Folkloristët e izoluar të Evropës

8 Maj, 2019 - 9:52 pm

Bajram Mjeku

Shqiptarët, populli më i izoluar në Evropë, edhe zyrtarisht nesër kremton Ditën e Evropës! Ky izolim ndodhi për mungesë të guximit qytetar, që solli klasën politike që kemi sot.

Kjo “elitë” politike, e cila solli korrupsion e krim të organizuar, zhvatje të pasurisë e varfëri të skajshme, depresion e pasiguri kolektive, ikje masive të të rinjëve deri në përmasat e mohimit të atdheut, ndodhi për fajin tonë dhe jo të Evropës. Jemi ne që tash njëzet vjet e mbajmë në këmbë prej qelqi, udhëheqjen më të padenjë që shqiptarët e kanë patur ndonjëherë në historinë e tyre. Pse nuk ndalemi një çast e të kujtojmë kush na përfaqëson, pastaj të marrim frymë thellë dhe ta gjykojmë Evropën?!
Kosova asnjëherë nuk ishte më e izoluar se sot dhe asnjëherë nuk kishte më pak miq në familjen evropiane se sot. Një fakt duhet ta kuptojmë një herë e mirë: Shqiptarët asnjëherë nuk ishin më injorantë e më indiferentë siç janë sot. Janë më pak të arsimuar se në vitet shtatëdhjetë, më pak të emancipuar se në vitet tetëdhjetë dhe shumë më pak atdhedashës se në vitet nëntëdhjetë. Çdo ditë shohim veten duke u fundosur në baltën e gjallë dhe bëhemi sikur nuk është duke ndodhur asgjë. Çdo ditë presim mrekulli nga Zoti, derisa nga gjithë popujt e Kontinentit të vjetër, më së paku besojmë në Zot.
Kujtojmë korrikun e vitit 2015, kur kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi kryeqytetin shqiptar. E lodhur nga dyndjet e shqiptarëve drejtë Evropës dhe nga servilizmi patetik i Qeverisë shqiptare, Merkel sikur humbi durimin e tha: Keni detin dhe malet! Edhe kaizeri gjerman Wilhelm II, më shumë se një shekull më parë mbi tavolinën e bisedimeve vuri dilemën: A janë shqiptarët të aftë për të qeverisur veten?!
Kur në nëntor të vitit 1989 ra Muri i Berlinit, shqiptarët provuan njëfarë pajtimi me Evropën. Kësaj radhe, sharjet i shndërruan në pendesë dhe përmes kësaj të fundit sërish dërguam mesazhin e urrejtjes kundër Evropës! Në vend se këtë ndërmarrje ta bënim përmes diplomacisë dhe botës intelektuale, edhe maskaradën e radhës e bëmë përmes folklorit. Këngën e kahmotshme “Oj Evropë oj kurva e vjetër” e zëvendësuam me një të re, e cila niste me vargun: “Ty Evropë po të shkruaj një letër!”. Për habinë e dyfishtë, kjo këngë dhe shumë këngë të tjera folklorike, editoriale e libra të këtij soji u pëlqenin shumicës! Prapë u ringjall epoka e çiftelisë, prapë “elita” intelektuale u fsheh në strofullin e vet dhe prapë folkloristët nisën ta kërcënojnë Evropën. 
Slogani “Duam Shqipërinë si gjithë Evropën”, lindi në qastet kur shqiptarët nisën të dalin nga kampi komunist. Vetëm atëherë kur “dëshirën” do ta zëvendësojmë me “përkushtimin” për Evropën dhe folkloristët do të zëvendësohen me vlera nacionale, Brukseli nuk do të jetë aq naks dhe do të na pranojë në familjen e tij./KultPlus.com

Të ngjajshme