‘Kafiqi’ – sociologjia ku ndodh lufta jonë!

25 Shtator, 2021 - 2:30 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

1.

2.

3. ‘Kafiqi’[1] – sociologjia ku ndodh lufta jonë!

‘Kafiqi’, ajo që nënkuptojmë të gjithë me këtë shprehje, është sigurisht shenja kryesore që shpërfaqë “zbulimin” e paradoksit, të çudisë dhe të padrejtësisë përbrenda vetë të vërtetës!

Si? Kafiqi ka lindur dhe vjen nga vendet Islame, aty ku ka filluar të konsumohej kafja publikisht. Si kafene. Sot ‘kafiqi’ është shenja më kundërshtuese dhe më e urryer nga e shumta e komuniteteve religjioze. Jo vetëm për shkak të alkoolit e drogave të cilat janë të pandashme nga ai, por aq më shumë për shkak të fenomeneve sociologjike bashkëkohore fuqishëm të ndërlidhura me seksualen dhe aq më shumë me homoseksualen, apo thënë shkurt me të ashtuquajturën – libertine.

Por shih çudinë e padrejtësisë së të vërtetës! Globalisht, ‘kafiqi’ është vetë ambienti ku lind edhe ekstremizmi religjioz, e edhe ekstremizmi libertin, pavarësisht kush e frekuenton, si është dizajnuar apo çka konsumohet brenda tij.

Apo, padrejtësia e kësaj të vërtete, të cilën po e jetojmë është në paradoksin se edhe duhet të – karantinizohemi – dhe edhe të përkarhim  njëri tjetrin në këtë kohë ankthi e tragjedie e rreziku për jetë nga pandemia.

Dhe, duke u kthyer në vendoren dhe rajonalen e ‘kafiqit’ sot, kjo padrejtësi e të vërtetës është pikërisht në tradhtinë: mishërimin e të huajës në shqiptaren! Apo në hedonizmin Prishtinas, sidomos, gjatë kohës së luftës në Kosovë! E që është vetë lufta në frontin e parë, pavarësisht se nuk është bërë, dhe nuk bëhet në të vërtetë, me vrasje masive e shkatërrim masiv. Por të nisemi nga fillimi!

‘Kafiq’ – ç’ është me të vërtetë? Fjalë, kulturë dhe frymë serbe?! Apo gjurmë e përvojës dhe shkëmbimit ndër – kulturor? Kafiq, sikur edhe pub, bar, e më tutje klub/club e kafe e rakisë, të gjitha janë shenja të nisura një herë në atë që njihet si “kafiteri” dhe kësaj radhe nga Franca e Parisi, e më pas e përhapur në pafund versione dhe asimilime të shijuesve dhe përvojës së kësaj sociologjie dhe kulture.

Kafiq – (me të gjitha emërimet dhe profilet e mundshme) është ndryshe në të vërtetë për të gjithë, në vendin ku e ka zanafillën, e deri tek banesat “guerrilla” në metropole gjatë kësaj kohe të pandemisë. Dhe njëjtë si në tërë botën, edhe në Prishtinë – kafiqi – e ka shtjellën (vibe dhe vetëdijen) krejtësisht unike.

Sot në Prishinë sidomos, ka shumë konflikte kulturore, shpirtërore e qoftë edhe politike lidhur me rolin, apo edhe luftën e qoftë edhe tradhtinë e ndodhur në ‘kafiq’ dhe ‘kafiqa’ të Prishtinës. Në të vërtetë ky është një prej komplekseve të rrezikshme dhe që vazhdimisht akumulon frustrim e zemërim përbrenda shoqërisë kosovare.

Por, duke u nisur nga zanafilla, në Jugosllavi lufta ishte të zgjoheshe, të vetëdijesoheshe e të krijoje qëndrimin tënd nacional dhe të përkatësisë. Kështu dhe kishte filluar, dhe ishte – lejuar – nga vetëdija jonë konservative dhe tradicionale (aq më shumë nën mekanizmin mbrojtës kolektiv) fenomeni sociologjik, apo vetë sociologjia e ‘kafiqit’. Tërë historia, vetëdija dhe shpirti kosovar është “zier”, dhe aq më shumë konfrontuar, në ‘kafiq’.


[1] Në këtë seri të shkrimeve me qëllim përdoret kjo shprehje serbe!

Apo, të përmbledhim tërë këtë në një pyetje: a mund të jetë kultura që buron dhe mbrun ‘kafiqi’ luftë? Nëse fenomeni i tërë sociologjik ‘kafiqi’ kufizohet tek seksualja dhe rakia (dhe pastaj tërë ajo që shkon pas saj), a mund të jetë kjo luftë? A mund të jenë këto dyja luftë – në liri? Dhe kafiqi – front?

‘Kafiqi’ si shprehje gjuhësore, si shpirt kulturor, si qytetari e kozmopolitanizëm, është në të vërtetë vetë kompleksi dhe paradoksi i po të njëjtave. Në të vërtetë ‘kafiqi’ që prej të qenit fjalë serbe, e tutje deri në ditët e pandemisë sot, është gjurma e represionit dhe lirisë (apo vetëm mirëqenies) në Kosovë e Prishtinë. Është gjurma e luftës dhe e tradhtisë! Është gjurma e kompleksit të bashkëkohores dhe modernes së shndërrimit të botës në një “global village” (fshat global).

Në ‘kafiq’ ka lindur lufta dhe përpjekja për liri të – zgjedhjes -; për liri të seksit; për liri të vetëdijes dhe për liri të kolektiveve e komuniteteve. Vallëzimet e para mashkull femër me – sentish -; flirtet e para; ndarjet dhe njohjet e para, etj. Me një fjalë, shkëputja nga konservatizmi, dhe hapja e shoqërisë sonë kanë pasur zanafillën dhe kanë ndodhur vetëm në ‘kafiq’.

Në ‘kafiq’ ka lindur lufta dhe përpjekja për rakinë, për dehjen dhe për eksplorimin dhe eksperimentimin e përvojës dhe të lirisë.

Në ‘kafiq’, po ashtu, ka lindur edhe sociologjia e – vetëvendosjes – dhe e fuqizimit të kolektivit tonë.

Në ‘kafiq’ është bërë një luftë krejtësisht e vërtetë pikërisht gjatë luftërave në Kosovë! / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme