, kryetar partie e deputet, mjafton që të jesh sharllatan dhe analfabet!

Analfabetët urrejnë botën shqiptare, sepse kanë kompleksin e inferioritetit;

botën shqiptare e urrejnë edhe figurat e irnosura me skeletë nëpër dollapë gjatë periudhës të pushtimit dhe diktaturës.

Bota shqiptare sot në kulmin e revolucionit të informimit po dergjet nën terrin e dizinformacionit dhe manipulimeve. Këtë tragjedi e vuan historia, e shkuara dhe ajo bashkëkohore, historia e letërsisë, arti, kultura e gjithçka. E ndihmuar mjerisht nga mediat të cilat vendosin në qendër të vemendjes gjithkënd që paguan, ose gjithkënd që fiton rëndësi jo për vlerat individuale, integritetin, kapacitetin dhe aftësitësitë por si homo politicus.

Rasti i Adnan Merovcit është i veçantë, sepse ai ka qenë me të vërtetë bodyguardi i Ibrahim Rugovës dhe natyrisht i ka qendruar shumë pranë Liderit të Pavarësisë.

Kur i rri afër një njeriu si Rugova, të paktën do të duhej të kishte mësuar diçka prej figurës më të shkëlqyer që kanë patur shqiptarët këtë qindësh vjeçar.

Adnan Merovci të paktën do të duhej të respektonte njerëzit që i ka respektuar Rugova dhe, nëse i tekej të shkruante libra, do të duhej të respektonte të vërtetën.

Adnan Merovcin e ka kapur zelli i të shkruarit postmortum Ibrahim Rugovës, se ky zell do të duhej ta kapte që në gjallje.

Nuk kam ndër mend të lexoj librat e Adnan Merovcit, sepse, deri sa ka rrejtur një herë me shkrim, mund të rrejë deri në fund.

I referohem librit të tij të parë, ku Adnan Merovcki nuk shkruan asgjë për lidhjen e ngushtë që kishte Ibrahim Rugova me Skënder Buçpapajn, lidhje direkte e krijuar prej vitit 1991. Skënderi ishte njeriu i parë që e ka intervistuar Rugovën në Shqipëri dhe pastaj kjo lidhje është forcuar deri në fund të jetës të Rugovës.

Kanë mbetur ende dëshmitarë të gjallë që mund të vërtetojnë këtë gjë. Nuk e di nëse ua ka prerë kush gjuhën!

Përveç lidhjeve si intelektualë, si njerëz të letrave, Ibrahim Rugova bashkëpunoi shumë ngushtë gjatë periudhës kur Skënderi ishte në krye të RTSH. Ishte koha më e bukur për Rugovën kur vinte në shtetin amë me krahë. Të gjitha rrugët nga shkonte e vinte nëpër botë kalonin përmes Tiranës. Rugova e shijonte Tiranën. Në këtë kohë kishte një miqësi shumë të ngushtë me Sali Berishën. I shkonte në shtëpi, darka e dreka. E donte shumë Berishën deri në kohën që përkoi me largimin tonë për në Zvicër në pranverën e 1996, kur e braktisi Tiranën dhe nuk u kthye më kurrë kur u ndje me miqësi të thyer. Edhe për shkak të vdekjes që e ndërpreu jetën e tij në mes atëhere kur i duhej më shumë Kosovës.

Periudha 1991 deri 1995 kur Ibrahim Rugova forcoi bashkëpunimin me Skënderin lidhej  me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ishte koha kur ish-Jugosllavia po digjej në flakë, kishte plasur konflikti në Kroaci dhe Bosnje dhe Kosovës iu mbyll edhe një dritare e vetme informimi disa minutëshe nga radio Zagrebi por iu hap një portë e madhe në RTSH, me dy programe radiofonike të mbrëmjes, që drejtoheshin nga gazetarë të Kosovës dhe më vonë Programi Satelitor për diasporën, ndërkohë që lajmet për Kosovën ishin të përditëshme në RTSH.

Duke i dhënë shumë rëndësi informimit dhe mirëinformimit, çka kërkonte fuqizimin e këtyre mediumeve informative me siglën e Kosovës të inkorporuar në RTSH, Ibrahim Rugova shihte tek Skënderi një bashkëpunëtor shumë të rëndësishëm. Dhe nuk mund të flasësh për këto mediume pa përmendur aktorët ideatorë deri në realizimin e projektit, që sipas hierarkisë ishin Ibrahim Rugova bashkë me Qeverinë e Kosovës, Sali Berisha dhe Skënder Buçpapaj. Programet e përditëshme të lajmeve për Kosovën ku informohej për situatën nën pushtim, përgatitur nga gazetarët nga Kosova përmes radios dhe pastaj përmes satelitit në RTSH ishin një arritje shumë e madhe dhe Rugova fluturonte prej këtij suksesi.

