Estetika e ligjërimit poetik

20 Maj, 2023 - 3:00 pm

Nga Dorentina Demolli

Vepra poetike Edhe mund ta mendoja një tjetër titull  botuar më 2021, përbëhet nga një renditje ciklike në katër pjesë. Vepra hapet me poezinë e titulluar “shpirti i gurit” që pasohet me ciklet: “s’ta zë ngoje emrin”, “kur rrëshqasin kuptimet e fjalëve”, “…dhe vjen një ditë”, dhe “ajo pra”. Poezitë e kësaj vepre janë të veçanta si nga mënyra e konceptimit ashtu edhe nga ana estetike. Ato karakterizohen nga thjeshtësia e fjalës poetike e cila arrin të shpërfaqë mendime të thella dhe në anën tjetër vë në pah vëzhgimin e hollë poetik të Adem Gashit.

Vepra në fjalë ngërthen një mori tematikash me ngjyrime dhe ndjeshmëri poetike të veçantë që ia ofron lexuesit mundësinë e kënaqësisë estetike. Në rrafshin stilistik poezia e Gashit dallohet për gjuhën e rrjedhshme poetike si dhe figuracionin e saj pasi që hasim përdorime funksionale të metaforave, epiteteve, kontrasteve, krahasimeve, ironisë, enumeracioneve e anaforave, me anë të të cilave poeti individualizon shprehjen e tij poetike dhe konkretizon idetë.

Poeti sa i kushton rëndësi strukturës aq edhe është i lirë në krijimet e tij, andaj poezitë në të shumtën e rasteve janë shkruar me varg të lirë, pa rimë dhe në strofa të ndryshme, gjë që na bën të kuptojmë se për poetin mjaft e rëndësishme është domethënia, përkatësisht ideja. Prandaj në aspektin grafematik poeti i fillon titujt e poezive me shkronja të vogla. Poezitë janë të shkruara në gjuhën standarde në përjashtim të disave që janë në dialektin gegë, të cilat shoqërohen edhe me të folmet. E tillë është poezia “hekur dhe kujtime” ku gegërishtja i jep një lloj fryme arkaike poezisë në mënyrë që të bëhet përshtatja e saj me atë se çfarë trajton poeti.

Përmes krijimit poetik Adem Gashi thellohet në kompleksitetin e procesit të të krijuarit letrar e të fjalës poetike. Fjalës poetike si një element esencial i poezisë te “edhe lodhet fjala” poeti në njëfarë forme ia ka frikën, por pavarësisht shqetësimit dhe ikjes së viteve prapë ekziston mundësia që të shpërthejë magjia e fjalës edhe në grahmat e fundit, apo në fazën e tretë krijuese të tij.

Tri elemente esenciale që lidhen me botën krijuese të Adem Gashit paraqiten në poezinë “deklarimi i pasurisë”, ku ajo se çfarë kupton poeti është tejet e veçantë:

e mora vesh më në fund

çuditërisht qenkam i pasur

paskam një botë me libra

një dell marrëzie poetike

dhe ty

e dashur

Poeti i kthehet shpesh motivit të vdekjes. Ai vëren se koha nuk njihet për ndonjë mëshirë dhe merr edhe miqtë e tij. Por poeti shkon edhe më tej duke hyrë në psikologjinë e njeriut që ka tendencën e shmangies dhe devijimit të mendimeve rreth vdekjes. Tendenca për t’iu larguar kësaj teme na bën që vonë ta kuptojmë se ne jemi pelegrinë të një procesioni të rrallë, pra të një rruge e cila nuk kthen, e këtë rrugë sipas tij njerëzit pëlqejnë ta quajnë përrallë.

Në poezinë “udha me pikëpyetje në fund” gërshetohet motivi i pleqërisë së bashku me motivin e jetës dhe veprat të cilat e bëjnë njeriun të ndihet i gjallë e të njihet nga të tjerët. Poezi pas poezie përplotësohet mendimi që këto vepra në fakt do të mbesin edhe pas vdekjes.

Vepra është një sistem i përpunuar ku renditja e poezive dhe çdo fjalë kanë rëndësinë dhe funksionin e vet andaj jo kot “dita e parë dhe e fundit” është poezia përmbyllëse e kësaj vepre dhe e vetme që përbën ciklin “…ajo pra”. E gjithë poezia ndërtohet si enumeracion i disa ditëve të para që mund të ndodhin në jetë e të cilat udhëtojnë drejt ditës së “parë dhe të fundit”, duke u krijuar kështu një përshkrim i jetës në vargje. Pra, poetikisht, dita e parë dhe e fundit shihet si dita:

Kur në fund të fjalisë dëftore vihet një Pikë(.)

Dhe ti s’flet më, po flasin të tjerët për ty.

Në poezitë e tjera shenjat e pikësimit janë shumë të reduktuara, madje edhe në rastin e enumeracioneve ato shpesh nuk janë të pranishme. Është e vetmja poezia e lartpërmendur që në fund i vihet një pikë, sepse në kompozimin e saj poeti përpiqet t’i ngarkojë kuptim edhe shenjës së pikësimit. Pra struktura poetike e veprës nuk del e sforcuar sepse harmonizohet mjaft mirë me përmbajtjen. Andaj poezia “vëllamiri” që ka si intertekst legjendën “Kostandini dhe Doruntina” projektohet qëllimisht në nëntë vargje, numër ky mitik mjaft i njohur.

Lirika e dashurisë

Motivi i dashurisë është një ndër motivet që shquhet shumë në krijimtarinë e Adem Gashit, andaj ky motiv si një univers poetik nuk mungon as në veprën Edhe mund ta mendoja një tjetër titull. Poezitë e dashurisë si realizime artistike të veçanta në këtë përmbledhje shpalosin me çiltërsi dhe pa ndonjë drojë dashurinë, ndjesitë e tjera së bashku me dhimbjen, mallin dhe dëshirat. Poezitë me këtë motiv shpërfaqin disponime të ndryshme dhe nuancime emocionale ku të gjitha së bashku krijojnë një shkallëzim të të gjitha përjetimeve të dashurisë.

Në të shumtën e rasteve kur poeti i këndon dashurisë, si subjekt poetik ka një grua ideale e cila është pjesë e pandashme e tij.

Në poezinë “fjalën që s’ta thashë deri tashti” vërejmë që subjekti lirik niset nga një bazë reale e të përjetuarit të dashurisë, por të përjetuarit në vetveteve, sepse siç shprehet nuk ia tha asaj përemrin në trajtën pronore: je imja. Kjo dashuri që nuk i bashkoi ata e detyron poetin të kalojë në dhënien e përmasave të një ndjenje të thellë njerëzore dhe protomodelin e saj ta bëjë të dashur imagjinare. Poeti e kërkon vajzën në hapësirën e vetmisë por edhe në atë të gjithësisë si në qiell e hënë. Prania e mikës imagjinare është kudo. Pra ajo gjithmonë e shoqëron dhe e frymëzon poetin. Ai zbulon përpjekjet e pareshura për të gjetur kodin e fshehur të syve të saj, andaj në momentin kur e shikon atë, e përkufizon kështu dashurinë:

aty ku nis e mbaron zona tunduese e misterit

Ky mister e bën poetin të ketë ndjenja të turbullta e të mos e kuptojë as vetveten. Dashuria në këtë rast e lëvizë njeriun nëpër trajta të ndryshme. “kur shfaqesh ti” është një poezi tjetër e kësaj përmbledhjeje që flet për impaktin që ka e dashura te ai. Këtu autori përshkruan botën emocionale dhe lëkundjet e tij sepse humbet qetësinë e paqen dhe më tutje siç shprehet mund të ndihet më i mençuri dhe më i krisuri i botës, por vetëm kur i shfaqet ajo apo ana tjetër e së panjohurës. Adem Gashi rrallë herë shkruan poezi me rima, por poezia në fjalë është krijuar me rima të kryqëzuara jo pa qëllim, pasi që ato përkojnë më së miri me ndjenjat kontrastive të poetit.

Poezitë e dashurisë edhe kur flasin për pritjen e çastit dehës krijojnë mendime e shprehje të thëna me elegancë. Të tilla janë poezitë: “puthje a vrasje”, “një ditë që mund të ishte sot”, “diçka rreth e brenda nesh”, “s’e di se ç’kishte veshur” etj. Çastet të cilat i ëndërron poeti jepen me një liri krijuese dhe shprehëse, këto çaste për të përbëjnë një ditë me një aromë dehëse, por shpejt shuhet fantazia dhe ai i kthehet realitetit:

më mirë kështu se mos bëj hatanë

si një demon i çartur

Poeti bëhet zotërues i ndjenjave të mallit e të dhimbjes, andaj edhe kur e dashura e shikon ai ndjen dhimbshëm diçka si vetëtimë të ikshme. Dashuria e pushton subjektin lirik dhe me zjarrin e saj e bën që të vuajë. Pra bukuria e krijimeve të tij qëndron te veçimi i ndjesive. Meqë ndjesitë janë të rëndësishme për poetin ai shkon edhe në vetëmohim sepse kur e përshkruan vajzën e gjunjëzuar para ikonës së Shën Mërisë ai lutet me gjuhën e herezisë t’ia ngarkojë hyjnia mëkatet e saj. Pra e ndjen atë aq shumë sa dëshiron që t’ia marrë peshën e vuajtjeve.

Me një dimension tjetër paraqitet poezia “kujtesa e një gruaje”, kujtesën e së cilës poeti e cilëson si një vajzëri të përjetshme. Këtu fokusi kryesor bie mbi kompleksitetin e figurës së gruas, kujtimeve dhe botës së saj.

Përderisa në shumicën e lirikave kemi përshkrimin e ndjesive dhe të gjendjeve të poetit, e më pak të përshkrimeve dhe tipareve të mikës imagjinare, në një poezi të veçantë poeti përshkruan më gjerësisht subjektin poetik, pra gruan, por në fakt këtu paraqitet një anë tjetër e saj. “profil tjetër i një gruaje të azdisur” është titull i cili siç mund ta vërejmë përputhet me interesimet tematike të autorit. Poezia ka edhe një nëntitull ku autori iu drejtohet lexuesve: mos ia kërkoni shëmbëllimin.  Këtu shfaqet gruaja e cila është e vetëkënaqur me pamjen dhe sukseset e saj por në dy strofat e mëposhtme poeti zbulon tragjikën e saj që përbëhet nga kontrasti i thellë mes paraqitjes dhe gjendjes shpirtërore:

veç kur nata nxin me vetminë

në labirintin e saj tragjik

shpërthen një magmë me gjëmë e dhimbtë

prej zgërbonjës së shpirtit cinik

më ka rënë ta shoh ta shihni ju ka rënë

me profil të gënjeshtërt një grua të azdisur

është koha për ta lënë

në vetëkënaqësinë e lustërt të ditës

Motivi atdhetar i përshkuar nga notat e dhimbjes dhe revoltës

Një nga motivet e rëndësishme ku konsiston poetika e Adem Gashit është ai i atdheut, që e shfaq praninë e vet edhe në këtë vepër. Poezitë me motiv atdhetar këndohen në disa variante duke krijuar te lexuesi ndjenjat e dashurisë për atdheun, por te një pjesë e madhe edhe duke ngjallur plagët e së kaluarës. Gjithashtu, ai përmes poezive sfidon për një meditim dhe qëndrime kritikuese rreth disa dukurive të caktuara.

Adem Gashi evokon historinë shqiptare përmes vargjeve. Në poezinë “arikivi i familjes sime” gjejmë shenja të identifikueshme autobiografike të shkrimtarit. Por dhimbja dhe kujtimet personale varg pas vargu përmes të folurit të figurshëm vijnë dhe marrin një dimension më të gjerë duke u kthyer në kujtime me karakter e interes kolektiv apo kombëtar. Autori paralelisht me dhënien e informatave për babain dhe kujtimet për të jep edhe një përmbledhje të historisë shqiptare nën pushtete të ndryshme, duke e përmendur Shqipërinë nën sundimin e Viktor Emanuelit e për të kaluar më tutje edhe në luftën e fundit në Kosovë.

Poezitë me karakter atdhetar ngrisin lart atdheun si dhe figurat që kontribuan rreth luftës për çlirim. Vendi i poetit pikërisht pse është i vogël përbën faktin që është edhe vend i madh në sytë e tij, sepse brenda ditës mund t’i takojë njerëzit e tij dhe të qëndrojë me ta. Poeti përshkruan dashurinë për gjithë atë që përbën atdheu i tij por nga ana tjetër një pjesë e konsiderueshme e poezive atdhetare përshkohen nga notat e dhimbjes dhe vuajtjes për historinë dhe kujtimet e rënda. Gjithashtu disa dukuri të vendit të tij përmes ironisë edhe kritikohen. Kjo mënyrë e të shprehurit vetëm duke përshkruar e ironizuar tenton të shndërrohet në një mesazh poetik por pa kaluar në këshilla direkte.

Poeti shtron ato plagë që shqiptari ia shkakton vetvetës, ndonëse ka qenë i rrethuar me armiq të shumtë. Realiteti i trishtë jepet përmes figurës së alegorisë që mundëson një mënyrë tjetër të artikulimit të poezisë me motiv atdhetar e cila i godet individët që qëndrojnë indiferent për fatin e atdheut, pushtohen nga lakmia dhe nuk e ndihmojnë ngritjen e shtëpisë, që nënkupton Kosovës, pavarësisht se u nis me themele të forta prej gjaku. Armiqtë e brendshëm janë ata që shkaktojnë pasoja të rënda po aq sa ata të jashtëm andaj nuk mungojnë tonet kritike ndaj tyre dhe pavarësisht prejardhjes së fjalës armik, autori poetikisht ndërton kompozitën armë+ ik(iq), një gjetje kjo e bukur poetike e cila kërkon largimin e tyre.

Në poezinë “veteranët e luftës” Gashi përdor vazhdimisht figurën e kontrastit për të tërhequr dy paralele të ndryshme që theksojnë dy kategori të shqiptarëve. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë veteranët e vërtetë që i shquan urtësia dhe në ditët e lirisë vijnë me peshën e moshës, vuajtjeve si dhe lavdisë së heshtur, kurse në kategorinë e dytë bëjnë pjesë individët që morën lavdata pa meritë. Ndonëse në festimin e lirisë synohet barazimi i dy kategorive është poeti ai i cili ngre zërin duke bërë një dallim thelbësor në këtë tabllo:

të parët

ngrenë dollinë e kujtimeve të rënda

të dytët dollinë e buzëqeshjeve

me kostumet allafrënga

Poeti mundohet që të mbështesë njerëzit që me gjithë qenien e tyre e kishin mbrojtur vendin andaj duke marrë pozicionin e qëndrimit para varrezave të dëshmorëve ai krijon një himn për ta por edhe bën një reflektim mbi njerëzit e sotëm që karakterizohen nga shpërfillja, harresa, dhe që përballë dëshmorëve shihen vetëm si të gjallët e humbur. Ka shumë situata në vendin e tij që e shqetësojnë poetin dhe e bëjnë që të mos e njoh tokën e tij, andaj poezinë “Heu, toka ime e dielltë” e shoqërojnë pasthirrmat poetike.  Pra motivi atdhetar në poezitë e Adem Gashit do të plekset me motivin e dhimbjes dhe revoltës. Ai sërish sheh një rënie në shoqërinë tonë andaj sipas tij drita (shpresa për të ardhmen e ndritur) prapë te ne u kthye në simbol poezie.

Gjithashtu, poezitë përkushtuese janë krijimet lirike përmes të cilave Adem Gashi shpreh respektin për figurat që i çmon, qofshin ato të interesit të përgjithshëm kombëtar e kulturor, si poezitë për dëshmorët, Adem Demaçin apo Jeta Zhitinë (shkrimtare e re shqiptaro-gjermane), qofshin ato poezi për të njohurit apo miqtë e vdekur të cilat vijnë në formë të kujtimeve.

Nga sa u tha edhe më lart mund të konstatojmë se gama tematike e poezive të Adem Gashit është e disallojshme dhe përgjithësisht në përmbledhjen poetike Edhe mund ta mendoja një tjetër titull do të gjejmë poezi interesante të shkruara me frymëzim dhe origjinalitet që janë shfaqje e një bashkimi të harmonishëm të ndjenjave e mendimeve dhe që krijojnë një ligjërim poetik të thjeshtë e të natyrshëm.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof.dr.Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com

Të ngjajshme