займ на карту онлайн потребительский кредит

Kierkegard: E vetmja gjë që më bën të ndihem i sigurt është liria

12 Nëntor, 2019 - 9:03 am

Kierkegaard ishte një filozof i njohur danez, teolog dhe autor fetar. Ai spikat me kritikën e tij ndaj filozofëve si Hegel, Schelling dhe Friedrich Schlegel. Puna e tij filozofik në përgjithësi merret me çështjet e jetës të individit si i vetëm, duke i dhënë përparësi konkrete realitetit të njeriut mbi të menduarit abstrakt. Veprimtaria teologjike fokusohet kryesisht në etikën e krishtere dhe institucionin të Kishës. Konkretisht merret me dallimin në mes provave thjeshtë objektive të krishterimit në marrëdhënie subjektive me Jezu Krishtin. Kierkegaard ishte gjithashtu i interesuar në psikologjinë e njeriut dhe puna e tij psikologjike eksploron emocionet dhe ndjenjat e individëve dhe përballja e tij me situate të ndryshme jetësore. Veprimtaria e tij intelektuale ka një ndikim të dukshëm nga Sokrati.

Filozof i madh danez, teolog, shkrimtar, paraprijës i ekzistencializmit bashkëkohor, ushtroi një ndikim mbi shumë shkrimtarë e artistë europianë, veçanërisht tek Dostojevskij.

Ai mendonte: Ka asi insektesh që vdesin fill pas kryqëzimit seksual. Kështu dhe gëzimet tona: Çasti i kënaqësisë më të plotë- tretet bëhet fir!

Soren Aabye Kierkegard (Søren Aabye Kierkegaard) u lind më 5 maj 1813 në Kopenhagen dhe vdiq më 11 nëntor 1855. Ai shte i fundit nga shtatë fëmijët e një tregtari pëlhurash, ndër të cilët pesë vdiqën në moshë të vogël. Fëmijëria e tij u shënjua në mënyrë vendimtare nga edukimi i rreptë i krishterë i të atit, i dyfishuar nga një trishtim i thellë. Më 1830, Kierkegardi, duke iu bindur vullnetit të këtij babai nursëz, filloi të studionte teologji, por ndërkaq interesohej më shumë për filozofinë dhe letërsinë dhe shkonte shpesh te përfaqësuesit më të rëndësishëm të shoqërisë intelektuale daneze. Në vitet 1834-1835 u godit nga një krizë e rëndë – që e pagëzoi “tërmeti i madh”; bindja se mbi familjen e tij rëndonte një mallkim, e zhyti në një depresion të thellë. Ai u grind me të atin më 1837, pak kohë para vdekjes së tij, i cili i la një trashëgimi që do ti shërbente Kierkegardit që të bënte një jetë pa shumë trazime.

Ai mbaroi studimet për teologji dhe më 1840 dha provimin e fundit. Po atë vit u fejua me bukuroshen Rexhina Olsen, dhjetë vjet më e vogël se ai, por e prishi fejesën pas trembëdhjetë muajsh. Ndërkohë që kishte mbrojtur tezën, u vendos për gjashtë muaj në Berlin, për të ndjekur konferencat e Fridrih von Shelingut mbi “filozofinë e zbulimit”. Por entuziazmi fillestar për këtë filozof u kthye shpejt në zhgënjim. I kthyer në Kopenhagë, Kierkegardi filloi të jetonte aty i tërhequr nga jeta aktive dhe filloi të shkruante. Duke filluar nga viti 1842, pasuan njëra-tjetrën veprat e tij e tij kryesore filozofike, të botuara me pseudonime të ndryshme. E para Ose… Ose…, më 1843, i siguroi një sukses të atypëratyshëm. Po atë vit dolën edhe Përsëritja dhe Frikë dhe tronditje. Më 1844 pasuan Koncepti i ankthit dhe Thërrmija filozofike; më 1845, Etapa në rrugën e jetës dhe më 1846, Post-scriptum. Kierkegardi botoi paralelisht një vargme Fjalime edukuese dhe Fjalime të krishtera. I bërë gazi i qytetit, si pasojë e botimit të shumë karikaturave mbi të në gazetën Pirati, e ashpërsoi tonin e kritikave të tij ndaj njerëzve të Kopenhagës dhe të shoqërisë borgjeze në përgjithësi, duke ruajtur disa shigjeta të hidhura për Kishën dhe shtetin danez. Veprat e tij të fundit dolën më 1849 – Sëmundja vdekjeprurëse – dhe më 1850 – Shkolla e krishterimit. Në tetor 1850, Kierkegardin e zuri një sëmundje në rrugë dhe pak më vonë, më 11 nëntor, ai vdiq.

Në kohën kur Soren Kierkegardi studionte filozofinë në Kopenhagë, në vitet 1830, nëpër shkolla mbretëronte hegelianizmi zyrtar. Ai mësoi, si gjithë bashkënxënësit e tij, se shoqëria borgjeze dhe shteti i saj përbënin kulmin e historisë bashkëkohore dhe se teologjia, në marrëveshje me filozofinë, e pranonte këtë kulm të historisë së botës si shfaqje të absolutes, domethënë si teofani të mundshme. Për Kierkegardin ky hegelianizëm, pa një pa dy, ishte një skandal si për arsye të paraqitjes së tij tek absolutja, aq edhe për largimin e tij nga jeta reale. Në qoftë se Fridrih Hegeli kishte shkruar – siç do të vërente ai më pas – se sistemi i tij ishte veçse një “përvojë intelektuale falë së cilës ai kishte shmangur në shumë raste disa probleme, do të ishte mendimtari më i madh që kishte jetuar ndonjëherë. Por ai ishte veçse një hokatar.” Në të vërtetë, filozofia e Hegelit nuk do t’i shërbente për asgjë, për të vendosur personalisht dhe realisht për atë që do të trondiste ekzistencën e tij individuale. Mirëpo Kierkegardi filloi të bënte emër në Kopenhagë jo vetëm si dandy, por edhe si gazetar i shkëlqyer dhe kishte për të marrë vendime të vështira: do të krijonte një familje dhe të bëhej prift, apo kjo gjë ishte tepër e vogël, tepër meskine para përgjegjësisë që kishte për arsye të të dhënave të tij? Kur, më 1841, djaloshi mori vesh se kundërshtari i madh i Hegelit, Fridrih von Shelingu, do të jepte konferenca në Berlin mbi “filozofinë e tij të zbulimit”, në qendër të të cilit duhej të ndodhej një koncept i ri i realitetit më konkret (të paktën këtë shpresonte ai), Kierkegardi u nis menjëherë për në kryeqytetin e Prusisë. Por entuziazmi i tij ndaj Shelingut u zëvendësua me shpejtësi nga një zhgënjim i thellë, sepse edhe ai e përshkruante realitetin si rezultat i një procesi të ndërlikuar. Kierkegardi vendosi t’i kundërvinte kësaj filozofie shkencore mënyrën personale për të filozofuar, e cila nuk qe më shkencore, por letrare.

Kështu lindi Ose… ose…, një vepër hibride, që prirej sa nga romani, aq edhe nga sprova filozofike. Pjesa e parë e veprës përbëhet nga shënimet e një esteti që Kierkegardi e quan thjesht A. Përvojat që ky njeri sensual grumbullon, përfundojnë me Ditari i një mashtruesi tek i cili A ngec, sepse nuk pranon që kënaqësia e tij – që i duket se është krejt e vërteta – vazhdon përtej joshjes. Në këtë çast të udhëtimit të tij dialektik, Kierkegardi fut moralistin B. Por arsyetimet serioze të B-së nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë në vetvete të vërtetën, sepse bindjet estetike dhe morale të shoqërisë, me të cilat mburret, janë të paafta të mbështeten te vetvetja. Përderisa as A-ja dhe as B-ja nuk kanë të drejtë, do të duhej të ndiqej, sipas skemës dialektike tripjesëshe të Hegelit, “sinteza” midis sensualitetit të A-së dhe moralizmit të B-së – ose më mirë si e vërtetë fetare në të cilën sensuaiiteti dhe moralizmi do të shkriheshin që të dy dhe “do të tejkaloheshin” ( aufgehoben). Në të vërtetë, Ose… Ose… përfundoi në një perspektivë fetare, por aspak në kuptimin e një sigurie filozofike të siguruar në mënyrë sistematike: te Kierkegardi, individi nuk është përbërës formues i një zhvillimi historik që krijohet nëpërmjet domosdoshmërisë; ai është tërësisht i lirë dhe vendimet e tij nuk janë të kushtëzuara nga asgjë. Ai u nënshtrohet ligjeve të natyrës dhe të shoqërisë nëpërmjet këtyre vendimeve dhe “ekziston në kohë” për arsye të këtyre ndarjeve. Por përgjegjësia e vetë ekzistencës së tij e bën çdo vendim një barrë dërrmuese për njeriun serioz; prandaj dhe ai kërkon prehje pranë një absoluti që ekziston jashtë tij, Zoti.

Te Ose… Ose…, Kierkegardi kërkon një orientim drejt zbulimit fetar, por duke mos pranuar që mësimi i Krishtit të bëhet ndonjëherë siguri për të, sepse nuk do të jetë më i lirë. Feja mundet, por nuk duhet të jetë dogmë dhe doktrinë e besimit, me qëllim që të mbetet një rrugë që vendoset të merret. Feja i ngjan paradoksit.

Diametralisht në kundërshtim me filozofinë racionaliste të Hegelit, Kierkegardi hedh poshtë tezën se njohja është realizimi më i lartë i zellit më të madh të njeriut, se mendja vihet nën zemrën, mendimi nën jetën. Kujt i shërbejnë krijimet mendore objektive në qoftë se nuk manifestohen në jetë, nëse nuk i përvetëson subjekti? Andaj e vërtetë është diçka që ekziston vetëm lidhur me personalitetin, subjektin. Mirëpo, jo vetëm që e vërteta është subjektive, por për më tepër edhe vetë subjektiviteti është e vetmja e vërtetë. Dhe derisa mendimi objektiv është indiferent ndaj subjektit që mendon dhe ekzistencës së tij, mendimtari subjektiv si ekzistues në mendimin e vet, është qenësisht i interesuar: ai kështu ekziston. Sipas Kierkegardi, jeta kalon nëpër tri shkallë themelore, kurse zhvillimi midis tyre është hope-hope dhe jo kalim gradual. Shkalla e parë është estetike – jeta e imagjinatës, i lojës gjithmonë të përsëritur (ideali i Don Zhuanit). Shkalia e dytë është etike – njëmendësia e cila herën e parë ishte në ide përsëritet tani në akt (ideali Sokrat). Shkalla e tretë më e lartë është ajo religjioze (ideali Krisht) – jeta vihet në raport ndaj absolutës, heq dorë nga subjektiviteti i vet, e mohon veten dhe bëhet i panatyrshëm. Ky kalim në absoluten është plot vuajtje dhe dhimbje dhe ky paraqet ndryshimin e tërë jetës. Kjerkegori i paraqet këto shkallë të zhvillimit në veprën Stadet në rrugën jetësore. Pjesa e parë («In vino veritas») është gostia epsharake, e dyta «Mendime të ndryshme mbi martesën» – punim moralist rigoroz i etikanëve – «shtesa B» (që paraqitet në veprën Ose-ose). Pjesa e tretë («Fajtor? I pafajshëm? Historia e vuajtjes») paraqet pohimin se zgjidhja mund të gjendet vetëm në kapërcimin e të gjitha shkallëve të mëparshme dhe afrimin ndaj absolutes.

Sipas Kierkegardit religjioziteti ; vërtetë i individit shprehet në nocionin e «të përsëriturit». Të krishterit nuk i ndihmon kurrgjë fakti se kisha është e vjetër njëzet shekuj dhe që përjetoi ngadhnjimet e veta, ngase secili individ duhet të përsërisë me vetvete tërë përmbajtjen e besimit të vërtetë. Pa këtë rrugë vetjake të vet nuk mund të jesh religjioz, kështu që edhe fatin e Shëlbuesit secili duhet ta përsërisë në vete, rruga e të tjerëve nuk ka asnjë kuptim. «Të përsëriturit» është edhe mohim i kuptimit dhe i vlerës së jetës së jashtme, ngase pa të përsëriturit individi do të humbiste «unin» e vet, nuk do të ishte më ai që është për nga ekzistenca e vet individuale. Krishterimi në përgjithëst nuk mund të mësohet as të sqarohet, ai duhet të jetë «njoftim i ekzistencës». Besimi në krishterimin zyrtar është sipas Kjerkegorit pra qesharak, kurse njerëzit janë tejet të stërvitur, ndonëse këtë nuk e shohin, ngase kanë humbur «unin» vetjak. T’i drejtohesh perëndisë me lutjet zyrtare është njësoj qesharake sikurse kur i bën lajka gruas sipas librit të formulave, sipas normave të përcaktuara. Në vend të besimit krishterimi vuri sigurinë, në vend të gjurmimit personal, të shqetësuar dhe të pasionuar – të mësuarit përmendësh.

Veprat kryesore: Mbi nocionin e ironisë me një vështrim të përhershëm mbi Sokratin (1841); Ose-Ose 2 pjesë, 1843); Ditarët (t’ë cilat shkroi më 1833-1855); kurse i botoi Haecker në 2 vëll (1923); P Shtesa joshkencore e fundit (1846); Stadet në rrugën jetësosore” (1846).Të gjitha veprat e tij i botuan në Jenë nga viti 1909 deri 1924 H. Gottsched dhe Chr. Schempf në 12 vëllime.

 JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E SOREN KIERKEGARDIT

* Soren Kierkegardi nga viti 1830 studioi teologjinë dhe filozofinë në Kopenhagë, kurse në vitin 1841 u doktorua me tezen «Mbi nocionin e ironisë me vështrim të përhershëm të Sokratit». Pastaj shkoi në Berlin për të studiuar filozofinë te Shelingu, të cilin në fillim e adhuroi, mirëpo qysh në vitin 1842 i dëshpruar kthehet në Kopenhagë. Sipas pohimit të tij – këtu jetoi në rrethana të mira materiale, të cilat i mundësuan që tërësisht t’u kushtohet preokupimeve të veta filozofike, Sikurse Sokrati, në vendet publike dhe në sheshe të Kopenhages mësoi njerëzit mbi të vërtetën dhe mbi jetën etike, qëndronte në dyert e kishës dhe i nxiste besimtarët të mos hyjnë në kishë, duke shkaktuar mllefin e hierarkisë së lartë kishtare, por njëkohësisht – duke konsideruar se duhej ta ruante veten nga çfarëdo disponimi të publikut dhe të prestigjit – urrente «masen» dhe nuk kishte kurrfarë kontakti me lëvizjen e fuqishme shoqërore të kohës së tij. U dashurua vetëm njëherë (për çka flet shpesh në Ditarët e njohur të tij), mirëpo braktis të fejuaren e tij Regina Olsenin ngase e donte shumë dhe konsideron se nuk do të ishte e lumtur pranë tij, filozofit dhe një shpirti përherë të shqetësuar, të pakënaqur me vetën dhe botën. E braktis dhe mbetet i dashuruar në të gjatë gjithë jetës. Duke qenë në opozitë të vazhdueshme ndaj krishterimit të hershëm dhe i munduar nga luftërat e brendshme dhe problemet, rrëzohet në rrugë në vendlindjen e vet dhe vdes relativisht i ri. Rebelin dhe profetin, entuziastin e krishterë, dashnorin e dëshpëruar dhe hulumtuesin subtil të jetës, «Sokratin e Danimarkës», Soren Kjerkegorin e mallkuan prelatët kishtarë, ndërsa opinioni publik mikroborgjez e paditi si «mashtrues» të pandershëm të «Regjina Olsenit të virgjër». I zbuluar për Evropën relativisht vonë (Soren K. e quajnë sot disa edhe «baba të ekzistencializmit»), mendimi i tij thellësisht i përjetuar është, sipas vlerësimit të shumë historianëve të filozpfisë, jashtëzakonisht aktual dhe i gjallë në atmosferën e përgjithshme shpirtërore të Perëndimit bashkëkohës.

* Ekzistencializmi i Soren Kierkegardit u zbulua në shekullin XX. Martin Haidegeri pohoi se njeriu është “projektuar” tek ekzistenca ( Dasein) dhe se duhet t’i japë vetë një kuptim kësaj “Të jesh-këtu”. Zhan Pol Sartri eksploroi “gjendjet e zgjedhjes” në të cilat individi mund t’i japë llogari vetëm vetes se ç’është një veprim i vërtetë. Në fund, teologët si Karl Barth (1886-1968) nënvizuan se besimi është një vendim i individit ndaj Zotit, i pamundur për t’u mbështetur tek arsyeja.

* Sistemet e mëdha të idealizmit gjerman nuk kanë qenë aspak parimet themelore të mendimit dhe të veprimit të ngjizur nga autorët e tyre. Soren Kierkegardi vlerëson se e vetmja gjë për të cilën ndihet i sigurt është liria e tij; ajo që e lidh – gjatë çasteve të shkurtra – me botën e jashtme, janë vendimet që merr për të mbajtur diçka për të vërtetë dhe si pasojë për të vepruar.

* Te Koncepti i ankthit, Kierkegardi tregon se ç’do të thotë të kesh humbur çdo siguri filozofike, teologjike apo politike. Borgjezët e vegjël, që janë të sigurt në ato që thonë, nuk e njohin ankthin: “Sa më pak shpirt ke, aq më pak ankthe ke!” Por ai që mendon lirinë e tij, medoemos jeton në frikë. Duke pranuar ankthin, duke duruar dhimbjen e pasigurisë tërësore dhe duke hequr dorë nga çdo ngushëllim, ai e ndjen veten Krisht dhe të ngjashëm me Zotin në absolutin e vet: “Njeriu merret vesh me Zotin vetëm kur ai nuk është më asgjë.” Kierkegardi nuk jetoi gjatë. Në fund të jetës, u bë përherë e më shumë vetmitar, sepse nga njëra anë ishte ndarë me Kishën për arsye të mospranimit të çdo sigurie dogmatike, nga ana tjetër, ngaqë ishte ndarë edhe me elitën për arsye të krishterimit emfatik. Ai vdiq si njeri tërësisht i pavarur, ashtu si e donte veten. Edhe një gjë do të shtoht në mënyrë cinike: në çastin kur shteri baza e ekzistencës së tij si absolut vetmitar, domethënë pasuria e trashëguar nga i ati. /KultPlus.com

Të ngjajshme