Gruaja, ky problem i madh për burrin shqiptar

7 Shtator, 2022 - 11:30 am

Sead Zimeri

Shqiptari nuk di si të komunikojë me gruan, nuk di si t’i flas asaj si njeri pasi që atë e sheh vetëm si një objekt për shfryrjen e dëshirave të tij seksuale.

Gjithashtu, atë e sheh si pronë të veten, dhe prona nuk mund të ketë liri që të jetojë ashtu siç dëshiron ajo.

Që gruaja është para së gjithash objekt seksual dhe pronë këtë e gjen të shkruar gjithandej, dhe është pjesë e traditës në të cilën shqiptari rritet, dhe nga e cila formohet si njeri.

Martesat, për shembull, në mënyrën më të qartë simbolizojnë aspektin e pronësisë së gruas: ajo transferohet nga shtëpia e prindit në atë të burrit dhe aty ajo fillon jetën e saj të re si shërbëtore e burrit dhe familjes së tij.

Pasi që ajo është pronë e tij ajo nuk mundet të lëvizë si të dojë dhe kur të dojë pa lejen e burrit të saj. Asaj nuk i besohet që ajo mund të ketë marrëdhënie shoqërore jo romantike me burra tjerë sepse tani ajo është bërë pronë që mbart emrin e burrit të saj. Prona mbikëqyret vazhdimisht, sidomos kur ajo është e re dhe e bukur. Logjika e pronarit është kjo: kam një makinë të bukur dhe po të mos kujdesem për të do të ma marrin të tjerët.

Gruaja si pronë nuk ka vullnet të lirë dhe nuk mund të marrë vendime të pavarura. Për më tepër, asaj nuk mund t’i besohet sepse ajo është qenie emocionale që përherë e mban arsyen nën kontrollin e ndjenjave të saj.

Këtu edhe lind paradoksi i raportit të shqiptarit me gruan e tij: ajo nuk është e lirë por gabimet, tradhtitë bashkëshortore ia përshkruan asaj. Ajo është pronë mendimi i të cilës nuk ka kurrfarë peshe me përjashtim kur ajo bën diçka që e sfidon autoritetin apo pronësinë e burrit mbi të. Atëherë ajo është plotësisht përgjegjëse për çdo veprim që ajo bën.

Në një kontekst të këtillë ku dukshëm gruaja duket të jetë bërë e vetëdijshme për të drejtat dhe lirinë e saj, kurse burri duket sikur ende nuk e ka kuptuar realitetin e ri por dëshiron që ta vazhdojë ëndrrën e tij të dominimit total të gruas, është burri ai që ka mbetur mbrapa, që është në siklet ngaqë në njërën anë ai është nën presion të burrave tjerë si ai që kanë mbetur mbrapa, dhe në anën tjetër ai kurrë nuk është mësuar të komunikojë me gruan e tij si njeri, ta trajtojë atë si qenie të pavarur, dhe ta respektojë individualitetin e saj. Edhe po të dëshirojë ai nuk di si ta respektojë, nuk di si ta besojë atë, si ta shmang xhelozinë kur e sheh gruan e tij të shoqëruar me burra të huaj. Ai nuk është mësuar kurrë që ta trajtojë gruan si individ që merr vendimet e saja, që e mban premtimin dhe besën, që e respekton veten përmes respektimit të obligimeve të saja ndaj të tjerëve. Ai mendon që gruaja tërë kohën mendon për k.., pasi që ai e trajton atë thjesht si objekt seksual.

Ai mendon kështu ngaqë ai përfundimisht nuk i beson vetes. Problemi i tij nuk është gruaja por vetja e tij, mungesa e besimit në veten e tij, dhe trajtimi i tjetrit thjesht si konkurrent për favoret seksuale të gruas. Ngaqë ky nuk i beson vetes mendon që edhe gruaja e tij po të ketë të njëjtën liri do të dëshirojë të bëhet si ai, i pabesë.

Por ky është një presupozim i pa bazë sepse vlefshmëria e një supozimi të tillë mund të arsyetohet vetëm nëse rendet sociale kthehen përmbys dhe burri bëhet pronë e gruas. Pasi që kjo nuk është duke ndodhur, i vetmi supozim i arsyeshëm është që edhe gruaja edhe burri, pasi të lirohen nga marrëdhëniet të ngritura mbi struktura të pronësisë, do të fillojnë ta respektojnë njëri tjetrin, do të bëhen qenie të pavarura morale që respektojnë tjetrin përmes respektimit të obligimeve të tyre ndaj njëri tjetrit, obligime që i kanë marrë mbi supet e tyre si qenie të lira.

Fatkeqësia e këtyre raporteve jo të barabarta gjinore në kulturën shqiptare është që ato po përfundojnë në mënyra tragjike për gruan shqiptare. Burri vuan nga plasaritje të tilla në traditë por gruaja është ajo që vuan, rrihet dhe vritet.

Jo, nuk është gruaja problemi i burrit shqiptar. Përkundrazi, problemi i tij është vetja e tij, mosmbesimi i tij në veten e tij, pasiguritë që rezultojnë në xhelozi morbide, si dhe, më e keqja, mosrespektimi i vetes. Për një burrë të pavarur dhe të sigurt në veten e tij, xhelozia është patologjike, siç thotë Lacan-i, sepse edhe po të jetë e vërtetë që gruaja e tij flirton apo e tradhëton atë me të tjerë, fakti që ky bëhet xheloz tregon që ai nuk mund t’i besojë gruas së tij jo për shkak të sjelljeve të saj (që mund të jenë plotësisht korrekte) por për shkak të besimit të tij se ajo është e pabesë.

Ky shkrim është shkruar më 06.09.2017./ KultPlus.com

Të ngjajshme