Kemi dy javë që kemi hyrë në Evropë!

15 Dhjetor, 2018 - 1:22 pm

Rezart Palluqi
Holandë, dhjetor 2018

Nuk i harroj fjalët e një plaku holandez para 12 viteve. Nëpërmjet jo më shumë se njëzet fjalësh ai demonstroi forcën e një filozofie të tërë. “Im atë më thoshte shpesh: mos iu shmang përballjes me të keqen. Ikja nuk është zgjidhje por një shpëtim i përkohshëm”
Dhe plaku këtu nënkuptonte dramën që shkakton emigracioni kronik tek një vend. Si ilustrim më përmendi emigrimin e mijëra holandezëve gjatë viteve 50-60 të shekullit të kaluar.
E pikërisht ne shqiptarët i jemi shmangur përballjes me të keqen për shekuj të tërë. Nëse do t’i referohesha cerekshekullit të fundit kryefjala e tij është : “ARRATIA”.

E vetmja meritë e ajkës shqiptare është arratia. E që andej ajo ka ditur të ruajë ndërgjegjen të pastër dhe pavarësinë intelektuale. Ndërsa shtresat e tjera kanë mbajtur frymën gjallë dhe kanë jetuar më mirë se në Shqipëri. Mirëpo kjo nuk mjafton. Arratia kronike degradon për një popull në shfarosje fizike dhe intelektuale.
Mesa duket studentët shqiptarë më në fund e kuptuan këtë. Ata u derdhën nëpër rrugë sepse nuk duan tia mbathin si miliona bashkëkombasit e tyre paraardhës.

Dhe ky zhvillim më bën që të lotoj nga gëzimi. Qëndrimi i studentëve më bën të vjel një lumturi qindra herë më të madhe se c’më japin romanet që shkruaj dhe cdo lloj proteste imja që vjen prej jasht Shqipërisë.
Është hera e parë që i them vehtes: c’fati i madh që po e përjetoj këtë zgjim të vërtetë shpirtëror dhe qytetërues tek shqiptari. Kjo ka qenë ëndrra e kahershme e mijëra shqiptarëve të mëdhenj ndër shekuj. Dhe ja tek agoi kjo ditë e madhe. Bëhet fjalë për një protestë mjaft të qytetëruar. Pa dhunë. Pa mllefe të politikës dinake. Kemi të bëjmë me mijëra studentë që i thonë maskaradës së politikës shqiptare se Shqipëria nuk mund të jetë përjetësisht cifligu i juaj personal. Stuentet shqiptarë sot nuk dallojnë asnjë grimë prej studentëve evropianë. Ata po demonstrojnë një pjekuri, durim dhe qytetërim të mahnitshëm. Ndaj dhe e them me plot gojën se kemi dy javë që kemi hyrë në Evropë.

C’është Evropa moderne? S’është gjë tjetër vecse një fushë e lirë ku qytetari nëpërmjet besimit sjell në pushtet qeverinë e re dhe nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe lirisë proteston kur ky besim banalizohet në një gradë të tillë që degradon në një mashtrim/plackitje kronike. Dhe studentët shqiptarë arritën që të zgjohen edhe pse pak me vonesë për t’i treguar dhëmbët të gjithë bordit drejtues të Universiteteve dhe partive politike shqiptare që edhe i kanë përkrahur ata për ta shndërruar sistemin arsimor në një treg të zi.

Studentët themeluan traditën e protestës së vërtetë. Shqipëria do të bëhet Evropë vetëm nëse shqiptari mëson që të sjellë në pushtet në rrugë demokratike udhëheqësit e tij por që edhe t’i rrëzojë ata, fillimisht nëpërmjet protestës paqësore e më vonë deri diku dhuna justifikohet. Protesta është paradhoma që e ndan Demokracinë prej Diktaturës. Kur vdes protesta atëherë lind Diktatura.

Deri më sot pothuajse besuam se protesta jonë vdiq përfundimisht. Për fat të mirë jo. Ajo po vlon me një bukuri të rrallë. Uroj që protesta e studentëve të shndërrohet në një virus të fuqishëm tek të gjithë shqiptarët e tjerë. Evropa nuk është valixhe me miliarda euro . Evropa është mundësia për të sjellë në fron udhëheqësin më të mirë të castit dhe përzënë atë atëherë kur duhet. Nëse e kuptojmë këtë , Shqipëria do t’i afrohet gjithnjë e më shumë Demokracisë evropiane duke ruajtur dinjitetin e saj të plotë. Përndryshe arratia e mallkuar do të na ndjekë si një hije vdekjeje në cdo skutë dhe cast të jetës!

Zoti i bekoftë studentët dhe dhëntë kurajë qytetare përgjithnjë…

Të ngjajshme