Lehtësia, mungesa e profesionalizmit apo keqpërdorimi me repertorin e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës!?

21 Shkurt, 2019 - 9:26 pm


Robert Nuha | Master në Koreografi

Trupa e Baletit të Kosovës është i vetmi institucion buxhetor në Republikën e Kosovës në fushën e baletit profesionist. Në mungesën e një konkurrence të brendshme, si e tillë ajo ka përgjegjësine e madhe të investojë në cilësi, ide dhe qasje origjinale në ç’do produksion të repertorit të saj. Ky obligim i patjetërsueshëm ka ndikim direkt jo vetëm në kultivimin e shijeve të publikut tonë, por duhet dhe i ka mundësite e përfaqesimit dinjitoz në qendra dhe Festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Te gjithë e dimë sa e rëndësishme është të tregojmë vlera e cilësi jashtë Kosovës, duke filluar nga rajoni, Europa etj. Ky institucion, padyshim duhet dhe mundet të përfaqësojë nivele krahasuese me simotrat e saj  Ballkanase, Europiane e më gjërë.

Ky shkrim mori shkas nga 3 produksionet e fundit që janë vënë në skenën e trupës sonë të baletit nga 3 “koreografë”, që në rastin më të mirë do të quheshin fillestarë…. të cilët nuk plotësojnë as minimumin e dëshmive dhe kualiteteve  të cilat ky institucion nuk guxon ti shkelë.

Në harkun kohor të një viti, çuditerisht në mënyrë të papritur, shfaqen në skenën e koreografisë sonë jo një por tre persona të pa çertifikuar, të panjohur, pa përvojen minimale koreografike për të ndërtuar shfaqje të plota të dramaturgjisë së lartë të baletit. 

Në opinionin tim dhe të shumë profesionalistëve të fushës, që çuditerisht nuk prononcohen për media, shfaqjet “Pa mure” me koreografi të Teauta Krasniqit, “O. Taka” me koreografi e muzikë të Sinan Kajtazit, dhe së fundi shfaqja “Andërr” e Kreshnik Musollit, shenojnë pikën më të ulët të krijimtarisë koreografike në Kosovë. Ne këto shfaqje reflektohet niveli gati amator i këtyre “krijuesve”, bie në sy mungesa e ideve, varfëria e gjuhës koreografike, qasjet e vjetëruara, mugesa e një  koncepti të qartë, si dhe mosqëllimi i qasjes së tematikave përkatëse. 

Sigurisht për të bërë një analizë profesionale të këtyre shfaqjeve (nuk e di nese do t’ja vlente) nuk do të mjaftonte një shkrim si ky, qëllimi i të cilit nuk është thjesht dhe vetëm analiza e tyre.

Nga ana tjetër duhet përmendur se kjo trupë e rikrijuar pas lufte, pati shënuar disa suksese të rëndësishme nëpermjet realizimit të krijimeve koreografike cilësore dhe kompetitive. Këtu do të përmendja shfaqjet “Aty ku bie drita” me koreografi të Antonio Pio Fini, “Performancë” me koreografi të Gjergj Prevazit, “Friendly Fire” me koreografi të Arthur Kuggeleyn, “Rikompozim” me koreografi të Christophe Beranger & Jonathan Pranlas-Descours etj. Këto shfaqje kanë qenë jo vetëm të sukseshme, por në njëfarë mënyre kanë treguar edhe kapacitetet më të mira të trupës sonë. Ato kanë mundur të jenë modele se si do të qasej repertori i trupës së Baletit Kombetar të Kosovës. Në menyrë të pabesueshme, këto arritje nuk i kanë shërbyer drejtuesve të këtij insitucioni, por situata me repertorin ka pësuar një rënie të lirë për të cilën ndjehem realisht i keqardhur.  

Pyetja që shtrohet është se kush janë arësyet profesionale që kanë shtyrë drejtuesit e këtij insitucioni në këtë vendimarrje? Kush janë përgjegjesit që paratë e taksapaguesve kosovarë të shkojnë për autorë që nuk kanë asnjë çertifikatë zyrtare për të ushtruar profesionin e koreografit? A janë të diplomuar këta persona në fushën e koreografise? A kanë këta një experiencë të mjaftueshme dhe të çertifikuar nga istitucione të specializuara kombëtare apo ndërkombëtare (stages, konkurse, festivale, eksperienca krijuese me trupa apo individë të tjerë brenda dhe  jashtë trupës së Baletit të Kosovës)  të paktën në  miniaturën koreografike (solo, duo, trio, koreografi të shkurtra)? A kanë dhënë këta garancinë mimimale të “suksesit” të shumëpritur? A kanë dhënë këta prova të mjaftueshme për t’i besuar jo pak por tre produksione të mëdha që financohen direkt dhe vetëm nga buxheti I Ministrisë së Kulturës? A ka analiza të specializuara të këtyre produksioneve, dhe a ka pasur një reflektim për nivelin e dobët krijues?

Nga ana tjeter a nuk është ky një shembull negativ që zhvlerëson dëshirën për shkollim në nivel universitar të talentëve kosovarë. A dekurajon kjo politikë repertori ata persona që sakrifikojnë mjete, kohë e vullnet për të investuar neë përvetësimin e njohurive të thella artistike e profesionale ne fushën e koreografise? Pse kaq e lehtë qenka të transformohesh nga balerin në koreograf pa diplomën perkatëse? Natyrisht që një diplomë nuk të bën automatikisht koreograf apo krijues me vlera. Po ajo është dëshmia minimale e një profesionisti, është garancia institucionale më e besueshme.

Këto janë pyetje retorike, që kanë si synim të zgjojnë interesin e vetë trupes në radhe të parë, së dyti të Ministrisë së Kulturës, të komunitetit artistik dhe padyshim të opinonit publik në përgjithesi.

Do të mjaftonin çeshtjet e ngritura më lart për të parë e reflektuar se si orientohet dhe aplikohet profesionalizmi në fushën e koreografisë dhe baletit në Kosovë, si dhe për ç’farë shkojnë mjetet tona buxhetore. Por fatkeqësisht problemi nuk mbyllet këtu.

Në dijeninë time z. Sinan Kajtazi, (momentalisht ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të Kosovës) në kohën kur është marrë vendimi për të realizuar shfaqjen “O.Taka” si koreograf dhe kompozitor, ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues (për t’u verifikuar). Nëse do të ishte kështu, a është ky një konflikt i pastër intersi? A do të zgjonte ky rast interesimin e Agjensisë Kundër Korrupsionit. Dhe së fundi, a ka raste të ngjashme me institucione të tjera në varësi nga Ministria e Kultures së Kosovës si p.sh. në Teatrin Kombëtar apo në Ansambiln “Shota”ku një anëtar, apo më keq akoma, një kryetar i Keshillit Drejtues do të firmoste e vuloste një shfaqje për vetën e tij?

Në opinionin tim por edhe të shumë kolegëve, Baleti Kombëtar i Kosovës është transformuar në një “Bunker”, ku vendimarrja është atribut I vetëm një grupi njerëzish brenda një rrethi vicioz, duke moslejuar përfshirjen e profesionistëve të tjerë, sado të rinj, të aftë apo të diplomuar të jenë. Pra kjo situatë  duket më teper si një klan interesash të vogla e të ngushta, që nuk përfaqesojnë interesin e madh publik e shoqëror në drejtim të vlerave më të mira artistike e më perfaqesuese të Republikës së Kosovës.  A do të vazhdohet akoma kështu?

Sigurisht pa harruar traditën dhe arritjet e mëparshme, Baleti Kombëtar i Kosovës, dhe në përgjithësi koreografia kosovare ka nevojë për t’u hapur më tej, ka nevojë për më shumë bashkëpunime me profesionistë shqiptarë e të huaj, ka nevojë për një drejtim më profesional e më efikas.

(Ky opinion, dhe opinionet tjera në KultPlus, nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë së KultPlusit)

Të ngjajshme