Impotenca si modus ç’njerëzues 

9 Shtator, 2025 - 1:42 pm

Gent Çajani, regjisor tetovar, veprën e Miro Gavranit (Dramaturgut kroat) e kishte lexuar estetikisht në mbështetje dhe gjetje autoriale duke përdorur detaje me tendenca kreative që do ta shndërronin veprën dhe personazhin e Adolfit në sharllatan karikaturial në relacion me personazhe të ngjashme si ai.

Adolfi e përsëritë një frazë deri në fundin e tij; ‘’Ajo i ka fajet’’, që ndërlidhet fuqishëm me impotencën e njerëzve me ndikim këtu e në botë – është gjetje ideore dhe dramaturgjike që i faturohet gruas, të dashurës së Adolfit, Kristinës këtë rast, të cilën e detyron ti marr fajet e tij duke i’u nënshtruar trajtimit ç’njerëzor me emërtime paaftësie në mardhënje mes tyre por dhe metodologjisë shkencore psikanalitike të FROJDIT, me të cilat, ai dhe si ai, të ngjashmit, gruan duan që ta depersonalizojnë në personazh të serviseres – hotelieres.

Në anën tjetër, Kristina, me vetëdije dhe fakte graduale e bënë qesharak dhe morbid Adolfin gjersa ia nxjerr mbi qarqafët e ekstazisë të padukshmet e karakterit, që do të bëheshin mëpastaj sinonim i impotencës së protagonistëve me ndikim politik, të pa riparuar ndoshta dhe sot për të sotmen dhe qytetërimin. Me raste, farsa është adapt për ta fakti që i’u del hakesh atyre, duke i paraqitur shëmtitë fiziologjike dhe synimet snobe, në relacion me bindjet e tyre për artin dhe të bukurën por që janë në lidhje me figurën dhe metaforën e gruas parasegjithash (kam parasysh pikturën dhe muzikën). Qëllimisht, regjisori e degradon mitin e Hitlerit gjersa z’deshë në sy të saj dhe të publikut ligështitë e tij, njëherësh, e përballë me psikanalitikën e Frojdin, gjersa, ia demonstron të metat fiziologjike me shkumës nëpërmes një dërrase të thjeshtë të krevatit, me të cilin veprim, e bënë më tepër kundërthënës në relacion me prirjet e tij dhe me profilin e personazhit me personalitetin e deporsanilizuar.

Nisur nga titulli, ‘’Pacienti i Dr. Frojdit’’ Gavrani e komercializon shkrimtarinë e tij, i përdor personazhet me biografi kontraverse ndërsa varfërinë e veprës e arsyeton përmes zhanrit dhe materialit të farsës.

Shfaqjen e bënë intriguese regjisura, që ishte e komponuar ngushtë me lojën e aktorëve, të cilët, përveç barrës interpretaive, mbi supet e tyre dëftojnë kutin e përvojës dhe të pjekurisë skenike. Të tre aktorët, ishin në vetën e parë të performimit dhe kronologjisë së situatave që zhvillohen brenda strukturës së brumit temor dhe të dialogut në frymën e ping-pongut.

Regjisori e kishte zgjedhur Adrian Azirin, për ta dekompozuar imazhin e Hitlerit nga miti i qëndrimit dramatik; se gjëja – ai është ‘hamshor’, përkundrazi, hamshoria e një kali të tërbuar e bënë urrryes për vetveten njëherësh vrasës në relacion dhe me simbolikën e zhdukjes së fiseve indiane! Ndërkohë, them që, Adriani është aktor cilësor, krijon situata dhe mardhënje të harmonizuara, ka vetëdije në proces dhe i çon deri në fund ato, sikundër që, Muzafer Etemi, ushqen urtësinë e Frojdit dhe e shpërfaq atë me maturi në ecje, në shikim, në intonacion, në qasje, sikundër që, guximi dhe përballja e aktores Linda Shabani në skena sensitive, shfaqjen e ngritë në opiumin e zgjuarjes së kurreshtjes së publikut dhe në stadin e shfaqjeve bashkëkohore. Linda dëshmoj origjinalitet karshi fabulës dhe situatave konkrete sa komike po aq tragjike që zhvilloheshin brenda kornizës simbolike të pikturës ekspresive. Në formulimin dramaturgjik, Kristina është viktimë e aferave politike, është edhe mesazh publik meqë fatumi i saj ndërlidhet me paradoksin maskulin! Gjetjet mizanskenike vizualizonin thjeshtësi, të menaxhuara mirë, ndërsa arnimi i kubeve me kuq e zi ishte tendencë në adresë të impotencës dhe farsës së politikës shqiptare, madje, skenografia demistifikon nëntekstin e tekstit për rrethana tona. Ndër tjera, pjesa kishte shenja të dukshme regjisoriale, përfshirë dhe kolonën zanore që përkonte me mendësinë e teatrit të dhomës dhe formulës sistematike të absurdit.

Publiku dhe ambiciet e ideatorit

Salla ku po zhvillohet festivali qe e mbushur. Publiku në gjykimin tim është matës jetik në relacion me synimet e ideatorit të festivalit, fundja, imazhet e mbrojnë faturën e fjalës sime.

Dukej sheshazi që festivali ushtron pavarësi gjersa pronarët/ ideatorët nuk kanë tendenca konfliktuoze me vetveten ku do të përfshinin ambicjet e tyre personale artistike në listën proritare ku do ti shfrytëzonin flamujt e festivalit për ndonjë bonus këmbimor artistik diku tjetër. Është faturë përlavduese që i adresohet ideatorit të festivalit – aktorit, Brahim Basha, meqë po dëshmon dhe është këmbëngulës që qyteti i tij të marr primat artistik!

9 shtator 2025, Shkruan: Naser Shatrolli/ KultPlus.com

Të ngjajshme