Heroina e Punës Kapitaliste

20 Korrik, 2019 - 6:30 pm

Nga Shpetim Luku

Tek një kryqëzim në Lushnje, atje ku ndahen rrugët për në Fier e Berat, ndodhet një ndërtesë, në pamje te parë, mjaft e zakonshme. Nga ato ndërtesa që ka me qindra në Shqipëri. Por brenda saj zhvillohet një aktivitet i jashtëzakonshëm.

Ndërtesa, pa ndonjë vlerë të madhe si aset është dhënë me qera nga pronari i saj. Kurse ata që e kanë marrë me qera kanë ndërtuar në të një aktivitet me vlera shumë të mëdha për vete, për mjaft fermerë të zonës e pse jo, edhe për bujqësinë në tërësi të zonës së Myzeqesë.

Bëhet fjalë për kompaninë Elian-Export, një kompani e themeluar rreth 20 vite më parë, nga një grua e thjeshtë me origjinë nga Kucova, por e martuar dhe e vendosur prej kohësh në Lushnje, Neta Arapi. Një kompani e specializuar për eksportin e perimeve dhe frutave, kur vetëm gjatë vitit 2018 realizoi një eksport në nivelin e 5-6 milionë eurove në vende të tilla si Cekia, Kosova, Kroacia, Sllovenia, Lituania etj.

Vlera e eksportit të realizuar në një vit mund të mos jetë aq impresionuese nga ana sasiore sa të të detyrojë të reagosh uauuuu, por ama puna që bëhet për një rezultat të tillë është tejet e madhe dhe e admirueshme. Mjafton të sjellësh ndërmend që ajo vlerë eksporti është realizuar nga rreth 680 rrugë kamionash të vetë kompanisë. Mjafton të imagjinosh e përfytyrosh ciklin e kësaj pune që përfshin kontaktet dhe “kontratat” me fermerë të ndryshëm, grumbullimin prej tyre të produkteve, ambalazhimin e tyre, bërjen gati për eksport, transportin e tyre prej mijëra kilometrash në vende të ndryshme e një sërë procesesh të tjera.

Dikur, para viteve 90, egzistonte një titull nderi, ai i Heroit apo Heroinës së Punës Socialiste, i cili akordohej për rezultate të larta të arritura në fushën e ekonomisë, kulturës, revolucionit tekniko-shkencor etj.

Nuk mund të them e te shprehem nëse ky titull nderi qe aplikohej ne sistemin e dikurshem ishte i mirëadresuar e i mirëpërdorur, kur iu jepej shoferëve, traktoristëve, montatorëve, novatorëve e racionalizatorëve, të cilët punonit që atëhere për vitet aktuale.

Por ajo që mund të thuhet me siguri sot është se Neta Arapi ia ka dhënë vetës titullin e Heroinës së Punës kapitaliste.

Me backgroundin e një gruaje, që shumë vite të saj të para 90-ës i ka jetuar si punëtore, ajo tregon se cfarë mund të arrijë njeriu kur është i përkushtuar pas punës, kur punon ditë e natë, në diell e shi, kur sakrifikon për punën dhe suksesin.

Kanë kaluar 20 vite, por ajo e mban mend sikur të ketë ndodhur dje, momentin që i ndryshoi jetën, duke i dhënë qartësinë e duhur për të bërë këtë aktivitet që bën sot. Merrej me tregti të fruta perimeve në tregun e Lushnjes, kur një biznesmen malazes i kërkon ti sigurojë një kamion me shalqin. Neta e mban frymen në Divjake dhe e realizon me sukses porosinë që mori kundrejt një shpërblimi, i cili e bën të qeshë sot kur e kujton. “E pyeta biznesmenin biznesmenin malazez nëse i pëlqeu malli që i gjeta dhe ai mu përgjigj në mënyrë pohuese, duke më porositur edhe kamionë të tjerë”-tregon Neta.

“Me vjen mirë, megjithëse më ke paguar si grua, ndonëse kam punuar sa dy burra”-i ka thënë më tej ajo.

Por sot, këtyre kujtimeve Neta i kthehet e e iu referohet vetëm me humor, sepse ajo është e vetëdijshme se përfitimi ishte i madh. Aty mori rrugë biznesi i saj i eksportit të frutave e perimeve.

