займ на карту онлайн потребительский кредит

Humbja e sërishme e atdheut

24 Mars, 2020 - 9:55 pm

Arben I. Kastrati

Kur isha fëmijë, prindërit më mësonin dhe udhëzonin të mos e pranoja Jugosllavinë, shtet timin. Të mos e pranoja Jugosllavinë, atdhe timin. Sepse ne rronim në Jugosllavi, padrejtësisht. Brenda kësaj padrejtësie, ne rronim të poshtëruar. Prandaj, unë u rrita me besimin që nuk kisha atdhe. Atdhe kisha, dhe quhej Shqipëri, por ja që në Shqipëri, jo vetëm që na ishte e ndaluar të shkonim, por na ishte e ndaluar edhe t’a shqiptonim.

Ndjenja e të jetuarit pa atdhe, përpos pakuptimësisë, sillte edhe trishtim.

Të gjitha kombet në Jugosllavi, quanin atdhe republikat e tyre, dhe Jugosllavinë. Unë e refuzoja Jugosllavinë si atdhe timin, dhe ëndërroja atdheun që nuk e kisha. Ndjenja e të qenit i paatdhe, më kishte krijuar një boshllëk brenda vetes. Ishte e padrejtë, që brenda një fëmije paatdhe, të zinte vend një ndjenjë e tillë boshllëku, në vend të përjetimit të kënaqësive ditore që zinin fëmijët e përkatësive të tjera, që ua sillnin lojërat. Ata luanin, se kishin atdhe. Ata ishin të lumtur, se kishin atdhe. Ndërsa unë, ndihesha i pambrojtur, ndihesha i frikësuar. Në ëndrrat e mia, sado patetike që mund të tringëlloj fjalia në vazhdim, atdheu ishte më i bukur se parajsa. Jo se e dija se ç ’ishte parajsa, por ishte njësi matëse që iu mundësonte njerëzve të kësaj bote, që me imagjinatën e tyre të përkufizonin vendin që ofronte kulmin e kënaqësisë, në botë tjetër. Ashtu edhe unë, do të mund të kisha atdhe vetëm në një botë tjetër, sepse në këtë botë, duke u bazuar në rrethanat që mbretëronin, as që bëhej fjalë të rronim me atdhe. Ky, ishte fati ynë…

Shumë histori tragjike përjetuam që nga ajo kohë dhe deri kur u çliruam. Liria, më dhuroi një ndjejë të munguar dhe pashpjegueshëm të mirë. Atë ndjenjë, nuk e marr tundimin ta shpjegoj. Është diç, përtej. Ndjenja, përtej, vazhdoi të më mbante përkundër shumë pakënaqësive ndër vite, deri sa e fituam atdheun, Atdheun e fituam pa shkuar në botën tjetër. Parajsën e fituam, këtu. Ky ishte fati ynë,  ishte një mrekulli…

Pavarësia, dashurinë për kombin dhe atdheun m’a konvertoi në dhimbje. Dhimbja, me kalimin e kohës, sa vinte e rritej. Ashtu siç rritej edhe ndjenja e turpit, se kisha atdhe. Zhgënjimi mori përmasa gjigande. Ky ishte fati ynë, një e vërtet, e trishtë…   

Pas zhvillimeve të fundit politike, nuk kam asnjë ndjenjë për atdheun. Asnjë. Pandjesinë për vendin ma instaluan, tanët. Tanët, ma hoqën dashurinë për atdheun. Më lanë të paatdhe, sërish. Dhe kjo ndjenjë trishtimi, sërish, me hapi një boshllëk, brenda vetes. Ky, ishte fati ynë, të udhëhiqemi nga, tanët…    

Ndjesia e të qenit i huaj, brenda asaj c’ka mbetur nga atdheu, ka kohë që më ka kapluar. Unë, nuk mundem më ta quajë atdhe këtë vend, vetëm se kam shtëpinë. Fundja, “Shtëpi quaj vendin ku mbështes kokën” thotë Tom Waits, në një nga këngët e tij. Unë kam nevojë më shumë se për shtëpi. Kam nevojë për atdhe, e atdheu, mungon.  Ashtu sikur dikur në fëmijëri, më ngelet ta ëndërroj atdheun, sërish. Ky, është fati im, s’e mbys dot trishtimin…/KultPlus.com

Të ngjajshme