Në pritje të eksodit modern

1 Mars, 2020 - 6:02 pm

Nga: Bajram Mjeku

Nga dita e sotme, mijëra të rinj kosovarë do t’ia mësyejnë Gjermanisë për një vend pune dhe për një të ardhme më të sigurtë për jetën e tyre.
Për dallim nga paraardhësit e tyre, të cilët kur ia mësyenin Perëndimit ishin shumë më të lidhur me atdheun e tyre, fëmijët tanë të cilët pritet të ikin përmes një rruge më normale tash e tutje, jo vetëm që do të largohen pa ndonjë emocion të veçantë për vendin, por Kosovën e tyre do ta shikojnë edhe me përbuzje.
Është elita politike kosovare, e cila në dy dekadat e fundit, ua ka ndrydhur ndjenjën më të vogël për të qëndruar në Kosovë.
Edhe ata pak të rinj që kanë punuar me paga minimale, jo vetëm që janë përbuzur, por janë trajtuar si skllav nga të ashtuquajturit biznesmenë, prandaj motivi për ta braktisur vendin do të jetë edhe më i madh.
Brezi më i pikëlluar do të jetë brezi im, më saktë ne që krijuam familje gjatë dekadës së okupimit dhe mbijetuam ashtu si ditëm e si mundëm.
Fjala e urtë: “Fëmijët i hanë mollët dhe të vjetërve u mpihen dhëmbët”, duket se nuk qëndron, pasi në realitetin e ri kosovar ndodhi e kundërta!
Megjithatë, ne duhet të lutemi për fatin e fëmijëve tanë kudo që pritet të jetojnë ata, por mbani mend, lutjet tona nuk do t’i dëgjojë as Zoti në qytetet fantazmë… /KultPlus.com

Të ngjajshme