Prishtina identiteti ynë apo ne identiteti i Prishtinës

23 Shtator, 2022 - 6:32 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

Në vetëdijen tonë, si konkretizim i zërit dhe po ashtu fajit tonëPublik, ne vazhdimisht atakojmë secilin krijues të monumenteve tona. Por në anën tjetër jemi ambivalentë ndaj dy ndërtimeve krejtësisht riorientuese dhe riorganizuese të identitetit tonë me qytetin tonë: katedrales Nënë Tereza dhe xhamisë Qendrore në Prishtinë. 

Kjo shfaqë një pyetje rrënjësisht të rëndësishme: a jemi ne identiteti i qytetit të Prishtinës, apo Prishtina identiteti ynë? A është Prishtina si qytet realiteti ynë, apo ne qytetarë të saj jemi realiteti i saj. Dhe ka një dallim në këtë, derisa e kemi të ditur edhe shoqërinë tonë por edhe memecërinë e qytetit tonë.

I

Pse kemi disa, apo aq shumë Skënderbe në qytetet tona? Shumëfishimi i tij, a nuk është zhvleftësimi i tij? Përsëritja e tij, identike, në të gjitha qytetet tona, a nuk është në të vërtetëuzurpim i imazhit të tij?

Por Skënderbeu si imazh në Prishtinë është i pamundshëm pa një realitet të tij. Pa qenë pasqyrim i një realiteti, të tij. Dhe në vetëdijen tonë objekti (monumenti i Skënderbeuet) që shohim është saktësisht fillimi, fillimi edhe i realitetit tonë edhe i bashkëkohores sonë. 

Nëse e vëzhgojmë Skendërbeun në qytetet tona, ai është zotërues, arritur përmbledhjen e historisë së tij, dhe i vendosur, i gatshëm, në lëvizje. I nisur. Por edhe i ndalur. Mirëpo, ai është i vetëm, realiteti i tij mungon, së paku në diçka konkrete; apo, ai, Skënderbeu nuk e ka një objekt për të nisur këtë realitet. Kali, përkrenarja, shpata, qoftë edhe trupi e tij, janë në të vërtetë, imazh në idenë tonë për Skënderbeun, e jo objekt. Janë pasioni ynë, janë edhe prezenca ynë, por gjithashtu edhe mungesa e prezencës sonë, të cilën ia kemi dhuruar pikërisht Skënderbeuttonë.

Sigurisht, objekti, trupi i Skënderbeut, ka mbetur prapa ligjeve të tokës, pas vdekjes së tij. Që do të thotë se ai, në qytetet tona është edhe imtim i pikturave dhe fotografive të tij nga e kaluara, dhe edhe ideal i yni. 

Por ky imitim nga fotografitë dhe nga pikturat e tij, duke qenë se nuk e “mbajmë mend si të gjallë” është vetëm imagjinatë e fizikes së tij. Që do të thotë ne na mungon edhe realiteti i tij, ndonjë objekt i realitetit të tij për ta ditur si dukej dhe si ishte Skënderbeu. Le të themi se imazhi i parë i Skënderbeut, pasi që nuk e ka një realitet të tij, apo një objekt të realitetit të tij është në të vërtetë i dy versioneve: imagjinatës së imituesit, apo pasionit/idealit të imituesit. Por kjo do të thotë se ai ka vdekur dhe në të vërtetë është i vdekshëm si të gjithë, dhe pikërisht për shkak se ka vdekur/është i vdekshëm është i paimitueshëm.    

Atëherë, Skënderbeu, si ai i imazhit të parë si ai në qytetet tona është vetë pasioni/ideali ynë. Po i njëjti i vetëmjaftueshëm në kalin dhe “përditshmërinë” apo historinë e tij. Gjë që është realitet i vetëmjaftueshëm. Por a është realitet i tij, apo i yni, apo i të dyve së bashku? 

Për të pranuar, perceptuar këtë, mungon një objekt, e ashtuquajtur reale, apo objekti i realitetit të tij. Apo thënë më saktë finiti i tij. Në këtë tërë ajo që mbetet është finitja jonë, qoftë e bashkëkohësisë së imazhit të tij të parë, qoftë ajo e tashme.

Atëherë duke e vëzhguar imazhin e konkretizuar të Skënderbeut në prezencën tonë, në bashkëkohësinë tonë, që do të thotë duke e nisur dhe filluar realitetin tonë përmes tij, ne ose besojmë se ka pasur një Skënderbe të si ky i yni i shumëfishuar në qytetet tona, si kujtim historik, ose imagjinojmë një prezencë tonën përmes këtij Skënderbeu. Por, në këtë realiteti kalon, shndërrohet në dy versione nga pesha dhe graviteti i këtij imazhi. Ose ne jemi realiteti, objekti i imazhit, ose imazhi është objekti i imazhit tonë për veten.

II

Identiteti ynë atëherë është, apo duhet, të jetë vetë ne, vetë Skënderbeu, e kjo qyteti ynë. Por, identiteti është i pandalshëm dhe i papërfundeshëm, duke qenë marrëveshje e dyanshme, dykahshme. Nëse qyteti është realiteti jonë, imazhet e tij e identifikojnë atë. Por nëse këto imazhe janë ideali, pasioni, dhe marrëveshja jonë për ne, ne kalojmë në realitet të tyre, ne jemi prezenca dhe arritja e tyre. Ne strehohemi përbrenda tërë asaj që këto përfaqësojnë për ne.

Por kjo dykahshmëri në të vërtetë është dinamikë e realitetit tonë që kalon, ka kaluar në realitetin tonë, përmes simboleve të tij. 

Dhe kjo simbolikë ka edhe zhvillimin e saj, apo thënë shkurt prejardhjen dhe fillimin e saj. E që në secilin rast është përsëritje e këtyre prejardhjeve dhe burimeve. Të cilat në të vërtetë konfirmojnë idealin tonë, të një Skënderbeu të padyshueshëm dhe të pavdekshëm. 

E njëjta dykahshmëri është e përhershme në identitetin tonë, dhe në këtë edhe i përjetësuar, apo përpjekje për të përjetësuar këto dhe përmes tyre vetë neve. 

III

Çka nëse si në filozofinë e ekzistencës e shohim Skënderbeun si të ‘hedhur’ në jetë, pa një fillim dhe as fund, dhe po ashtu të vdekshëm. Të vdekshëm në kalin e tij në qytetet tona. Apo a nuk është ai edhe një realitet i harruar i yni. Një identitet i braktisur i yni. Një realitet i dezintegruar i yni.

Si duket të vetmit ata që ende e kujtojnë Skënderbeun në qytetet tona, në Prishtinë po ashtu janë diaspora. Ai është bërë i pavërejtshëm nga ne, në të jetuarit aq afër kufirit tonë si shoqëri, në të jetuarit aq afër pamundësisë sonë. Apo, në të vërtetë pikërisht Skënderbeu, aq i arritur, aq i gatshëm dhe aq i vendosur na përkujton tradhtinë e idealit tonë, lirisë dhe pavarësisë sonë. 

Në të vërtetë ne jemi të deziluzionuar krahas Skënderbeut aq të madh, aq të gatshëm dhe aq të vendosur, siç edhe do të mund të kishim imagjinuar veten një herë në euforinë e lirisë sonë. 

Andaj dhe ambivalenca jonë. Braktisja jonë ndaj tij. Apo shpikja e panumër lirive tona, pavarësive tona.

Apo, identifikimi ynë, identiteti ynë është politikë e jona me të gjitha burimet e identitetit tonë dhe në këtë të gjitha shpikjet prej madhështisë tepër të madhe të tij dhe aq më shumë uzurpimit të Skënderbeut, përsëritjes së tij, përpjekjes për të filluar përsëri dhe përsëri janë aty ku fshehemi për të jetuar një liri dhe pavarësi tjetër, ambivalente.

Të ngjajshme