Aty filloi ndryshimi i saj i madh, nga një shitëse e thjeshtë në tregun me shumicë të Lushnjes, në një eksportuese e produkteve bujqësore si domate, lakër, speca, domate,shalqine, pjepra, rrush, etj nëpër tregjet europiane. Në ato momente nisi rrugë shndërrimi i Neta Arapit në një grua biznesi me përmasa e rëndësi për ekonominë e Lushnjes në vecanti.

Aty nisi specializimi i ngushtë i saj si një grua që ushtron biznes në një fushë që ajo e njeh më mirë se cdokush tjetër. Në një aktivitet me kontakte me të huaj, mosnjohja e një gjuhe mbase mund të përbëjë një dizavantash sipërfaqësor, që gjithsesi kompensohet nga femijët e saj, por Neta Arapi ka aftësinë kryesore që duhet për këtë lloj biznesi.

Ajo flet shkëlqyeshëm gjuhën e produkteve bujqësore që grumbullon e shet. Nuk i duhen më shumë se sa disa sekonda që me atësinë e saj, me përvojën që ka grumbulluar e eksperiencën që ka krijuar ajo të marrë vendim për një produkt të caktuar nëse vlen apo jo për eksport. Dhe në fund të fundit, në këtë biznes, ky është edhe celësi i suksesit. Sepse duke qenë një biznes i vështirë, reduktimi i riskut mbi bazën e një aftësie të rrallë seleksionuese është premisa dhe baza kryesore mbështetëse për sukses. Një biznes i tillë që realizohet në bashkëpunim me partnerë të huaj e ka të domosdoshme “shqisën” e dallimit të cilësisë së parë të produkteve. Sepse vetëm kështu mund të zhvillohet në mënyrë afatgjatë e me rritje nga njëri vit në tjetrin ai. Por ndërkohë, ky biznes kërkon edhe korrektesë shembullore me ata që janë furnitorët e tu. Pra fermerët e ndryshëm që dorëzojnë produktet e tyre. Neta Arapi e shpjegon me një gjuhë të thjeshtë filozofinë e kompanisë së saj. “Më shumë mërzitem, po qe se kontratorët e mi jashtë vendit ngelen të pakënaqur nga dy-tre paleta me mall, se sa të mos më nisin lekët për të gjithë sasinë e mallit”.

Kurse sa i takon detyrimeve karshi fermerëve, as që bëhet fjalë të devijojë një ditë nga marrëveshja me ta. Duke vepruar në këtë mënyrë, Neta Arapi është kthyer në një lloj magjistareje shitjesh.

Është krijuar një frymë optimiste tek fermeri lushnjar, beratas apo fierak. Ai duhet të vrasë mendjen vetëm të mbjellë e të vjelë, sepse për të shitur kanë Netën. Nëse dikush ka një prodhim cilësor për të shitur, mendja menjëherë i shkon tek Neta. Nëse Neta i bën porosi që në fillim, atëhere aq më mirë.

Dhe janë jo pak, por rreth 1500 fermerë që kanë kontakte me Netën, që asistohen nga ajo, që komunikojnë në vazhdimësi me të.

Vërtet Elian-Export ka 50 gra të punësuara, por impakti i veprimtarisë së saj është shumë herë më i gjërë. Ajo është shndërruar në një hallkë shumë të rëndësishme mes shitësit dhe blerësit të huaj. Ajo përbën një motiv shtese një arsye më shumë pse fermeri duhet të punojë e kultivojë tokën.

Pse ai duhet të prodhojë produkte cilësore. Ajo përbën një katalizator të zhvillimit të bujqësisë. Ndaj dhe ajo meritoi një grant qeveritar për ndërtimin e një magazine të re moderne, cka do ta cojë në një stad akoma më të lartë veprimtarinë e Elian-Export. Njëkohësisht, edhe kontributin e saj për ekonominë e zonës.

Suksesi i Neta Arapit, por edhe i biznesmenëve të tjerë që ushtrojnë një aktivitet të kësaj natyre certifikon gjithashtu atë që shumë të huaj pranojne: cilësinë e produkteve shqiptare.

Të ngjajshme