Mungon kritika, por a kemi…?

12 Maj, 2018 - 9:43 am

Shkruan: Çapajev Gjokutaj

Mungon kritika, qarje e qëmotshme, gati-gati refren në ligjërimin tonë për letërsinë. Përtej ankimit dhe qarjes, është mbase më konstruktive të diskutojmë shkaqet.

Mungon kritika, po a ekziston leximi? Ka rënë dukshëm, thonë disa, brezi i ri nuk lexon, ku ne e ku këta! Dhe si argument sjellin tirazhet. Atëhere librat e mirë botoheshin në 20 mijë kopje dhe shpesh nuk i gjeje, një pjesë shiteshin nën banak, për miq e të njohur. Ka rënë leximi, po janë shtuar dukshëm titujt, kundërshtojnë disa.

Hajde e gjeje cila është e vërtetë! Si edhe në fusha të tjera mungojnë të dhënat empirike. Diskutojmë me hamendje. Në shkencë ky lloj diskutimi quhet edhe spekullim.

Mirë leximin individual nuk e masim, po pse e kemi aq të mekët leximin publik? Nuk i praktikojnë grupet apo klubet e leximit. Të rralla e tejet formale janë takimet me autorin, leximi prej tij në auditor. Kemi radiot dhe televizione tëshumta, por leximi i letërsisë në to është i munguari i madh. Këto dhe forma të tjera të leximit publik, do nxisnin artikulim publik për këtë apo atë vepër, këtë apo atë shkrimtar.

Mungon kritika, por a ekzistojnë mediumet që e kërkojnë, e nxisin, e gjenerojnë. Bashkë me kritikën mungojnë edhe revistat a gazetat e specializuara. Ashtu siç mungojnë edhe rubrikat serioze në media me emër, gazeta a televizione qofshin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë lexuesit e kualifikuar e të artikuluar. Lexues, që seleksionojnë e nxjerrin në pah, qoftë me një reçensë a qoftë edhe me vetëm një referencë, vlerat që hidhen në qarkullim, ndihmojnë të orientohet masa e lexuesve të thjeshtë, e bëjnë më të lehtë ndarjen e drithit nga byku e kashta e botimeve. Me gjasë këta lexues të kualifikuar ekzistojnë, por nuk përqëndrohen aq tek vlerat që krijohen në shqip. Dhe në një farë mase është e kuptueshme. Jetojmë në kihën kur librin e mirë, që bën emër në NY, Londër a Paris mund ta blesh në variant elektronik njëkohësisht njoujorkezin a londinezin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë kritikët? Eshtë profesion jo fort i lehtë, kërkon specializim të hollë, erudicion e shije të rafinura. Sa punojmë për t’i përgatutur në kurse universitare e pasuniversitare, ç’institucione shkencore kemi?

Kjo është vetëm njera anë e mungesë a pengesës. Ana institucionale. Por egziston dhe ana etike: jemi vënd i vogël, ndajmë të njëjtat hapsira, jo aq e lehtë të vlerësosh tjetrin, pa u ndruajtur a frenuar.

Mungon kritika, po a kemi letërsi? Eshtë vështirë të përgjigjesh. E sigurt është se kemi një vërshim botimesh të paguar nga vetë autorët, pa kurrfarë seleksionimi, sipas parimit ‘zhgarravit, paguaj e boto’. Mes këtij byku të shumtë nuk është lehtë të gjesh drithin letrar. Mund të humbasë e të përfundojë në sosmë. Për më tepër se fjala, qoftë edhe ajo letrare, nuk ka më peshën e dikurshme, i ka hyrë rendshëm në pjesë imazhi. Edhe spektakli.

E me që është koha e e spektaklit, s’na mbrtet gjëveçse të performojmë qarjet ‘mungon kritika’.

Të ngjajshme