Ndue Ukaj: Luigj Gurakuqi mbetet një rrëfim i pakryer, një rrëfim që duhet ta kallëzojmë shpesh

2 Mars, 2018 - 4:23 pm

Ndue Ukaj

Më 2 mars 1925, u vra Luigj Gurakuqi, një nga figurat më shembullore të historisë politike e kulturore shqiptare. Pa dyshim, Luigj Gurakuqi është personalitet shembullore në kuptimin e plotë të fjalës. Një intelektual dhe politikan i papërsëritshëm, i ndërgjegjshëm deri në pikën e fundit, “ndera e djelmnisë shkodrane”, siç shkruante Fishta.

Luigji mbetet njëri nga politikanët ma të përkorë dhe më të ditur shqiptar, dhe si i tillë, një shembull prej të cilit mund të frymëzohet secili prej shqiptarëve që e do vendin e vet.
Luigji mbetet një rrëfim i pakryer, një rrëfim të cilin duhet ta kallëzojmë shumë shpesh, dhe të cilin, e kemi detyrim moral t’iu përcjellim brezave që vijnë. Sepse, figura e tij, shndrit mirësi, urtësi, dashuri vepruese për kombin, kulturë dhe ndershmëri. Kësisoj, figura e tij rri fuqishëm karshi politikanëve me ndërgjegje të vrarë- aty këtu edhe dijetarëve të verbuar pas posteve dhe famës boshe.
Pa dyshim, “shtatlartësia e tij vazhdon t’i tregojë më të vegjël se kurrë xhuxhët e politikës së sotme”- shkruan Rudolf Marku.

Është e ditur se, figura madhore e Luigj Gurakuqit, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në lëvizjen për pavarësi kombëtare, dhe në aktin e shpalljes, më 1912. Mirëpo, ai u shqua edhe në fushën e kulturës, ku la shenja të dallueshme dhe origjinale.

Lazër Shantoja, shkruan kështu për figurën e tij: “Ka njerëz të cilët përmes forcës së sharmit të tyre, përfshijnë në vetvete një komb të tanë dhe kësisoj mund të drejtojnë aktivitetin e racës njerëzore…Luigj Gurakuqi kjé Ura e Artë e Bashkimit Kombëtar.. Ai dijti me ju dhanë shpirtë natyrave ma të ngathëta dhe me u ndalë hovin ekstremistëve ma të shtyemun. Aj kje si një fjaluer i domosdoshëm që do t’u konsultonte pa prà. Tash nga një ministër, mandej nga një malëcuer, ma vonë nga një dokushdo, nga- njëherë nga një përfaqësues i huej, një herë tjeter nga një gazetar…”

Figurat madhore, si ajo e Luigj Gurakuqi trazojnë ndërgjegjet e vrara, dhe ai shpeshherë tentohet të heshtet. Po, sepse shpërfillja është armik i përhershëm për njerëz me peshë, sidomos kur kjo vjen nga autoritet e rreme, nga xhuxhët e shumtë që di t’i prodhojë bota shqiptare. Puna dhe vepra e tij shembullore na detyrojnë që ta nderojmë atë dhe veprën e tij. Po, sepse Luigji mbetet pjesa ma sublime e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe politike.

Luigji përfaqëson një model, për të cilin kemi nevojë, sot, më shumë se kurrë. Por, edhe nesër, sepse ai është oksigjen që ndihmon pastrimin e mushkërive të ndotura të politikës dhe kulturës shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme