Gjuha zyrtare serbe ndaj shqiptarëve, tragjike apo diç përtej?

31 Maj, 2019 - 11:30 pm

Arben I. Kastrati

Sa shumë energji shpenzojmë për mërinë dhe me sa pasion e trajtojmë atë. Ne nuk kemi prurje ideshë dhe nuk debatojmë me argumente. Ne vetëm garojmë se kush ofendon më shumë. Dhe kush është më i ofenduari.

Nuk e kuptoj dëshirën e përhershme serbe për armiqësi me shqiptarët. Nuk e kuptoj kënaqësinë që serbëve u dhuron ofendim. Ashtu siç nuk e kuptoj “superioritetin’ zyrtar serb, që vazhdon t’a ofendoj një popull që ka kohë që e ka humbur kompleksin e inferioritetit.

Kryeministrja e Serbisë, në dekaratën e saj acidike dhe skajshmërisht fyese, kishte përmbledhur në vetvete të gjitha llojet dhe mënyrat ekzistuese të urrejtjes për shqiptarët. Kjo deklaratë, ngjanë e ardhur jo nga një kryeministre e një “vendi demokratik”, por nga një asistente e djallit.

Por, kur Znj. Brnabic, flet në cilësinë e Kryeministres, e që kryesisht deklaratat politike janë mendime të kursyera nga sinqertiteti, ç’mendim kanë Serbët e rëndomtë për Shqiptarët?!!!!

Për herë të parë, nuk kam ndjerë asgjë. Në vend se të ndjeja hidhërim, ndjeva mëshirë për popullin serb. Kaq vite pas, ata nuk arrijnë t’i tejkalojnë dëftimet e trilluara! Ngelen peng të mitologjisë. Serbia, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për çmitizues. Kosova nuk mund të jetë vetëm serbe ose e vdekur.

Është e turpshme se ç’urretje mund të prodhoj Kryeministrja e një “vendi demokratik”, dhe ç’lavde i thurri populli i saj për këtë “vepër heroike”. Znj. Brnabic, me deklaratën e saj, ka zgjuar të gjithë demonët, duke zyrtarizuar rikthimin në “kosmet-mitologjinë e përhershme serbe”. Në atë të shkuar, ferri ishte i zbrazur, sepse të gjithë djajtë ishin këtu.

Me deklaratën e saj, i detyroi ata që deshën t’a harrojnë të shkuarën (për hirë të së ardhmes), që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Znj. Brnabic, e udhëhequr nga “Filozofia e Pallankës”, çimentoi vazhdimin e urrejtjes me pasion. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë kohë, mund dhe imagjinatë duke projektuar asgjësimin e njëri tjetrit.

Mendimet tona të sinqerta për njëri tjetrin sollën luftrat e së shkuarës.  Nga deklaratat e Kryeministres së Serbisë, që sollën kënaqësi dhe urrejtje njëkohësisht, perspektiva jonë duket e largët. Deklaratat e Kryeministres së Serbisë, shkojnë përtej tragjikes. Njëzetë vite pas, realiteti mbetet ende i hidhur. Dhe serbët të njëjtë.

“Europa nuk i ndërron shtetet duke i kërcënuar ti okupoj ato: kërcënimi i tyre më i madh është t’i injoroj” Mark Leamand./KultPlus.com

Të ngjajshme