Sa herë që Ibrahim Rugova do të vinte në Tiranë, edhe pasi projekti u realizua, ai do të vinte të takohej patjetër me Skënderin, do të na ftonte edhe tek vila 31 për darka. Rugova i vinte direkt në zyrë Skënderit. I pari që do të lajmëronte vizitën e tij ishte Adnan Merovci, Merovci hynte i pari, pastaj Rugova. Kam qenë e pranishme në shumë takime midis Rugoves dhe Skënderit. Një herë Rugova sa hyri në zyrë e uroi për interpelancën e një dite më parë të Skënderit, thirrur nga partia e Arben Imamit, Neritan Ceka e Spartak Ngjelës, pas denoncimit nga televizioni shqiptar i vizitës së tyre të turpëshme tek Milosheviçi në Beograd. “E ndoqa Skënder interpelancën nga shtëpia e Berishës”, i tha Skënderit në konfidencë.

Adnan Merovci e kryente shumë mirë detyrën si bodyguard, ai nuk qëndronte asnjëherë në zyrë gjatë takimeve që zhvillonte Rugova me Skënderin, apo tek Vila 31 kur Rugova vinte gjithmonë nga Prishtina me grupin e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Kur e larguan Skënderin nga RTSH më 1995 përmes një puçi tipik të stilit stalinist, Ibrahim Rugova u shqetësua. Ai u përpoq të ushtronte ndikimin e tij direkt por edhe përmes njerëzve të tij që kishin ndikim tek Berisha. Njeri prej tyre ishte Bujar Hoxha.

Takimi i parafundit që kemi patur me Rugovën ka qenë në Tiranë kur ai erdhi dhe e takoi Skënderin pas shkarkimit ndërsa Skënderi po përgatitej të linte zyrën.

U takuan si njerëz të letrave, si kolegë dhe miq të mirë. Aty ishte edhe Merovci edhe unë, Merovci si zakonisht jashtë zyrës, unë brënda. Dhe nuk e harroj kurrë, kur Rugova doli nga dera, Merovci për një moment u shkëput, hyri dhe duke i dhënë dorën Skënderit i tha “urime, më thanë se të kanë caktuar Ambasador në Beograd”, ndërsa Skënderi ia mohoi menjëherë.

Në takimet që Skënderi kishte me Ibrahim Rugovën dhe me gjithë elitën kulturore e politike të Kosovës “përfitoja” edhe unë si gazetare, duke raportuar apo marrë intervista. Rugovën e kam intervistuar disa herë.  Intervistën e fundit e bëmë në Tiranë tek Vila 31. Kjo intervistë u botua tek gazeta Republika  që drejtohej nga Ylli Rakipi e pastaj edhe nga komuniteti shqiptar në SHBA.

Në sallonin e madh të pritjes kishte shumë njerëz dhe për shkak të regjistrimit me manjetofon, Rugova dhe unë shkuam në një sallë tjetër. Natyrisht na shoqëronte Adnan Merovci. Apo jo Merovc. Por Merovci nuk ishte i pranishëm gjatë intervistës. Ai kryente detyrën e bodyguard-it jashtë sallës.

Ne mbajtëm lidhje të forta me Rugovën deri sa iku prej kësaj bote. Dhe Adnan Merovci e di, nëse nuk e di, kanë mbetur ca dëshmitarë të gjallë për ta pohuar këtë gjë.

Rugovën e kemi marrë në mbrojtje gjithmonë, sidomos tek Bota Sot në mënyrë frontale, duke u kërcënuar me jetë nga Hashim Thaçi e shokët e tij, sidomos kur marrja peng e Rugovës nga Milosheviçi u quajt nga segmenti kriminal i luftës si akt “tradhëtie”.

Rugova erdhi na takoi në Zürich në redaksinë e Bota Sot. Na falenderoi dhe megjithëse personi i tij luftohej në mënyrë të poshtër nga segmentet kriminale të politikës, ai u fokusua tek rimëkëmbja e Kosovës, tek rikthimi, ringjallja, rindërtimi i shtëpive, tek Euro, tek shpresat për të ardhmen.

Largimi i parakohshëm nga jeta i Rugovës ishte dramë për Kosovën.

Sa për ne, kemi qenë Miq të Rugovës e rugovistë kemi mbetur, pa marrë parasysh se Adnan Merovci nga bodyguard pas dyerve ka vendosur të ndryshojë profesionin e të bëhet shkrimtar e publicist.

Po të ishte gjallë Rugova, do t’i thosh: “Ose shkruaj sikur duhet ose gëzo pensionin me nder Merovc”!

Ndërsa unë iu bie këmbanave të alarmit, për sharrllatanizmin dhe folklorizmin që ka pushtuar jetën dhe botën shqiptare në çdo qelizë të saj!

Nëse kanë mbetur vërtetë shqiptarë, duhet të bëhen bashkë për ta shpëtuar Shqipërinë e Kosovën nga hordhitë e injorancës dhe manipulimit që janë po aq të zeza sa diktatura dhe pushtimi!

Dy fjalë për Adnan Merovcin: Po të ishte gjallë Ibrahim Rugova kish me t’thanë: “Hiqju shkrimit Merovc

Të ngjajshme