Marrëdhënia sentimentale baba-bir, mes urisë dhe mjerimit në romanin “Rruga”

29 Tetor, 2019 - 10:25 am

Nga: Bujar Meholli

Romani Rruga i autorit amerikan Cormac McCarthy, i përket zhanrit post-apokaliptik në të cilin shfaqet historia e një babai dhe birit të tij, teksa përpiqen të arrijnë në Jug.

Gjatë udhëtimit ata përballen me sfida si uria dhe kërcënimi i vazhdueshëm nga të mbijetuarit e katastrofës (së panjohur), kanibalët e vrasësit. Vendosja e ngjarjes bëhet në një botë të shkatërruar krejtësisht, porse nuk përshkruhet se si ka ndodhur ky shkatërrim, nga ndonjë kataklizëm, apo tërmet i fuqishëm? Pikërisht për këtë arsye, romani lë shumë mundësi interpretimi.

Në mesin e kësaj gjendjeje babai dhe i biri, të cilëve u vishet epiteti “të mirët” nisin këtë udhëtim me shumë mund për në destinacionin të cilin nuk e arrijnë.

Marrëdhënia sentimentale mes babait dhe djalit nuk do të jetë e mjaftueshme për të ofruar shpresë për një të ardhme të mirë. Në kapitullin e parë kur ata nisin udhëtimin, përreth tyre është një botë e lënë pas dore, në të cilën gjërat ose janë zhdukur ose janë lënë në harresë. Vendi nuk përcaktohet, megjithëse krijon aludime.

Romani del si produkt letrar që sfidon nevojën për kuptim dhe në planin gjithëpërfshirës shfaq idenë se gjithçka, eventualisht, do të jetë më mirë.

Bota post-apokaliptike në romanin Rruga qëndron në mes të kaluarës dhe së ardhmes. Fillimi i historisë së dy personazheve kryesore nis pa kohë të saktë; babai mendon se janë në muajin tetor, por megjithatë nuk është i sigurtë. Pra, koha ka humbur kuptimin e saj dhe është jashtë funksionit, kalendarët mungojnë.

Vendosja e ngjarjeve është bërë në një botë të shkatërruar nga ndonjë kataklizëm. Mjerimi në të cilin ndodhen paraqitet që në kapitullin e parë nga narratori i gjithëdijshëm:

Kur zgjohej në mes të pyllit, në terrin dhe të ftohtin e natës, zgjaste dorën dhe prekte djalin që flinte pranë tij. Net më të zeza se nata dhe ditë përherë e më bojë hiri. Si fillimi i një glaukome të ftohtë që mjegullonte botën. Dora e tij çohej e ulej butësisht pas çdo frymëmarrjeje të çmueshme.[1]

Pra, një botë humb, shpërfytyrohet, por një botë e re nuk shfaqet.

Për këtë studiuesja e kulturës apokaliptike Teresa Heffernan, shprehet se apokaliptika është shumë e rëndësishme për letërsinë postmoderne: “Bota e tanishme është portretizuar si e lodhur, e njëkohësisht nuk ka botë tjetër më të mirë që zëvendëson”[2]

Peizazhi përreth babait dhe djalit është krejt i zymtë, shtëpitë e braktisura, rrugët e vetmuara. Çdo gjë është venitur, ka humbur shkëlqimin. Kjo botë e paraqitur në roman, nuk jep premisa për rimëkëmbje apo fillim të një jete të re. “Erërat e zymta” janë simbol i humbjes së progresit. 

Rrugë, bota nuk mundëson të ardhmen që do ta sillte ndryshimin; bota post-apokaliptike projekton një realitet të njëjtë, me zymtësi në vazhdimësi dhe shkretim.

Rruga

Historia e dy personazheve kryesore nis dhe përfundon në rrugë. Ata përpiqen në vazhdimësi për të arritur në Jug, por vështirësitë janë të mëdha dhe rreziku çdoherë i pranishëm. Dialogët mes babait dhe të birit janë të shpeshtë; një botë gri rreth tyre, e zymtë, e pajetë, ofron mundësi për shumë interpretime. Ky portretizim i shkretimit absolut, është fakt që të jetosh është dënim, siç thotë filozofi frëng i ekzistencializmit Zhan-Pol Sartri.

Fiksioni post-apokaliptik mund të ndahet në kategori të ndryshme. Në përfundimin pozitiv kemi të bëjmë me utopinë post-apokaliptike, derisa në sensin negativ me distopinë post-apokaliptike. Te Rruga kemi të bëjmë me të dytën, pra me distopinë post-apokaliptike ku hidhet ideja se njerëzimi është fundosur.  

Në një vend ku ka jetë ka edhe shpresë, por këtu ato shuhen, nuk mbetet asgjë dhe koha ndalet. Në spektrin religjioz, apokalipsi përbën një ngjarje të llahtarshme, e cila përgatitet nga Perëndia për personat që s’i përmbahen konditave dhe në fund përfundojnë aty, të dënuar. Apokalipsi në romanin e McCarthy-t, qëndron në mes religjionit dhe jetës tokësore.

Errësira ku zgjohej netëve, ishte qorre dhe e padepërtueshme. Një zezim sa të dhembnin veshët ta dëgjoje. Shpesh i duhej të ngritej. Asnjë zë përveç erës në pemët cullake dhe të nxira. U ngrit dhe qëndroi aty duke u shalakatur në atë terr të ftohtë akustik me krahët hapur për të mbajtur ekuilibrin teksa llogaritjet vestibulare në kafkën e tij prodhonin rezultate.

U deshën dy ditë për ta kapërcyer atë kore toke të shkrumbuar. Më tutje rruga ngarendte përgjatë një kreshte, ku pyjet e thara rrëzoheshin nga të dyja anët. Po bie borë, tha fëmija. Ai vështroi qiellin. Një flok i vetëm gri, që u tret ngadalë. E mori në dorë dhe e pa tek zhbëhej si të ishte hordhia e fundit e krishterimit.[3]

Bota në të cilën jetojnë protagonistët e romanit, mund të interpretohet si një lloj ferri, apo dhe purgatori. E gjithë rruga që ata bëjnë, ka formën e një udhëtimi shpirtëror që në fund të fundit shtron pyetjet, ku dhe çfarë mund të arrihet? – në një botë të heshtur, të shkretuar dhe pa perëndi sipër.

Protagonistët e vuajnë çdo moment të ditës në atë jetë, krejt kjo si rezultat i tmerrit në të cilin ata gjenden dhe përpiqen të jetojnë duke rrëmuar për pak ushqim, pije, e për t’i ikur përkeqësimit të motit. Vazhdimisht në roman, është babai ai i cili ia tregon dhe përkujton të birit se janë prej “të mirëve”, kjo vetëdije ka rëndësi të madhe për ato dy krijesa në një botë të tillë.

Puna ime është të kujdesem për ty. Ma ka caktuar Zoti këtë detyrë. Do të vras këdo që të prek ty. E kupton?

Po.

Pas pak, ai vështroi lart. A jemi prapë ne të mirët? tha ai.

Po. Ne do të jemi ende të mirë.

Dhe do të jemi gjithmonë.

Po. Do të jemi gjithmonë.

Mirë[4]

Besimi se ata janë “të mirë”, i mban gjallë në qëllimin e tyre gjatë udhëtimit. Vlerat që posedojnë si karaktere, i ruajnë me xhelozi. I ati është një person i pafajshëm dhe i gatshëm për gjithçka kur është në pyetje biri i tij; e rëndësishme për të është vetëm djali të mbetet gjallë.

Në një botë të tillë në të cilën gjenden, është e vështirë të ketë ndëshkim apo spastrim hyjnor; çfarë ndëshkimi mund t’i bëhet një gabimi që nuk ka ndodhur kurrë? Si të pastrohet diçka, që veçse është e pastër?

Nëse e shohim nga aspekti fetar, babai dhe djali nuk janë vendosur rastësisht aty dhe Perëndia këtë e ka bërë me arsye, me një qëllim e që s’është i keq sepse perëndia nuk është keqdashëse.

Figura e djalit nga ky interpretim, mund të merret si provë hyjnore. Duke e parë në këtë sens, djali i vendosur në një ferr të tillë, do të duhej të ishte më i fortë dhe i vendosur për të mbijetuar sepse vullneti i tij nuk duhej të binte në asnjë çast.

