‘Gruaja e këpucarit është magjistricë, ajo i ndërron lëkurët dhe shndërrohet në flutur’

24 Korrik, 2022 - 9:45 am

Nga Enida Sheshi

I pate duart e renda kur e vrave veten për herë të parë? – e pyeti gruan e këpucarit, gardiani i Portës së Madhe.

Këtë herë, – tha ajo, – nuk i përdora fare duart. Vetja e zhveshi vetë lëkurën, e la para këmbëve të mia dhe, ashtu, gjysmë e rjepur e gjysmë e parjepur, erdhi këtu.
Herët e tjera, – vazhdoi gruaja, – ka qenë më e vështirë, se lëkura qe më e trashë, por im shoq ma qepte puthitur pas trupit me spangon që qepte këpucët e fshatarëve, saqë duart më kullonin gjak sa herë e shkitja prej trupit.
E shqepa njëherë, dy, tri, pastaj, sa herë që ai e kalonte gjilpërën në lëkurë, vrimat bëheshin edhe më të mëdha, derisa një ditë ai u bind se ma qepi si mos më mirë, por ajo, vetëm sa u mbështoll pas trupit si një triko e lehtë e hedhur krahëve.
Gardiani bëri të kapërdihej me gojën e thatë, puliti sytë i lemerisur nga ajo që dëgjoi dhe duke iu marrë këmbët lëvizi shulin e portës vrazhdë, por gruaja, me një të përplasur të krahëve, u ngjit ajrit dhe bëri përmatanë.
Gardiani fërkoi sytë edhe një herë, fshiu hirin nga supet e xhaketës, duke u lëkundur, pastaj mori për nga lisi i prerë.
Nxori një letër u përkul mbi të dhe shkroi:
”Gruaja e këpucarit është magjistricë. Ajo i ndërron lëkurët dhe shëndrohet në flutur. Sot, e premte, e pashë me sytë e mi”.
Kot të themi, se njerëzit shqyen sytë nga habia kur e panë copën e kartës të ngjitur mbi Portën e Madhe.
Pastaj e harruan këtë ngjarje, kur panë këpucarin që vazhdonte të ngulte qetësisht gozhdët e vogla mbi shuall. Në fytyrë i dallohej kënaqësia e burrit që mezi pret të vijë mbrëmja e të futet në shtrat./ KultPlus.com

Të ngjajshme