‘Ndërrim dhome’, testamenti i pavdekshëm i lamtumirës së Jakup Cerajës

8 Gusht, 2022 - 5:45 pm

Shkruan: Elvi Sidheri

Kur, rreth një vit më parë, më patën ftuar në promovimin e librit “Ndërrim Dhome”, botimit pas amshimit, të poetit të ndjerë, Jakup Ceraja, përkundër fundit të stinës verore, vapës, dhe një mori andrallash të tjera, sidoqoftë, akoma pa e lexuar mirëfilli këtë vepër, kureshtja më ishte ngjallur si rrallëherë, dhe gjithashtu keqardhja që nuk mora pjesë në kremtimin e këtij botimi kaq të vyer.

Një vit më vonë, ndërkohë, fatin që ta lexoja këtë libër, i prekur thellësisht nga vargjet e përmbajtja e tij thelbësisht frymëzuese, sa edhe njëherësh mallëngjyese, e konsideroj si një privilegj të rrallë, sepse ky botim nderon njëkohësisht kujtimin e këtij autori të paharrueshëm, atdheun e tij të shtrenjtë, Kosovën, por edhe letërsinë shqiptare në përgjithësi, Shqipërinë që aq shumë Jakup Ceraja e pati dashur në jetën e tij, dhe veprën e këtij poeti kaq të pashoq.

Duke shfletur me ëndje të pashtershme faqet e këtij libri, muajt dhe ditët e fundit të Jakup Cerajës, rrjedhimisht u shndërruan për mua, në njohjen e parë të mirëfilltë me poetikën, ndjenjat, fuqinë e vargut, shpirtin e paepur dhe gjallërinë e paperëndueshme të penës dhe frymëzimit të këtij poeti, të cilin gjer atëherë e pata njohur vetëm me disa krijime aty-këtu, më tepër për faj të shkujdesjes sime, dhe sigurisht për nga madhështia e veprës së tij të pavdekshme, në letërsi e atdhetarizëm.

Pas çdo faqeje të lexuar, (ose “lëçitur”, siç i them ne toskët, si Dritëro Agolli, me të cilin poeti i ndjerë pati letërkëmbyer), m’u duk sikur njësohesha me kuturisjen e tij nëpër dhoma shpesh të ndërruara spitalesh, mes fjalësh të shqiptuara nga mjekë të përkujdesur, e shpresash të poetit, që kurrsesi nuk veniteshin, përkundër gjithçkaje, rrethanave, sëmundjes, gjasave…

Befas u gjenda në historinë e Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, që përvijohej gjalluese në vargjet e poetit, akoma tërësisht e pranishme në mbresat më të pashlyeshme të popullit të tij, ende e prekshme në respektin dhe mirënjohjen e lexuesve, edhe në dhomat spitalore, ku lëngonte trupi i tij, teksa zemra e mendja ndoshta ishin edhe më të vrullshme se kurrë më parë, sidoqoftë.

Pastaj, si lexues, fluturova bashkë më këto vargje, deri në Shqipëri, aty ku poeti nuk kish pranuar të gjente prehjen e amëshimit, pa shkelur edhe njëherë truallin e ëndërruar shqiptar, pa soditur sërish së afërmi lartësitë e pamposhtura të Krujës në shpatin e malit, pa kujtuar mbretër ilirë e prijësa arbërorë, pa shpresuar për një të ardhme të mbrothët për popullin e tij, pa ngurruar t’ia kushtonte edhe vargjet e fundit trojeve amtare, paçka se ligsht, në grahmat e tij.

Ta njohësh një poet mirëfilli duke nisur nga poezitë e tij të fundme, të botuara pas amshimit, mbase është e padrejtë, sepse jeta e tij, ka përçuar patjetër frytin e një pjellorie poetike, letrare, krijuese, që ka gëluar nga limfa jetësore, ku është ngërthyer krejt madhështia e tij.

Gurgullimi i frymëzimit të këtij poeti, që përqafon mrekullisht mëmëdheun, gjuhën shqipe, artin e poezisë, bijën e tij të përkushtuar që i pati ndenjur pranë e dhembshur gjer në grahmat e fundit, është mishëruar në thelbin e këtij libri, dhe kushdo që dëshiron të ndihet sadopak i pasuruar shpirtërisht nga ky pjalm i mirëfilltë poetik, në këtë vepër do të gjejë pa dyshim shpagimin e ëndjes së vet letrare.

“Ndërrim Dhome” është një testament i ngjizur në vargje poetikë, që dëshmon se vargjet e bëjnë autorin e tyre të pavdekshëm, duke përjetësuar për brezat e ardhshëm, gjithçka të vyer të jetuar, krijuar dhe shkruar prej tij në gjallim.

Brezat e sotëm të Kosovës dhe më gjerë, janë fatlumë për këtë trashëgimi të Jakup Cerajës në poezi./ KultPlus.com

Të ngjajshme