Lopët e Sislej Xhafës, lopët e Zvicrës dhe lopët e protestuesve të Kosovës

25 Korrik, 2018 - 4:37 pm

“Love you without knowing” ka përfshirë gjithë këtë “rrëmujë” mediatike që në shqip do të thotë “Ju dua pa e ditur”, që në fakt, Sislej Xhafa e di saktë që na do duke e ditur.

Shkruan: Ardianë Pajaziti

“Lopët e para zvicerane fluturuan në Kosovë”, ky ishte njëri ndër titujt e shumtë të artikujve në mediet zvicerane për kampanjën “Lopët për Kosovën” në shtatorin e vitit 1999, kur zviceranët ndihmuan Kosovën me rritjen e bagëtisë së shkatërruar nga lufta, dhe në të njëjtën kohë të furnizonin popullatën me qumsht. Zvicra në atë kohë për këtë kampanjë kishte ndarë 2 milionë franga për lopët zvicerane, të cilat për në Kosovë ishin sjellë me aeroplanë.

500 krerë lopë ishin përcjellë me vëmendje të madhe nga mediet zvicerane, ku udhëtimi i tyre me aeroplanë ishte në vëmendjen e institucioneve qysh nga koha e ngarkimit të lopëve në aeroplanë, e deri te aterimi në Kosovë, udhëtim që kishte zgjatur për dy orë.

Dhe qysh në vitin 1999, furnizimi i Kosovës me lopë të Zvicrës kishte ngacmuar edhe artistin Sislej Xhafa, i cili për gati njëzetë vite kishte punuar që të bëjë një vepër arti me lopët.

Që të bënte një vepër arti me lopë, zemra i rrihte që ta realizonte me Zvicrën, me vendin që i fali Kosovës 500 krerë lopë. Gati 20 vite më parë, kishin udhëtuar 500 lopë në drejtim të Kosovës, kurse tashti, ai dëshironte që tetë sosh ti dërgonte në drejtim të Zvicrës. “Lopët e Kosovës do ti takonin të afërmit e tyre në Zvicër”, ishte njëri nga shpjegimet e Xhafës, në një takim të hapur në Kosovë.
Mirëpo, dërgimi i lopëve të Kosovës nuk kishte thelbin që ato lopë ti takonin lopët e Zvicrës, por mesazhi i Sislej Xhafës ishte te falenderimi, që si një artist kosovar të falenderonte Zvicrën, pikërisht nëpërmjet këtij projekti artistik, që ky shtet helvetik ndihmoi vendin e tij të shkatërruar nga lufta.

Kostoja e lartë e udhëtimit të lopëve të Kosovës në drejtim të Zvicrës ka bërë që ky projekt mos të aprovohet si i plotë, pasi që, zviceranët kërkuan që lopët të huazoheshin nga ndonjë fermë e Zvicrës. Por Sislej nuk e konsideroi këtë projekt të kompletuar nëse lopët do të vinin nga një vend tjetër dhe jo nga Kosova, zemra e tij nuk ishte e plotë që projekti i tij “Love you without knowing” të bëhej pa lopët e Kosovës. Se vetëm me lopët e Kosovës do ti tregonte botës se si kosovarët janë kujdesur kaq mirë për këto kafshë.

Dhe tetë lopë Kosove, ka disa javë që janë vendosur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të cilat janë pjesë e projektit të Sislej Xhafa, vepër artistike që është përcjellë me shumë zhurmë në Kosovë.
Aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve tashmë kanë mbajtur edhe një protestë, me mendimin se lopët janë duke u keqtrajtuar dhe disa nga pankartat që kanë përdorur në këtë protestë ishin ‘Vuajtja nuk është ART’, ‘ Galeria e Ahrit’, ‘Kafshët nuk i durojnë zhurmat e qytetit’ sikurse që kanë deklaruar edhe atë se: Ne nuk jemi kritikë të artit, nuk na intereson arti dhe as shija e Xhafës apo artistëve tjerë.

Të gjitha këto reagime kanë ardhur si rezultat i asaj se sipas tyre lopët nuk kanë kushte të mira brenda Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Dhe, përderisa dashuria ndaj kafshëve në Kosovë dihet që është mjaftë e vonuar, mbrojtësit e të drejtave të kafshëve në Kosovë po dalin që i duan kafshët më shumë se sa zviceranët, të cilët, për të ndihmuar këtë vend, për të ushqyer këtë vend, për ta rimëkëmbë këtë vend, sakrifikuan 500 krerë lopë të Zvicrës dhe i futën në aeroplan, i “terrorizuan” me zhurmën e aeroplanit, me aterimin dhe me sjelljen e 500 lopëve në një vend të shkatërruar nga lufta, pa ushqim të mirë për nejrëzit e lëre më për kafshët, pa mirëmabtje e pa kujdesë të mirë, për t’ia sjellë Kosovës (të cilët, disa prej tyre nuk i kanë ruajtur por i kanë prerë për mish) , për të rritur gjenerata të shumta, prej të cilëve, sot dalin edhe protestojnë për lopët, të cilat kanë këtë ndërlidhje kohore, pothujase 20 vite më parë, e që ka vetëm një mesazh, falënderues për shtetet që e bënë Kosovën.

Dhe këta protestues do të faleshin nëse nuk e njohin artin, sepse jo të gjithë janë artistë, por nuk mund të falen që të njëjtit të mos dinë tmerret e luftës, që me ndihmën e këtyre lopëve, me erën e bajgave dhe të ahurit, sot arrijnë të pispillosur deri edhe te një ekspozitë. Sepse, Sislej Xhafa me këtë ekspozitë na kujtoi ku ishim para 20 viteve, me mënyrën se si u ushqyem, se si mbijetuam dhe se nuk harrojmë të jemi falenderues. Sepse, Sislej Xhafa gjithmonë kthehet te rrënjët.

Dhe këtë ekpzoitë e solli në mënyrë solmene, po aq solemne sikurse para pothuaj 20 viteve kur ateruan 500 lopët zvicerane në Kosovë, vetëm se tashti dallimi është shumë i madh. Si të uritur që ishim në vitin 1999, lopët janë mirëpritur shumë mirë për shtimin e bagëtive për familjet në nevojë, kurse tashti, si elegantë që jemi, na pengon era e bajgave në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Sislej Xhafa është i njohur për shkaktimin e rrëmujave. Ekspozita e tij është hapur tash e disa javë dhe zhurma mbi këtë ekspozitë po vazhdon ende, nëse do të ishte ndryshe, nuk do ti pëlqente as Sislej Xhafës. Sislej Xhafa një rrëmujë të tillë kishte shkaktuar edhe në Bienalen e Venedikut. Në vitin 1997, atëherë kur Shqipëria nuk kishte Pavijon në Bienalen e Venedikut, artisti kosovar kishte krijuar “Pavijonin Klandestin”, i cili me një fanellë të kuqe e me një top, kundërshtonte qasjen e Bienales për artistët e “botës së tretë”.

E përderisa vazhdon kjo zhurmë për lopët, për keqtrajtimin e tyre, për erën e bajgave në Galerinë Kombëtare të Kosovës, për koston e lartë të këtij projekti artistik, Sislej Xhafa po brenda projektit “Love you without knowing” arriti të fusë maskat brenda Parlamentit të Kosovës. Ai këtë performancë e ka përshkruar më shumë me kujtimin e paraqitjes së parë të UÇK-së, mbi të cilën edhe i është dhënë leja që të futej në Parlament, se ndryshe leja nuk do ti ipej për mesazhin e vërtetë të kësaj performance. Maskat kishin një adresim tjetër, pikërisht institucionin brenda të cilit u mbajt edhe kjo performancë. “Love you without knowing” ka përfshirë gjithë këtë “rrëmujë” mediatike që në shqip do të thotë “Ju dua pa e ditur”, që në fakt, Sislej Xhafa e di saktë që na do duke e ditur./KultPlus.com

Të ngjajshme