Mirësia e brendshme e djalit, në një botë ku është i detyruar të jetojë do të ishte tregues i qartë i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen. Mirësia e brendshme nuk shuhet kurrë, as edhe kur bota është shkatërruar. Në përshkrimin e djalit, hasim në tipare engjëllore që nganjëherë duket se ai i ngjan vet perëndisë.

Gjatë rrugëtimit të tyre, ata takojnë një njeri të moshuar. Studiuesja Nora Kestermann vë në dukje mbase më së miri, hyjninë e djalit që paraqet një dritë rrëzëlluese shprese në sytë e të atit.

Babai, si protagonisti kryesor e koncepton të birin e tij si një ikonë të rëndësishme fetare dhe e konsideron atë të shenjtë. Për të, i biri simbolizon shpirtin e përjetshëm, rrjedhimisht shpresën për të ardhmen[5]

Babai gjatë gjithë romanit përpiqet t’i mësojë të birit gjërat e jetës, çdoherë duke anuar kah e mira, dhe megjithëse janë në gjendje të rëndë, shpeshherë pa ngrënë gjë me ditë të tëra, ai e mëson të birin se si duhet të qëndrojë i fortë në tmerre të tilla për ta bërë në të ardhmen një individ me moral të lartë, i cili mënjanon të keqen.

Konkluzion

Gjatë kësaj analize u përpoqëm ta shohim se si personazhet e Rrugës ushqehen me shpresa të kota, në një gjendje të mjerë ku ndodhen. Zhanri apokaliptik, bazohet tek ideja për mos zhvillim të jetës pas ndonjë kataklizme që ka shkatërruar gjithçka. Në Librin e Zbulesës, apokalipsi sipas fesë së krishterë kur të ndodh do të dallohen të mirët nga të këqijtë. Të mirët do të shpërblehen për punët e mira që kanë bërë, derisa do të ndëshkohen të ligët.

Por romani i Cormac McCarthy-t, e kundërshton apokalipsin biblik. Këtu, kemi të bëjmë me një përfundim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pas së cilit nuk synohet asgjë më; me vdekjen merr fund gjithçka.   

Në këtë tekst janë provuar dy veta në një botë të keqe më njerëz të këqij; djaloshi përfaqëson ato pak vlera njerëzore që kanë mbetur. Realisht, ata nuk thirren në asnjë fe, janë thjesht dy njerëz që mbartin vlera të cilat i shpërfaqin jo për ndonjë besim të fortë që kanë.

Romani Rruga na tregon se njeriu si krijesë, qoftë fetar apo jofetar, mund të bëhet i mirë apo i keq, i fajshëm ose i pafajshëm. Dhe, kjo është veçoria kryesore e Rrugës që e dallon nga teksti biblik – këtu dënohen edhe të mirët, sepse në njëfarë mënyre Zoti nuk ekziston apo është indiferent ndaj të mirëve kur ata ndodhen në vështirësi. 

Shpëtimi njerëzor nuk shihet gjëkundi në fund të romanit. Dëmi nuk riparohet. Pas vdekjes së të atit, i biri mbijeton mirëpo nuk dihet asgjë për fatin e tij dhe drejtimin që do të merr. Mesazhi kryesor që transmeton ky roman i McCarthy-t, me pak fjalë, është: atë që kemi pasur dikur dhe e kemi humbur nuk do ta gjejmë përsëri.


[1] Cormac McCarthy, Rruga, Shtëpia Botuese “Dudaj”, Tiranë, 2009, (përkthyer nga Astrit Cani. Të gjitha citimet në vazhdim, janë nga ky botim) fq. 7

[2] Teresa Heffernan,  Post-Apocalyptic Culture: Modernism, Postmodernism, and the Twentieth-Century Novel. Toronto: University of Toronto Press Incorporated, 2008. Print.

[3] Po aty, fq. 17

[4] Po aty, fq. 66

[5] Nora Kestermann, Ralph Waldo Emerson versus Cormac McCarthy: The Annihilation of Emerson’s Values in McCarthy’s The Road /KultPlus.com

Të ngjajshme