Mos luani me Ferdonije Qerkezin

10 Maj, 2019 - 9:00 am

Veton Surroi

Nuk do ta themeloni Tribunalin. E as do ta bëjë këtë dikush në emër tuajin. Po përpiqeni ta kërkoni vëmendjen e Ferdonije Qerkezit dhe familjarëve të tjerë të viktimave, për të treguar se ja, pas njëzet vjetësh, do të luftoni për drejtësi. Dhe, kur nuk do të themelohet Tribunali, do ta fajësoni bashkësinë ndërkombëtare, këtë masë amorfe, e cila edhe ashtu është fajtore për çdo gjë tjetër, për liberalizim vizash e më së shumti për faktin që ka themeluar një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila duhet të merret me akuzat ndaj jush

Mos luani me Ferdonije Qerkezin.

Ka njëzet vjet që i kanë trokitur në derë njerëz me uniforma të shtetit serb dhe ia kanë marrë burrin dhe tre djemtë. Dy prej tyre janë kthyer si eshtra, në kamionë të ndërmjetësuar prej Kryqit të Kuq. Dy meshkujt e tjerë të shtëpisë janë eshtra ende të paidentifikuar, qoftë në njërën prej varrezave masive në Serbi, qoftë si eksponate morgu, duke pritur ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq.

Prej njëzet vjetësh, ajo shtron darkën për të katërt. I pret në shtëpi të vet, ku e kanë vendin. Është komunikimi i saj i vetëm me ta. Është pika e dinjitetit që e mban të presë njërin dhe pastaj mëngjesin tjetër.

Mos u përpiqni ta mashtroni, tash pas njëzet vjetësh, duke i thënë se do ta themeloni një Tribunal ndërkombëtar për krimet që Serbia i bëri në Kosovë. Mos e ngacmoni plagën e saj, duke i premtuar se ju, me Rezolutën tuaj, që do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, do t’i sillni para drejtësisë përgjegjësit për zhdukjen e burrit dhe tre djemve të saj.

Nuk e keni as edhe më të voglën kompetencë për të themeluar një Tribunal ndërkombëtar. E përfaqësoni një shtet që me keqdashësit e jashtëm dhe keqbërjen tuaj është aq i izoluar sa që nuk bën pjesë në sistemin e organizuar ndërkombëtar. Një shtet që është në OKB e Këshill të Evropës, madje një në BE, do të hiqte të zitë e ullirit për të krijuar një Tribunal ndërkombëtar; ato krijohen vetëm me aleanca të forta shtetesh, vendime të Këshillit të Sigurimit. Një shtet si ky yni e ka gëzimin më të madh kur anëtarësohet në ndonjë federatë sporti; me distancë kozmike prej shkronjës T të tribunalit.

Nuk do ta themeloni Tribunalin. E as do ta bëjë këtë dikush në emër tuajin. Po përpiqeni ta kërkoni vëmendjen e Ferdonije Qerkezit dhe familjarëve të tjerë të viktimave, për të treguar se ja, pas njëzet vjetësh, do të luftoni për drejtësi. Dhe, kur nuk do të themelohet Tribunali, do ta fajësoni bashkësinë ndërkombëtare, këtë masë amorfe, e cila edhe ashtu është fajtore për çdo gjë tjetër, për liberalizim vizash e më së shumti për faktin që ka themeluar një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila duhet të merret me akuzat ndaj jush.

Tribunali dhe Rezoluta për ju janë tema që zgjasin, në rastin më të mirë, disa ditë. Brenda atyre ditëve Tribunali do të zërë më pak vend se skandali i radhës që e keni prodhuar, bankrotimi i Telekomit, punësimi i një teze a balldëske, a vëllai, a djali të axhës, falje të milionave eurove për këtë gabim dhe miliona të tjerë për atë gabim. Pushteti juaj e ka të garantuar mundësinë që një temë kaq e madhe si Tribunali e gjenocidi ndaj këtij populli të fshihen brenda një duzine skandalesh që i prodhoni çdo ditë, sepse pushteti juaj është i ndërtuar mbi padrejtësi dhe nuk mund të prodhojë gjë tjetër, pos padrejtësive.

Në themelet e pushtetit tuaj janë vrasja e civilëve serbë e romë dhe e kundërshtarëve politikë shqiptarë, vjedhja e uzurpimi i çdo gjëje që është publike dhe çdo gjëje private që është e mundur të gllabërohet me kërcënim e dhunë. Në themelet e pushtetit tuaj është vjedhja industriale e votave dhe shteti i kapur. Në themelet e pushtetit tuaj është shkatërrimi i arsimit dhe shëndetësisë, është sundimi i shtresës më injorante të shoqërisë, është degradimi i shprehjes bazike kulturore, deri te gjuha amtare, në nivelin ofendues të primitivizmit. Në themelet e pushtetit tuaj është besimi se çdo gjë shitet dhe blihet: vota, historia, statusi shoqëror, shteti, tërësia tokësore e vendit. Në themelet e pushtetit tuaj është besimi se nuk ka nevojë për sundim të ligjit, ka nevojë për sundim tuajin.

Si mund të kërkoni drejtësi e Tribunal e Rezoluta ju, që sundoni mbi themele të padrejtësisë?

Dhe për çka i kërkoni?

Për Ferdonije Qerkezin jo. Dini edhe vetë se gjasat që të bëni ndonjë gjë me rezoluta të kota të Kuvendit janë të barasvlershme me zero.

Keni pasur mundësi të pyesni për burrin dhe djemtë e saj. Për njëmbëdhjetë vjet pavarësie të vendit, nëse jo më herët, keni mundur të shtroni së paku në një vend pyetjen, se ku i ka Ferdonije Qerkezi djemtë dhe burrin? Keni mundur ta bëni kur diskutonit për Gjashtë pikat e Ban Ki Moon-it, për targat e veturave të Kosovës e Serbisë që mund ta kalojnë kufirin, për rrethrrotullimin e Mitrovicës veriore dhe të gjitha kotësitë e tjera për të cilat keni biseduar. Për tërë një dhjetëvjetësh të shpenzuar në degradimin e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës, deri në hapjen e çështjes së kufijve të saj, keni pasur mbi 3.600 ditë për ta ndarë një, së paku një, në të cilin do të pyesnit se ku i ka djemtë Ferdonije Qerkezi.

Keni mundur që në vend se të bisedoni për çdo gjë tjetër me përfaqësuesit e Serbisë, të bisedoni për të zhdukurit, përfshirë edhe ata të zonjës Ferdonije; që të gjithë të zhdukurit, romët dhe serbët dhe shqiptarët. Nuk e keni bërë, sepse nuk keni menduar për shtetin, keni menduar për pushtetin, e pushteti juaj, siç thashë, i ka themelet në padrejtësi. Dhe, padrejtësia e radhës do të jetë që për djemtë e Ferdonije Qerkezit të miratohet një Rezolutë e radhës, një që nuk obligon për gjë tjetër pos për harresë.

Mos luani me zonjën Ferdonije e as mos e ofendoni, siç bëni për 20 vjet. Tragjedia e familjes së saj dhe tragjedia e familjeve të Kosovës, të grave e fëmijëve dhe burrave të këtij vendi, pa dallim kombi a feje, është e integruar në themelet e shtetit të Kosovës. Të luash me ta është të luash me themelet e shtetit.

Dhe shteti i Kosovës u obligohet të gjallëve dhe të vdekurve të saj: është përgjegjësi e shtetit të Kosovës të kuptojë se kush i mori djemtë dhe burrin e Ferdonije Qerkezit, ku i çoi, si i vrau, me urdhër të kujt? Është përgjegjësi e shtetit të Kosovës që t’i kthejë djemtë e Ferdonije Qerkezit në paqen e njohurisë dhe të drejtësisë; ata nuk bënë të rrinë as në harresë, e as në mungesë llogaridhënie.

Nuk ekziston rrugë e shkurtër as për paqe e as për pajtim me Serbinë. Nuk ka rezolutë e ide 24-orëshe për tribunale e as këmbime territoresh, që do ta krijojë paqen e qëndrueshme mes shteteve e kombeve.

Është një rrugë e mundimshme dhe e pazëvendësueshme. Një pjesë e rëndësishme e asaj rruge kalon kah kuzhina e Ferdonije Qerkezit. Mos luani me të, mos luani me klithmën e heshtur për drejtësi e paqe.

Të ngjajshme