Impotenca e Akademive – të tashmes, e thënë nga Jorge Luis Borges

15 Dhjetor, 2022 - 4:45 pm

Ballsor Hoxha

Është një parabolë e Jorge Luis Borges e titulluar “Ragnarok”,  në të cilën zhvillohet një masakër ndaj personave të përzgjedhur të vetë përzgjedhësve, apo saktë ndaj zotave të zgjedhur.

Borges e hapë këtë parabolë kështu:

Në ëndrrat tona (shkruan Coleridge) imazhet përfaqësojnë sensacionet të cilat ne mendojmë se ato i shkaktojnë: ne nuk ndiejmë horrorin për shkak se jemi të kërcënuar nga një sfinks; ne ëndërrojmë për një sfinks në mënyrë që të shpjegojmë horrorin të cilin e ndiejmë.”

Më tutje ai flet se si një grup i miqve të tij, pavarësisht referencave në tregim, kanë përcaktuar për të zgjedhurit e tyre një grup të njerëzve. Derisa e tërë ngjarja ndodhë në një ëndërr të tij. dhe në fund të gjithë të përzgjedhurit, pavarësisht rolit të tyre, kanë kaluar në zota. Përnjëherë në ëndrrën e Borges shfaqen revolet dhe pa një pa dy ai dhe shokët e tij i vrasin të gjithë të përzgjedhurit, që as më pak as më shumë kanë kaluar në zota.

Duke iu kthyer citatit të kësaj parabole, ajo thotë:

  • ne nuk ndiejmë tmerrin për shkak se kërcënohemi nga objekti që e shohim (sfinksi).

dhe

  • ne ëndërrojmë objektin në ëndërr që të shpjegojmë tmerrin që po e ndiejmë.

Borges e përshkallëzon parabolën e tij për zotat, duke u nisur nga një përzgjedhje krejtësisht banale dhe e parëndësishme, por e cila kalon tutje nëpër shkallë më të larta me kohë, derisa po të njëjtit të përzgjedhur kalojnë në zota. Kanë kaluar në vetë zotat.

Duke i krahasuar këto të dyja, sikur Borges na thotë që ne nuk i krijojmë zotat për shkak se kërcënohemi nga ata.

Ne i krijojmë zotat për të simbolizuar vetë ankthin dhe tmerrin të cilin po e përjetojmë.

Në pathemelushërinë post-moderne të njerëzimit asgjë nuk është origjinale dhe paradoksalisht, as burim i të tjerave dhe as vetes, të gjitha janë njerëzore, marrëveshje njerëzore, konstruksione dhe me këtë të lëvizshme dhe të bartshme, qoftë edhe të kalueshme.  

Njerëzimi është vazhdimisht në ankth që të ndalojë të tashmen në një të palëvizshme dhe të prekshme e të kalkulueshme. Për këtë kemi krijuar sistemet me të cilat qeverisemi, si në politikë, siguri, e në art. Duhet të masim njërën vepër arti ndaj tjetrës. Duhet të kalkulojmë çdo gjë, për të mbajtur të tashmen në jetët tona.

Prej këtu kemi kaluar në të përzgjedhurit e të gjitha llojeve dhe të përzgjedhur që kanë mbetur matanë zakonshmërisë sonë, dhe kanë kaluar në njerëz të paarritshëm.

Por në të vërtetë Komiteti i cilësdo fushë për vlerësimin e qoftë sigurisë apo bukurisë në një vepër arti është ankthi ynë. Dhe ky ankth është pikërisht e tashmja e komisionuar, e kalkuluar dhe e përcaktuar në një palëvizshmëri.

Janë prodhuar aq shumë çmime, vlerësime, vlera, kanone, e kulte sa që të gjitha në të vërtetë janë simboli i ankthit tonë të kalueshmërisë së kohës sonë. Ne doemos duhet të skalitim të sotmen, të tashmen tonë.

Në të vërtetë këto komisione, komitete, si Qendra Kombëtare e librit, apo vetë Akademitë tona të ashtuquajtura shkencore, janë asgjë përpos sigurim i një bote përtej asaj të të tashmes. Një premtim ndaj vetes, dhe me këtë një premtim i këtyre për ne për të ardhmen. A nuk i bën kjo zota, këto komisione e komitete, a nuk janë zotat tonë këto komisione e komitete. Me mundësi të premtojnë të ardhmen, dhe aq më shumë një botë të përtejme. Një botë tjetër, një botë pas të tashmes së arrestuar.

  • ne ëndërrojmë objektin në ëndërr që të shpjegojmë tmerrin që po e ndiejmë.

Kështu zoti, apo të përzgjedhurit tanë duke qenë vetë simbolika e tmerrit tonë që po e përjetojmë.

Ndoshta gjërat janë aq të thjeshta sa që mund të shpjegohen me një paragraf si ky i Coleridge cituar nga Borges. Ndoshta zoti është pikërisht ajo që na rri mbi kokë si simbol i tmerrit tonë. Zoti jo si tmerr por si shenjë e tmerrit në të cilin gjendemi.

Nëse zoti është referencë e qëllimit të ndërtimit të një strehe në të qenit në botë, ai është pikërisht referenca e të qenit në faj, të qenit i ‘hedhur’ në botë si dasein, i të qenit pa vetëdije, i të qenit pa ndalë, pa një fillim dhe as fund, dhe vetë paqëllimësia e simbolizuar në zot.

Kur marrim shembull gjuhën e Freud, ëndrra si kjo e Borges, është gjuhë e cila zëvendëson latencën e qarkut vicioz që e kemi krijuar me Akademinë e komisionet impotente, të cilat janë vetë ndërtimi ynë i një simbolike të ankthit. Ankthit të zhdukjes së të tashmes dhe me këtë zhdukjes sonë.

Dhe pikërisht impotenca e këtyre komisioneve dhe e Akademive tona shkencore – janë ankthi i zhbërjes së të tashmes dhe të ardhmes sonë. Ndoshta janë zhvleftësimi jo vetëm i Akademive, komisioneve e komiteteve, por i vetë të tashmes sonë. E në këtë ato shërbejnë si referencë psikike e tmerrit ku ndodhemi. Tmerrit të shpërbërjes së të vërtetës mbi të tashmen./ KultPlus.com

Të ngjajshme