Holokausti i bëri romët më të fortë!

27 Janar, 2021 - 4:36 pm

Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‪”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave ‪‎të Holokaustit”.

Sot, për të rikujtuar dhe nderuar të gjithë ata që humbën jetën në Kampet e tmerrshme të Përqendrimit, KultPlus ju sjell një tekst të shkruar katër vite më parë nga gazetari Denis Galushi, që i dedikohet pikërisht kësaj dite.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Galushit.

Sot jam zgjuar më një lloj të emocionit të përzier – me dhimbje, humbje, frustrim dhe fitore. Shumë kisha dëshirë që ketë datë historike, të 27 janarit, ta përkujtoj me tregime të bukura historike e kulturore për komunitetin tim rom. Mirëpo, një gjë e tillë është e pamundur. Edhe nëse unë këtë do doja ta bëja, atëherë, kodrat, malet, pyjet, detet e oqeanet nuk do më linin rehat për heshtjen time. Këta dëshmitarë të natyrës nuk kanë forcë për të treguar ato se çfarë ka ndodhur gjatë Luftë se Dytë Botërore, mirëpo besojnë në forcën e shkrimit dhe lapsit për të cilat ai sot do të dëshmojë.

Përveç njerëzve, edhe këto pasuri natyrore ishin dëshmitarë të ngjarjeve çnjerëzore të kryera nga Adolf Hitleri me ‘’djelmoshat’’ e tij nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kampin Auschwitz, i njohur si “Kampi i Vdekjes”. Aty janë masakruar mbi dy milionë fëmijë, gra, burra e pleq për një arsye të vetme: “Ju jeni romë dhe s’keni të drejtë të jetoni”!

Nazistët kishin tubuar shumë njerëz në kampet e tyre. Vrasjet me bomba, armë zjarri, pushkatimet, mbytje me tortura… ishin bërë te zakonshme, si një lloj i “mirëmëngjesi” për nazifashistët. E gjitha kjo atyre nuk ua ngopte syrin! Ata filluan të ndërronin formën e persekutimeve, për të mos lënë gjurmë. Prandaj, filluan asgjësimin duke përdorur helmimin masiv në kampet e përqendrimit. Trupat e pajetë të fëmijëve, grave, burrave dhe të pleqve i hidhnin në furra në temperaturat e larta – për t’i djegur dhe për t’i përdorur si “ngrohje qendrore” për nazistët.

Në këto kampe u mbytën, u torturuan dhe u bënë eksperimente të gjalla në fushën medicinale. Shumë njerëz, për të mos parë këso lloj skenash, zgjodhën rrugën më të “lehtë” të ikjes duke bërë vetëvrasje.

Gjithë këto ngjarje i kanë përlotur studentët nga Kosova, të cilët para dy viteve ishin në një vizitë studimore në Poloni. Ata vizituan “Kampin e Vdekjes” ku kanë pasur mundësinë të dëgjojnë rrëfime nga njerëz të shtyrë në moshë që e mbijetuan Holokaustin. Çdo vit këto viktima përkujtohen nga delegatë të ndryshëm botërorë romë, dhe të tjerë, duke vizituar Auschwitzin. Edhe pse shumë vonë, Gjermania zyrtarisht ka pranuar këto krime – më 13 mars 1982, në kohën e kancelarit Helmut Schmidt. Kjo vonesë rezulton që sot të dihet dhe të përmendet vetëm Holokausti ndaj hebrenjve, edhe pse me miliona viktima ishin edhe nga radhë e komunitetit rom.

Sot, Holokausti ndaj romëve, ose Poraimos, është i njohur ndërkombëtarisht nga Parlamenti Evropian, ku është pranuar dhe miratuar rezoluta e 27 janarit si Dita Botërore e Holokaustit (ku këtu pranohet edhe komuniteti rom, përveç atij hebre).

E gjithë kjo që përjetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, neve romëve sot na bën krenarë. E di, ndoshta tingëllon jonormale, por fal kësaj ne sot e ndjejmë veten më të fortë, sepse nga kjo tragjedi mësuam;

1. Si duhet të ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditën me xhelozinë më të madhe, kur ajo është tentuar të zhduket nga të tjerët.

2. Si t’ju tregojmë të tjerëve se çfarë do të thotë të duash dhe të ruash gjuhën tënde – edhe pse nuk e ke një shtet (të caktuar) në botë për të jetuar.

3. Si t’ju tregojmë të tjerëve që nuk jemi së bashku në një shtet, por gjithnjë të bashkuar në një trup, shpirt dhe mendje.

4. Si t’ju tregojmë të tjerëve që jemi me miliona anembanë botës, nuk jetojmë të “izoluar” po as të kufizuar.

5. Si të mos hapim luftë dhe urrejtje në mesin e popujve, por brengat dhe hallet tona t’i adresojmë përmes këngës. Sepse çfarë do të thotë të humbasësh jetë, këtë e dimë ne mirë.

6. Si të jetojmë në paqe dhe të sakrifikohemi për të.

7. Si të ruajmë emrin tonë rom, kur ai shumë herë neglizhohet me terma pezhorativë (maxhup, cigan, cingene…) nga të tjerët.

8. Si t’u tregojmë të tjerëve që jemi minoritet në çdo vend, por me një kulturë të pasur dhe se mburremi me atë që kemi. Ndoshta shumë herë jemi ankues, por të kënaqur me atë çka na ofrohet.

9. Si t’u tregojmë të tjerëve që ne nuk bëhemi ashtu siç dëshirojnë të tjerët, por jemi ata që kemi qenë gjithmonë – romë. Përmes artit të Pablo Picasos, këngës së Elvis Preslyit e aktrimit të Charli Chaplinit.

10.Si t’u tregojmë të tjerëve “si mposhten të pamposhturit”, në këtë rast boksieri rom Tayson Fyurri – Wladimir Klitschko.

12. Si t’u tregojmë të tjerëve që himni ynë “Jelem, Jelem” këndohët nga pjesëtarët dhe komunitetet joromë.

11. Si t’u tregojmë të tjerëve që mbajtës të emrit rom mund të jenë edhe komunitete të tjera. Sepse, emri rom do të thotë “njeri” – roma, “njerëz”.

Këto që i ceka më lart, çdo pjesëtar i komunitetit rom duhet t’i mbajë në mend dhe t’i përdor si “proteina” për trupin, mendjen dhe shpirtin e tij, duke pasur gjithnjë në mendje integrimin, por kurrsesi asimilimin.

Sot shënohet 72-vjetori i Holokaustit ndaj romëve. Ky ishte një përkujtim për të gjithë ju, e sidomos për komunitetin rom. Sepse, “nëse historia e një populli harrohet, e ardhmja nuk mund të krijohet”! / KultPlus.com

Të ngjajshme