Kraki: Simone Veil, një feministe dinjitoze

24 Maj, 2021 - 5:27 pm

Shkruan Nezir Kraki

Ja një feministe dinjitoze të cilës ia pata kushtu këtë homazh me 30.06.2017.

***

Simone Veil (1927-2017)

Homazh një gruaje të jashtzakonshme

Sot, pas 89 viteve, iu ndal rrugëtimi me të gjallët njërës ndër gratë më të angazhuara franceze dhe evropiane të shekullit XX, Simone Veil.

E deportuar me familje në kampin nazist të Auschwitz-it si 16 vjeçare, vetëm ajo dhe motra e saj arrijnë të shpëtojnë nga ekterminimi dhe kthehen në Francë pas Luftës së Dytë, pa familje dhe pa identitet. Nga ai moment, siç e ka thënë edhe vet ajo, lufta e vetme e saj do t’ishte pajtimi i popujve dhe zgjerimi i të drejtave të njeriut në një Evropë dhe një Francë të gërryera nga urrejtja njerëzore dhe mjerimi. 

Angazhimi i saj me vetmohim në politikë ishte vetëm në shërbim të kauzave fisnike që pakkush n’atë kohë kishte guxim t’i mbronte. Emri dhe imazhi i saj do mbesin të gravuara në kujtesën kolektive kur në vitin 1974, si Ministre e shëndetësisë, me nder dhe guxim, propozoi ligjin për legalizimin e abortit në Francë. Fjalimi i saj në mbrojtje të kësaj të drejte elementare për gratë, si ministre, si humaniste dhe si grua përpallë qindra burrave të eksituar nga paragjykimet, mbahet edhe sot si një ndër fjalimet më kuptimplota dhe inspiruese që janë mbajtë ndonjëherë në atë sallë. I të njejtit rang ka qenë edhe fjalimi i Robert Badinterit (minister i drejtësisë) në vitin 1981 kur u abolua denimi me vdekje.

Evropiane  e bindur dhe pacifiste e betuar, Simone Veil zgjedhet  kryetare e Parlamentit evropian ne vitin 1979.

Në vitin 2010, pas një rrugëtimi të gjatë politik dhe angazhime secil më finsnik se tjetri, ajo bëhët antare e pavdekshme e Akademisë franceze, institucionit më të lartë francez të themeluar nga Kardinali Richelieu në vitin 1635.

Në fjalën pritëse në Akademine franceze, akademiku Jean d’Ormesson, intelektual ndër më të mëdhenjtë ende në jetë sot, e kishte përshkruar me këto fjalë epizodin e tmerrshëm të deportimin në kampin nazist:

“Me 29 mars 1944, ju jeni duke e kaluar testin e maturës në Nice. Të nesërmen, me 30 mars, në dy vende të ndryshme, nga një rastesi të frikshme, babai juaj, motra juaj Milou, vëllai juaj Jean dhe vet Ju, ndaloheni nga Gjermanët.

Tetë ditë më vonë, ju arrini në Drancy (qytet francez) ku kushtet materiale dhe morale veç ishin shumë të rënda. (…) Me 13 prill, në orën 5 të mëngjesit, në stacionin hekurudhor të Bobigny, ju ngjiteni bashkë me nënën dhe motren tuaj në një vagon treni për kafshë dhe niseni per në Lindje. Me 15 prill, në mesnatë, nën britmat e ushtarëve SS, lehjeve të qenve, dritave qorruese, shkelni në rampen hyrëse të kampit Auschwitz-Birkenau. Hyni në ferr. Jeni 16 vjeçare, keni flokë të gjata të zeza, sy të kaltërt dhe jeni shumë e bukur.”

Ky pasazh e tregon si në film me sa përkushtim dhe metodë çmenduria njerëzore e fekonduar me ideologji politike e kalon një femi nga banka e shkolllës në dhomat e gazit.

Çmenduria u mund dhe më vonë u luftua me mish e me shpirt nga po ai femi që dhomat e gazit s’e treten. Ata sy të kaltërt, ato flokë të gjata dhe ajo vajzë e bukur i shërbyen njerëzimit dhe e përparuan emancipimin e gruas deri sot./ KultPlus.com

Të ngjajshme