Liria të mendosh dhe të shkruash

8 Gusht, 2021 - 9:03 am

Komunikime

Ibrahim Berisha

Problemi, prandaj mbetet përherë i diskutueshëm pse realitetet e njëjta, të vërtetat e njëjta, shkruhen si realitete të ndryshme, të vërteta të ndryshme.  Mbasi bëhet fjalë për një proces logjik, kuptohet thellësisht subjektiv, apo për një proces të subjektivizmit të objektives, atëherë arsyeja dhe emocionet personale, mund të kenë ndikimin specifik, për të bërë të dallueshëm një lajm nga tjetri, megjithëse bëhet fjalë për të ndodhurën e njëjtë, pra në kohë dhe hapësirë dhe me indikatorë të  njëjtë.

Shkrimtarët  dhe gazetarët e rinj bashkëjetojnë me dilemën se cili është raporti ndërmjet etikës dhe profesionales. Nëse janë të pajtueshme apo përjashtojnë njëra-tjetrën. Mund, një rrëfim të jetë etik dhe të mos jetë profesional (kjo vlen edhe për shkrimin letrar), dhe e kundërta, mund një rrëfim të jetë profesional po të mos përmbajë standardin minimal etik? Apo, vërtetë është ashtu siç thuhet aq shpesh: të jetë gazetaria bashkëkohore krijimtaria që bashkon etikën dhe profesionalen, në këtë rast, edhe estetiken.

Çfarë në të vërtetë përmban një rrëfim që të mund të vlerësohet me etikë? Publikja, posaçërisht ajo mediale, kërkohet të përmbajë fakte të vërteta, të verifikueshme edhe për një kureshtar. Pra, megjithëse nuk kemi të bëjmë plotësisht me metoda të shkencave ekzakte, për të mundur që përmes provës dhe rrugës së njëjtë të mbërrihet te rezultati i përsëritur saktësisht njësoj, edhe në gazetari, si një “fushë shkencash sociale”, të vërtetat, sa do që janë difuzive, ato do të duhej të provoheshin edhe nga vrojtues dhe shkrues të tjerë, për t’u besuar si të vërteta. Problemi, prandaj mbetet përherë i diskutueshëm pse realitetet e njëjta, të vërtetat e njëjta, shkruhen si realitete të ndryshme, të vërteta të ndryshme.  Mbasi bëhet fjalë për një proces logjik, kuptohet thellësisht subjektiv, apo për një proces të subjektivizmit të objektives, atëherë arsyeja dhe emocionet personale, mund të kenë ndikimin specifik, për të bërë të dallueshëm një lajm nga tjetri, megjithëse bëhet fjalë për të ndodhurën e njëjtë, pra në kohë dhe hapësirë dhe me indikatorë të  njëjtë.

Më efektive duket përpjekja e thjeshtësuar e shkruesit për të përcaktuar nëse diç është apo nuk është etike në tregimin e tij. Kjo matje vlerash, pjestohet përmes një procesi matematikor; është e mirë apo e keqe ajo që ka ndodhur, është shumë e mirë apo shumë e keqe; pastaj është e drejtë ajo që ka ndodhur; është e padrejtë kjo që ka ndodhur, është e ndershme kjo që ka ndodhur, është e pandershme, dhe ka plot vlera morale që, në një ndeshje subjektive, do të përcaktojnë standardin etik të një zhanri gazetaresk. Nëse fare ia  vlen që ai të bëhet pjesë e konsumit të përgjithshëm të një publiku të paracaktuar apo edhe papërcaktuar.

Mbasi zakonisht dilemat nuk kanë të përfunduar në qasjet etike në gazetari, prapë një e tillë paraqitet kur diskutohet për një të vërtetë që mund të mos jetë e drejtë, që mund të jetë e dëmshme për publikun. Njëkohësisht një e vërtetë mund të mos jetë e ndershme. Apo një e padrejtë mund të jetë e “ndershme”. Dilemat etike, sikurse dhe vetë vlerat, normat dhe gjykimet, po edhe sanksionet, janë pjesë e përhershme e punës së gazetarit. Prandaj, forca profesionale e një gazetari, është e kushtëzuar edhe nga koherenca e tij psiko-emocionale. Nëse gazetari merr përgjegjësinë plotësisht për atë që krijon, duke mos tentuar, të gjejë alibi për dilemat etike dhe profesionale. Në këtë rast, gazetari që vet merr përsipër përgjegjësinë për përmbajtjet e krijuara mediale, ndërton identitetin etik dhe profesional, ndryshe, krijon mundësinë të identifikohet me egon e tij personale. Të tillë gazetarë, respektojnë standardet më të larta etike dhe profesionale, duke vuajtur jo rrallë pasojën e qëndrueshmërisë dhe të vetëbesimit. Pa këto dy vlera, gazetari nuk mbërrin të influencojnë  në krijimin e besimit tek publiku, që është edhe agjens kryesor i vlerësimit të standardit etik dhe profesional të gazetarit dhe të medies.

Gjuha e urrejtjes është e pranishme, në mënyrë të sistemuar apo rastësisht, jo vetëm në shtetet në tranzicion, në shtetet e botës së tretë, por edhe në vendet e zhvilluara, me demokraci të konsoliduar. Fushatat zgjedhore në vendet evropiane, Austri, Holandë, Francë, Greqi, etj., kanë dhënë mjaft mesazhe dramatike përmes gjuhës së urrejtjes, gjuhë kjo edhe e partive nacionaliste. Liderët e ultra të djathtës në këto vende, kanë kërcënuar hapur emigrantët, po edhe kategori të grupeve apo gjithë grupet sociale të margjinalizuara. Kjo urrejtje përfshin jo pak njerëz nëse shihet më kujdesshëm se ku mund të prek ajo ( raca,  nacionalitete dhe etni, religjion, gjini, orientimi seksual,  mendimi politik dhe qëndrime të ndryshme, prejardhje  shoqërore, cilësitë ndryshme personale).

Gjuha dhe mendimi prodhojnë efekte negative, dhe ato janë parë fare mirë në një marrëdhënie interaktive nga shkrimtari George Orvell. Ai shkruante : “Në qoftë se mendimet e prishin gjuhën, gjuha po ashtu mund të prishë mendimet”. Gjuha e urrejtjes, e cila në nëntekst përmban referenca racizmi dhe forma tjera të presionit johuman,  përkufizohet përherë si kërcënuese e paqes publike, dhe ikën kundrejt parimeve qytetëruese për të ndërtuar paqen  publike. Paqja dhe toleranca të cilat inspirohen nga e vërteta janë agjensë ndikues thelbësor nëse  një shoqëri do të funksionojë brenda kufijve të lirisë dhe të sistemit demokratik.  Në demokracitë e zhvilluara, shpjegon Çomski, populli në mënyrë më efektive mund të kontrollohet nëpërmjet kontrollimit të mendimeve. Masmediet, sipas tij, shërbejnë si një sistem për komunikimin e mesazheve dhe simboleve ndaj popullatës së përgjithshme.  Çomski thotë se shteti do të kishte dashur që të kontrollonte mendjet tona, për qëllimet e saj në politikën që zbaton. “Por, në shoqëritë demokratike nuk mund të veprohet në atë mënyrë sepse shteti nuk mund të kontrollojë sjelljen tonë duke përdorur forcën. Mundet deri në njëfarë kufiri, por mundësitë e kontrollit të dhunshëm janë të kufizuara. Prandaj mëton të kontrollojë mendimet tona”.

Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interesin publik dhe të cilat qytetari duhet t’i dijë mbasi sjell gjykime për to mbështetur në fakte, duhet të zhvillohen debat publike, artikulime të opinioneve, nisur nga ato artistike, kulturore, publike përgjithësisht. Cila është në këtë kontekst  sfera e interesit publik dhe cila jo është vështirë të përcaktohet dhe më shumë kjo është çështje e krijuesve  që shkruajnë për to se sa i vetë asaj që shkruhet në ligje. Këtu mund të flitet për mundësinë e keqpërdrimit të pozitës së redaktorit, shkrimtarit, gazetarit dhe mosdefinimi i qartë i tij ndërmjet publikes dhe privates. Mund të bëhet fjalë për keqpërdorim nëse preket në jetën private të personit (personalitetit). Për këtë shkak ekzistojnë një varg normash që rregullojnë këtë çështje dhe përcaktojnë se deri në ç’masë mund të jetë interes i botimeve, radios, shtypit etj., jeta private e qytetarit. Po edhe e zyrtarit. Por, këtu duhet ndarë çështjet nga censura, ngase atëherë kemi të bëjmë më kufizimin e lirisë së mendimit. Mund t’i referohemi mendimit të Karl Jaspers kur  shkruan: ”Është e diskutueshme nëse në liri realizohen të vërtetat. Një është e sigurt, në shoqëritë me censurë, e vërteta, do të jetë e shtrembëruar”.

Vetëm në publikun ku funksionon mendimi i lirë, individi i lirë, mund të ketë krijim të lirë të mendimit dhe të shprehjes së opinioneve publike. E provuar është se demokracia dhe liria e mendimit janë dy çështje të të njëjtës medalje. Demokracia për nga natyra e të qenit (qeverisje) jeton dhe ushqehet nga mendimet e ndryshme. Për këtë arsye, kësaj forme të qeverisjes i nevojitet shumë krijimi i një klime të mirë sociale, e cila mundëson që të zhvillohen diskutime publike dhe ato të jenë racionale, të argumentuara dhe prore të mundshme për t’u kritikuar.

Funksioni i kontrollit, pastaj bartet në gjithë publikun në të cilin zhvillohet procesi i krijimit të mendimit, përkatësisht të opinionit publik. Publikja në këtë kontekst do të thotë që secili qytetar mund të marrë pjesë në krijimin e opinionit publik dhe gjithë procesi nuk zhvillohet në ndonjë hapësirë të vogël, të kontrolluar apo edhe të  mbyllur.

Konsumuesit lexues apo dëgjues, t ‘i krijohet shansi që mbështetur në dijet dhe informatat që ka të kontribuojë në procesin e krijimit të mendimit publik. Po kështu, koncepti “opinion publik” në vete përmban faktin se mendimi publik ka të bëjë me publiken, dhe jo me gjëra private. Kështu fenomenit publik i përkasin të gjithë qytetarët, të cilët mendojnë dhe flasin për bashkësinë në të cilën jetojnë në mënyrë që mendimet e tyre t’i formësojnë në përmbajtje të kritikës, refuzimit, propozimeve dhe pajtimit, të cilat edhe shprehen publikisht dhe ndikojnë në mendimin publik, opinion publik./ KultPlus.com

Të ngjajshme