Mbi portretin krijues të poetit dhe intelektualit utilitar të shekullit XX

24 Mars, 2022 - 6:42 pm

Veprimtaria e shkrimtarit vështruar në disa domene, realizimi formal-përmbajtësor shpesh konsistent me përbrendësimin e aktualitetit, shkrimtari midis angazhimit nacional e human dhe vetëdija krijuese progresive janë aspekte kruciale që përbëjnë objektin e “Orës së shkrimtarit 2”, përmbledhje e shkrimeve të rastit të plejadës së studiuesve të decenieve të fundit.

Duke pasur për kriter kryesisht kronologjinë e shfaqjeve të autorëve si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli e Din Mehmeti qoftë në domenin poetik, publicistik apo edhe intelektual, vepra shpalos portretin që ata tashmë kanë formuar si identitete të pakapërcyeshme në letërsinë shqipe. Subjektet folëse në të vërtetë ndërtojnë kushtimisht një relacion më përmbledhës me objektet që trajtojnë kuptuar krejt natyrshëm kur dihet vetë kufizimi që ofron ideja e shkrimit të rastit. Të kuptuarit në esencë i aspektit aksiologjik të veprës e qenësisë së shkrimtarëve në kohën kur shkruajnë dhe vetë predestinimi i tyre për t’u bërë eminentë në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe bëhen pikat themelore ku takohen qasjet e studiuesve.

1.Aspekte të produksionit poetik dhe stilistik te vepra e Berishës, Gjerqekut dhe Shkrelit

(Sali Bashota, Milazim Krasniqi dhe Naime Beqiraj)

Në vështrimet e këtyre studiuesve bie në sy një planimetri e pasur metodash që kanë shfrytëzuar në qasjen e tyre, por është i pashmangshëm edhe fakti se ekziston një metodë dominuese të cilës ata i kanë dhënë a priorësi karshi tjerave. Njohja nga afër e figurës së Latif Berishës ka bërë që Sali Bashota të interferojë në qasjen e tij dromca të metodës pozitiviste me realizimin e një portreti më të plotë të tij duke nisur me një vështrim nga afër të asaj çka reflekton ai si karakter njerëzor, për ta nxjerrë kështu poezinë e Berishës si produkt të një shpirti të pastër, si diçka fisnike që lind po nga fisnikja.

Kjo hyrje e tij del si dytësore krahas rëndësisë që i jep Bashota vështrimit të stilit të Berishës në veprën poetike “Tufa”, diversitetit të produksionit të tij poetik me trajtimin tematik, të bukurën e universalen. Bashota shquhet me një stil detajizues e analitik në qasjen e tij çka i jep shkrimit të tij kritik një natyrë argumentuese dhe koncize.  Ai e sheh poezinë e Berishës si një poezi që asocon me kujtimin që bart në vete dhembjen dhe dashurinë si dy paralele sa përjashtuese aq edhe të njënjëshme. Tematika e vendlindjes, kënga e atdhedashurisë, natyrshmëria e vargut, kërkimi i së bukurës si sublime në lartësimin e shpirtit dhe ngritja e poezisë së Berishës  në nivel të përkushtimit dhe idealit njerëzor të cilat Bashota i specifikon si dominante në poezinë e tij dëshmojnë se ai e sheh atë si poet që frymëzimin nga lokalja arrin ta shndërrojë në përfytyrime poetike universale të fatit njerëzor.

Një qasje e ngjashme e Bashotës, pra fokusimi i tij në nivelin e realizimit formal-përmbajtësor të stilit të poetit derivohet edhe në shkrimin e tij kritik: “Lirika e Enver Gjerqekut”. Nga ky prizëm ai flet për tematikën e poezisë së Gjerqekut që tërhiqet midis dy binomeve: sociale-intime dhe histori-aktualitet. Në larushinë e poezisë së Gjerqekut, Bashota veçon poezinë përshkushtuese si tip poetik që i kontribuon vetëdijes krijuese të ngritet drejt përfytyrimeve sublime në rrafshin progresiv. Soneti si kod ligjërimor fundamental në poetikën e Gjerqekut në njërën anë dhe kontributi i Gjerqekut në kultivimin e vargut poetik shqip me gjuhën e zgjedhur figurative që ndërtojnë metaforat e avancuara poetike bëhen determinuese në përcaktimin aksiologjik që i bën Bashota vendit që zë vepra e tij në lirikën bashkëkohore shqipe.

Poezia e Gjerqekut bëhet objekt studimi edhe në fushën e rileximeve dhe rivlerësimeve të Milazim Krasniqit. Ky kritik e determinon leximin e tij aktual të Gjerqekut të ngjizur me kontaktin e parë me poezinë e tij si fëmijë, që vjen tashmë si reminishencë në përfytyrimet e tij për poetin. Çka e karakterizon kritikën e tij ndaj Gjerqekut është aplikimi konsistent i metodës formaliste gjë që del në a priorin që i jep formës në poezinë e poetit duke e cilësuar  si përmbajtje në vete dhe në përdorimin e një qasjeje që nuk e imponon mendimin, pra duke mos e dhënë si finalitet, por thjesht si një aspekt të mundshëm në vështrimin e poezisë së Gjerqekut.  Krasniqi potencon se te poetika e Gjerqekut vihet theksi në aspekte “si gjatësia e vargut, llojet e rimave, invencioni gjatë krijimi të magjistralit,etj., e më pak te informimi substancial për portretin njerëzor, moral të një figure që është tematizuar në vepër.”

Studimi i Naime Beqirajt që merret me stilin sui generis të poezisë së Azem Shkrelit, gjuhën plot finesa e stërhollime poetike të rafinuara që e ka ngritur poezinë e tij si art sipror divergjon me dy të parët, pra Bashotën dhe Krasniqin si ithtarë të një stili detajizues e argumentativ, meqë shquhet aty-këtu me reagime eseistike e konstatime në superlativen, p.sh: “e heshtura e tij nuk mbërthehet as zbërthehet, “poezia kjo mbretërishë mbretërore për të cilën ai nuk shfaqte epitete, ta zëmë princeshë, mbetet eter i tij.”

Si dominancë e stilit poetik të Shkrelit theksohet pasurimi i leksikut të vargut shqip duke përdorur si rekuizitë leksikun popullor që i shërben për konstruktimin e përfytyrimeve moderne poetike që nuk lakmon modelet e oralitetit. Beqiraj e sheh famën dhe influencën e Azem Shkrelit si tregues aksiologjik që i ka siguruar eternitetin veprës së tij duke e mbajtur gjallë në “Olimpin e ngritur, bashkë më poetët e rrallë të letërsisë shqipe.”

2.Impakti i kontekstit në formimin e personalitetit krijues të Berishës dhe Shkrelit

(Ibrahim Berisha, Avni Spahiu)

Kritika e gërshetuar me dromca eseistike e pozitiviste që dominon në qasjen e Ibrahim Berishës ndaj personalitetit krijues e intelektual të Latif Berishës shpalos lapidaritetin e kësaj figure si fenomen në një periudhë që me nevojat e angazhimit dhe çështjen kombëtare të rrezikuar vjen si reminishencë e modelit romantik. Figura e poetit Berisha reprezentohet si qenësi krijuese që nën impaktin e kontekstit sociopolitik destruktiv për njeriun dhe artin përgjithësisht, flijon nga frymëzimet personale për të gjeneruar kështu figurën e poetit intelektual të angazhuar në aktualitetin. Qasja eseistike në një anë dhe ky shtrëngim i poetit kuptohet më së miri përmes parabolës së studiuesit Berisha: “(poezia e poetit Berisha) Edhe kur shtrinë në dukje lirshëm konstruktet poetike të ndërtuara në pastërti të natyrës lokale, aty duket sikur era e shqetësimit dhe vetëkufizimit, e shtrëngon në shpirt dhe e bjen në zgripin e marrjes së frymës.” Portretin fizik kolorit të poetit e sheh si të atillë që reflekton dy tensione psikologjike të poezisë së tij: optimizmin si stimulim e besim shpirtëror dhe pesimizmin si dëshpërim introvert e ekstravert.

Studiuesi Berisha shquhet me një ton të butë dhe sugjerues në kritikën e tij spikatur përmes përdorimit të shpeshtë të vetës së dytë që e afron me audiencën të cilës i drejtohet si dhe përmes shtrimit të pyetjeve që qartësojnë objektin dhe e ftojnë lexuesin që të mbajë vëmendjen në ligjërimin e tij. Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria të cilat studiuesi i quan preokupime tematike, nuk janë tjetër veçse aribute dhe angazhime të personalitetit të Berishës në mirëqenien e asaj çka është autentike dhe e dobishme për kombin. Çka bie në sy në këtë pjesë është toni lavdërues ndaj kontributit të tij, njohja intime me poetin, pra objektin e studimit kur tregon mbi modestinë dhe besimin që reflektonte ai në një takim me të në qytetin e Mitrovicës si dhe qasja sentimentale kur thotë “ua shëroi plagët që ndjenin deri atëherë dhembje.” Aspekt i stilit të studiuesit Berisha është edhe erudicioni që del përmes ndërfutjes së maksimave të Platonit mbi dijen si diçka e shëndoshë për shoqërinë dhe asaj të Horacit që e sheh të vetëidentifikueshme me jetën ideale të Latif Berishës: “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të.”

Një qasje të tillë koncize studimore Ibrahim Berisha do ta aplikojë edhe në shkrimin kritik “Publicistika e Azem Shkrelit: Kohë e shekullit të vocërr”, ku veçmas ndalet në dy përmbledhje të kësaj natyre që boton Shkreli nën petkun e intelektualit: “Zoti nuk është shqiptar” dhe “Muri përfundi shqipeve”. Berisha e cilëson publicistikën e Shkrelit të tipit ese, analiza opinione e intervista si vizionare për çështjet që trajton meqë sado aktuale në çështjet që trajton, zgjeron horizontin kohor të vështrimit të tyre. Pseudopatriotizmi, pseudointelektualizmi, monizmi serb, anarkizmi e nepotizmi piketohen nga Berisha si çështje në të cilat ndalet të vrojtojë, kritikojë e ofrojë zgjidhje publicistika e Shkrelit. Nga ajo çka përfshin ky vështrim i studiuesit del se ashtu si Kadare edhe Shkreli e sheh zgjidhjen te marrëveshja e shqiptarëve me vetveten, pra te tejkalimi i barrierave dhe puna në plotësimin e nevojave të tyre. Interesante në këtë pikë është se Berisha e paralelizon kohën e Shkrelit me të tijën dhe vë theksin në faktin se ato çështje që ka trajtuar publicistika e tij janë aktuale edhe për kohën e tij, pra situata kaotike nuk ka divergjuar për të mirë madje është intensifikuar në dëm të konstituimit të mirëqenë të shoqërisë e kulturës shqiptare.

Krahas Berishës që paralelizon kohën e tij më atë të objektit, në studimin e radhës “Azem Shkreli- i lidhur me fatin e njeriut dhe të atdheut” është vetë studiuesi Avni Spahiu që e situon veten si parcialitet të kontekstit kur shkruan Shkreli. Në pjesën e parë të studiuesit Spahiu interferohen biografema të Shkrelit; me të folurit në vetën e parë shumës ai përfshin bashkë me Shkrelin. veten dhe plejadën e disidencës intelektuale të viteve 90′ ta që mbronte dinjitetshëm idealin e lirisë, drejtësisë dhe tolerancës përballë faktorëve të brendshëm si: persekutimi, drama socio-politike, cenzurimi i ndjenjës dhe mendimit.”Azem Shkreli me veprën e tij jetësore e letrare, intelektualisht të angazhuar” bëhet figurë që ilustron idenë e Spahiut mbi utilitarizmin e altruizmin si virtytet më të larta të një shkrimtari dhe opusit të tij krijues.

Ashtu si Platoni, Spahiu e sheh krijimin në art si reflektim apo të lidhur ngushtë me realitetin, për rrjedhojë moralizimin, pra atë çka është e dobishme në art si primare, ndërsa të bukurën/estetikën si diçka krejt dytësore. Në pjesën e fundit të shkrimit ndjehet intimiteti i studiuesit me objektin përmes luciditetit në lavdërimin piedestal të figurës së Azem Shkrelit, madje duke e çuar deri në një shkallë mitizimi stoicizmin, vullnetin dhë këmbënguljen e tij, kur përfundon se “si poet dhe si njeri ishte qenie me fuqi të balancuara, njeri që nuk duronte pengesa përpara vetes, që shihej dhe ballafaqohej me atë që të tjerët e ëndërronin.”

3.Drama “Agu” e Din Mehmetit: çështje të zhanrit, mitit dhe karaktereve

Krahas poezisë e cila në shkrimet paraprake të studiuesve u cilësia si zhanër themelor me të cilën operojnë poetët emblematikë: Berisha, Gjerqeku e Shkreli, në studimin e Haqif Mulliqit lexuesi do të ndeshet me një konglemerat pikëpamjesh që flasin më gjerëisht duke pasur për trajtim vetëm një vepër dramatike: “Agun” e Din Mehmetit. Ai e nis shkrimin e tij me një konstatim absolut që shpalos një qëndrim aksiologjik ndaj veprës që trajton duke e cilësuar si vepër të atillë që “nuk bën pjesë në krijimtarinë më të mirë të Din Mehmetit.” Veçori kryesore e stilit të këtij shkrimtari është luciditeti përveçse në konstatime të tilla të prera dhe eksplicite edhe në titujtë sugjestivë e shpjegues të tezave.

Rifunksionalizimin e mitit të urës nga legjendat pagane, i atyre antike e biblike në kuadër të dramës së Din Mehmetit, Mulliqi e sheh në shërbim të idesë së dramës për të moralizuar mbi jetën me kundërthëniet e saj dhe fatin njerëzor në atë mënyrë që “ndjenjat e audiencës t’i shtyjë deri në ndërgjegjësim kolektiv. Pra, miti kthehet në një sistem të veçantë poetik që e ngrit në nivel gjuhën dhe qasjen spekulative të personazheve. Krahas trajtimit të mitit domeni tjetër i shkrimit kritik të Mulliqit merret me natyrën e karakterit që realizojnë personazhet në dramë. Në ndërtimin e tyre ai shquan qasjen subjektive, thënë më drejt shndërrimin e karaktereve në “objekte hetimore” të autorit duke derivuar modele të njeriut që i nënshtrohet në vazhdimësi transformimeve në kontakt me të tjerët dhe pamundësinë e njeriuit që t’i kundërvihet fatit dhe fakticitetit si determinues të ekzistencës së tij.

Mulliqi në një pjesë të mirë merret me realizimin e zhanrit dramatik në veprën e Din Mehmetit, duke e cilësuar si një zhanër të papërfunduar për dy arsye: në rend të parë për përmbajtjen e elementit epik me kanunin si pikëreferim për personazhet çka e rrudh dramatikën brenda veprës dhe e orienton drejt një zhanri jo të pastër, si dhe për faktin se ajo si vepër nuk jeton në kohën zero, pra nuk ka përcjellë evoluimin e teatrit dhe dramaturgjisë, por ka mbetur diku në mes. Krahas që studiuesi Mulliqi shquan një mozaik nëndramash që e ndërtojnë arkitektonikën e dramës “Agu” si pasuri të saj, faktin se Dini nuk e çon veprimin e personazhit deri në fund, nuk e zbërthen ndonjë enigmë, por e përballë lexuesin thjesht me një finale të përgjithësuar e specifikon si të metë të dramës që ndikon në mosrealizimin e mirëfilltë të strukturës së saj zhanrore.

Kjo plejadë e intelektualëve dhe kritikëve të decenieve të fundit bëhet treguese e një shumësie qasjesh vetanake që ngjasojnë në tipin e metodës, por divergjojnë në situimin e saj çka edhe shpalos para lexuesit vështrimin e autorëve nëpër domene të krijimit ku ata janë përfaqësues. Jo një herë është parë lidhja triadike poet-shoqëri-realitet si diçka e patejkalueshme në studimin e veprës letrare të krijuar në kronotopose dinamike. Konteksti determinon figurën e intelektualit të angazhuar për të piketuar e trajtuar çështje të aktualitetit në një anë dhe shkrimtarit që nga lokalja përpiqet të ndërtojë universalen poetike, duke shkruar shpesh poezinë me nentekst që kamuflon përmbajtjen e saj eterike për lirinë dhe humanen si reakson  ndaj një periudhë destruktive që tentoi ta shabllonojë letërsinë e artin.

Qasja me dromca pozitiviste, formaliste e zhanrore , stili që varion nga detajizimi drejt luciditetit, përskaj me vështrimin e utilitares në poezi si dicka a prior të bukurës/estetikës janë dominantat e këtyre shkrimeve kritike që me relevancën qe i japin objektit dhe segmenteve që përftojnë qenësinë e tij i kanë siguruar vetes një vend subtil në kritikën aktuale shqipe e paralelisht kanë ngritur në piedestal vlerat e shkrimtarëve të trajtuar.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Leonora Hajra KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme