Unë me 35 këshilltarët e mi

9 Janar, 2019 - 9:47 pm

Arbër Selmani

Marr shkas sepse lexoj. Dhe anash leximit për pesë palë qejfe, lexoj për Haradinajn dhe shokët e tij. Ja çfarë thotë një lajm që e lexoj 2 minuta pasi kam pirë ilaçin kundër streptokokut:

‘Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë’

I mendoj dy gjëra. Këshillimin si veprim, dhe faktin se bakteria e streptokokut qenka më e poshtër e problematike se e paskam menduar unë kohë më parë. Por, të ndalemi tek e para.
E mendoj Haradinajn dhe them me vete, lum si ky që po këshillohet nga të katër anët e botës. E këshillon ky, e këshillon ajo, këshillohet sigurisht prej familjes së tij, këshillohet prej kolegëve të afërm që nuk janë këshilltarë por prapë kanë talentin e thuktë të këshillimit, këshillohet prej miqve, këshillohet prej unit brenda tij, prej Haradinajt brenda tij që padyshim është edhe ai këshilltar.

***

Ta mendosh më pas Kosovën si vatrën e këshillimit. Këshillat e babës, që shkuan kurrkund, më shpejt se rrotat e veturave në rrugën B. Ta mendosh se këshillohemi nga familjarët, kolegët, këshillohemi në rrugë, nga taksisti, këshillohemi për lidhjet e dashurisë nga shoqet që kanë frikë të shkruhen me burrat që ju pëlqejnë. Këshillohemi me mjekun për antibiotikun, anipse antibiotiku ishte ai që më çoi në spital para pak muajve. Këshillohemi. Këshillohemi. Sa e thellë këshilla e gjithsecilit.

Ta mendosh më pas Kosovën si djepin e këshillimit. Nisemi prej piramidës – ata lartë këshillohen çdo ditë, madje në obligimet e punës sigurisht ju shkruan – TA KËSHILLONI SHEFIN TUAJ – ose – ÇDO DITË, KËSHILLIMI I NJERIUT TË CILIT I DETYROHENI KËTË RROGË. Nëse jo kështu, atëherë në njërën prej pikave të kontratës figuron – GJATË DITËS, TROKITNI NË DERËN E LARTMADHËRISË DHE KËSHILLOJENI MBI ÇKADO QË E MUNDON ATË. Pra në këtë Kosovë të shkretë ka burra dhe gra të cilët pa pasur diplomë psikologu a sociologu a filozofi a filozofe a matematikani a psikiatri a neuropsikiatri, vazhdojnë këshillimin. Kokat e mëdha këshillohen si të vishen, si të printojnë faqen në të dyja anët, si të respektojnë folësin përballë, normalisht nuk janë këshillat të njëjtat si për udhëtimin në Bruksel apo atë në Nju Jork – gjithçka ndryshon. Mbledhja e së premtes mëngjesore është e tëra e përkushtuar për KËSHILLIMIN. Ku janë këshilltarët? Le të dalin para dhe të na flasin për më të rejat në fushën e këshillimit…..

Vazhdoj dhe prapë i kthehem të njëjtit lajm, të njëjtave rreshta:

Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë

U ndala dhe thash, ta kthej pak pasqyrën kah vetja. Unë dhe 35 këshilltarët e mi. Jam i sigurtë që më i madhi, trupmadhi im, do të më këshillonte kur ta marr Ksanaksin dhe kur ta marr Leksiliumin, sepse nuk e do rendi që këto dyja të goditen njëkohësisht në edukatën mjekësore. Ai do të duhej të lexonte mbi depresionin, simptomat, miligramët, paraditet, masditet, kohët e pas-ushqimeve, barkun e thatë, gjumin e keq, gjumin e mirë, ecjen e mëngjesit, ecjen e mëngjesit që nuk ndodhi kurrë. Këshilltari i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë do ta këshillonin të parin. Pra do ta ushqenin atë, që ai të ishte i fortë, do t`ja lanin këmbët dhe do t`ja puthnin sytë. Këto këshillime nuk dua ti shoh, kuptohet, çka ndodhë mes këtyre gjashtë këshilltarëve nuk më intereson sepse kam plot broçkulla personale. 14 këshilltarët tjerë do ti detyroj të lexojnë libra, që çdo vikend të mund të më vijnë me ndonjë pasazh libri të cilat do t’i shfrytëzoja për ti dhënë një frymë të fundit vdekjes time intelektuale. Mbesin 15 këshilltarë. Disa prej tyre kanë studiuar jashtë vendit, disa prej tyre më organizojnë mbijetesën në rrjete sociale, njëri është mekanik, dhe ajo çka mbetet në fund është shoferi, që do të më këshillojë derisa unë jam në ulësen e pasme të veturës që e paguaj vet, unë edhe komshia im. E këshillat janë nga më të ndryshmet: 

Mukoza është e tmerrshme për shendetin e njeriut –  Kadareja i ka disa libra por unë e gjeta “Prillin e thyer” dhe qenka kërrsh, jashtë e brenda – Letrës së bardhë në psikologji shpesh i thonë tabullarasë, si mendja e njeriut kur është e pashkruar – Anton Çetta është kartë e mirë nëse dëshiron ta përdorësh brenda ndonjë shkrimi tënd – Mukoza, qysh më tha një shok, mundet me të shkaktu probleme me zemrën –  Neve që kemi studiu në Amerikë na kanë shumë inati këtu, veç si këshilltarë po nab ëhet një vend.

Kaq shumë këshilla, kaq pak kohë për të jetuar. Unë me 35 këshilltarët e mi.

***

Hec e mos u çmend me kaq shumë këshilla. Çka bën një person që nuk ka lidhje mbi diplomacinë, edhe me 5 milion këshilltarë? Nuk po e mendoj Haradinajn, kuptohet, veç edhe shokët e tij? Çka bëjnë një grup i burrave dhe grave që duhet ta kalojnë jetën e tyre të mjerë duke këshilluar të tjerët, kur as këshillat nuk ndihmojnë në këtë kuti ku vjen erë e keqe e ku pretendojmë se po jetojmë?

Ose, çka janë këta këshilltarë? Çka është këshillimi për njerëzit që pak dëgjojnë e më shumë flasin? Çfarë mendime i rrahin tërë kjo klasë politike kur bëhen bashkë në odat e tyre, për të zgjidhur çështjet madhore? Hyn në fjalor dhe e kontrollon kuptimin e fjalës: Këshillim? Kush kë e këshillon: aktivi pasivin apo pasivi aktivin? Studiuesi amaterin apo amateri studiuesin? Ku u shkolluat ju, që të vije kjo ditë për ju e këshillat tuaja? E ardhmja ime, se po bëhem qesharak, varet diku prej këshillave tuaja? Na tregoni dy këshilla që na shpëtuan, na jepni tri këshilla që na dhanë jetë, ose rrëfeni dhjetë këshilla që na nxjerrin prej tunelit pa dritë.

***

E lexoj lajmin në portale, versionin e gjatë të tij, dhe nuk më tundon asgjë më shumë se fjala këshilltarë*

Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë

Kthehem te piramida dhe e kuptoj se, në këtë Kosovë, kur nuk ke çka bën, mendja jote automatikisht ka pjellur një këshillë që fluturon në ajër derisa e gjen viktimën e vet. Para disa vitesh, pata dalë në takim me një psikologe, sepse kisha nevojë për seks. Disa javë më vonë, edhe me një psikolog, por edhe me këtë nuk shkoi mirë për asnjë qëllim. Të dytë kishin nevojë për këshillim, siç kisha unë. Asnjëri edhe sot nuk i kemi 35 këshilltarë që paguhen prej parasë së skamjes. Kjo shoqëri nuk e ka dashur kurrë veten, askush se ka mësuar ta dojë veten, askush se ka mësuar asnjëri ta dojë vetveten, dhe prapë vazhdojmë të këshillohemi kokë-më-kokë, duke menduar se politikisht këshillimi është gjë e drejtë.

Të fundit

Të ngjajshme