“Nuk e dua të pavdekshëm (në bust), e dua të gjallë”

31 Gusht, 2019 - 9:25 pm

“SHKAMAT”

Getoarbë Mulliqi Bojaj

Shkamat e autorit të dyfishtë, profesorit Fadil Hysaj, vinë në Etno Teatrin e Kukajt pikërisht në kohën kohën kur kujtohen 1648 shkama të cilët kanë mbetur bosh, e “pronarët” (lexo: të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë 1998-1999) nuk po kthehen as për arkivolet e tyre. Një çift i moshës së mesme të shtyrë pret të birin e tyre Shpendin tash e 20 vite që t’iu kthehet – i gjallë, ose i gjallë! Ky çift është secili familjarë kosovar; janë këta njerëz fatin e së cilëve mundëm ta shohim të shpaloset nga Sheqerie Buqaj dhe Xhevdet Doda, për të përjetuar kështu shpërlarjen e brendshme secili nga ne në sallë.

Një mishërim i “Karrigeve” të Joneskos, vjen në Ento Teatrin e Kukajt në versionin e “Shkamave” të profesor Hysajt, ku një çift ende vazhdon që për çdo përvjetorë të pres njerëzit që vinë për ngushëllime, ata që vinë për të hapur derë, dhënë e ndrydhur shpresa; për ta thelluar edhe më absurdin që ngërthen në vete kjo pritje me plot shpresë, për ata që nuk erdhën asnjëherë. Në fakt është pikërisht absurdi – ashtu siç e përshkruan edhe Kamyja “konfrontimi i dy të kundërtave, apo ‘divorci’ ndërmjet dy idealeve”, që e bën shfaqjen edhe më të prekshme dhe ndjeshme. Një nënë së cilës iu vra djali në sy dhe një baba i cili e varrosi të birin, për ta gjetur varrin bosh të nesërmen, ende mbajnë shpresë se ai djalë i cili u vra, varros, zhvarros e zhduk, do të kthehet që në 27 vjetorin e lindjes të martohet e t’ua mbushë nipa e mbesa oborrin. Konfrontimi i dy të kundërtave ndodhë ndërmjet dy personazheve, iu ndodhë personazheve me veten, iu ndodhë atyre të dyve bashkë me të tjerët dhe të tjerëve me ata. Në ndërkohë që nëna “flet” me të birin në telefon përsëri, babai ia kujton se ai telefon ka kohë që nuk punon – është edhe më e dhimbshme sesa që mund të duket në të lexuar.  Konfrontimi i vetes me veten kur nëna e cila po e pret të birin t’i kthehet, në çast i thotë burrit “duhet të të rrëfehem në rast se më lëshon zemra kur e shoh Shpendin” dhe e rrëfen ndodhinë e momentit kur Shpendi iu vra para syve. “Sa jetë të mirë që kishim” dhe “sa jetë të keqe paskemi pasë” është konfrontimi i radhës i cili ndodhë hë-për-hë dhe atë jo vetëm një herë – këtu duhet përmendur reminishenca e cila në teatër do mjeshtri të veçantë të sillet si e tillë, duke sjellë edhe emocionin e vërtetë të eventeve të së kaluarës; mjaftoi një krehje flokësh me gishta, një këngë dhe dy-tre shikime, ashtu që në skenë të mos jenë më çifti 50+, por të jenë dy të ri të cilët posa ranë në dashuri me njëri tjetrin. Në këto rrethana, ku kjo shtëpi tashmë kishte humbur sensin dhe data e vetme që kishte rëndësi ishte përvjetori i ikjes së Shpendit, gjegjësisht i pritjes së tij, mund të thuhet se ka “dorë” edhe Ekspresionizmi, nëse trajtojmë më ngusht personazhin e gruas. Personazh shumë kompleks dhe i lëvizshëm emocionalisht, më shumë duke luajtur me emocionet tona si shikues; në çast pranon atë që i ka ndodhur, refuzon të qajë dhe me këtë gjest kalon në emocionin tjetër ku po përgatitet për “dasmën e Shpendit” – bie fjala tek ngushëllimet që i bëhen për prindërit e vdekur ku ajo thotë “kurgjë s’ish vdekja e prindërve çka ish ajo e fëmijës” dhe në çast kthehet dhe merret me bukën e Shpendit të cilin po e pret në sofër. Kjo ka të bëjë mbase edhe me elementin e luftës i cili e përshkon tërë dramën, duke mos u etiketu, por duke dhënë emocion sepse ishte prezente edhe pas 20 vitesh dhe pasojat e saj po ndjeheshin sikur të ishin duke ndodhur aty për aty.

Nuk kishte ku të shkonte më shqip se kaq – dora e profesorit Fadil vërehet në sensin e humorit edhe në kulmin e shpërthimeve emocionale të çiftit, pikërisht atëherë kur edhe ne do të thonim se s’ka ku shkon më shumë, më rëndë se kaq, pikërisht aty regjisori na lejonte që të merrnim frymë e të lidheshim me momentin tjetër po aq të rëndë, saqë edhe në skenë të hapur të bën kalustrofob, në kuptimin që dëshiron me ikë nga ai moment edhe me e përjetu katarsën që po e pret të të ndodhë. Dhe gjetja me shkamat (lexo: ulëse tradicionale shqiptare me tri këmbë) apo edhe ngjajshmëria kryesore me “Karriget” e Joneskos, përpos që flet për pritjen e mysafirëve, sepse siç thotë edhe burri “Shtëpia është e Zotit dhe mikut”, si metaforë thotë se janë këta shkama të 1648 të zhdukurve të tjerë, të cilët i shohin vetëm çifti, por jo edhe ne. Dhe këtu nuk mund të mos përmendet mizanskeni ku personazhet nga dialogu kalojnë në monologje dhe indirekt rrëfejnë absurdin e këtyre 20 viteve të pritjes për ne, nëpërmjet “Shkamave” – me mysafirët apo edhe ata që ende nuk janë gjetur.

Një element tjetër identifikues i dramës dhe teatrit të profesorit Hysaj është edhe përmbledhja e realitetit, dromca nga jeta e përditshme të sofistikuara ashtu që të mos “pengojnë” në skenë. Trajtimi i personazhit të udhëheqësit të mirë në luftë e “profiter pas luftës”, të një kryetari mesatar i cili nuk është në gjendje të thurë as dy vargje për të zhdukurit, të veteranëve (edhe të atyre të rremë), të ushtarit i cili nuk ka as pension veterani e as bukë në sofër, janë vetëm disa nga elementet që e bëjnë edhe më të pranueshëm si stil.

Në tërë absurditetin e kësaj drame, (dramë si medium dhe dramë si emocion) emri i Shpendit dhe përmendja e vazhdueshme e shpezëve lënë të kuptohet se emri nuk mund të jetë rastësi. Pas sjelljes së bustit të gabuar pranë shtëpisë gruaja pasi që i bie të fikët ka një ëndërr/vegim të gjuetarëve që po vrasin shpezët; njëkohësisht ka edhe tregimin për një shqiponjë të madhe që e vodhi nga mama dhia një kec i cili posa kishte pi qumësht; thërmijat e bukës (që i kanë të mangëta edhe në sofrën e vetë) të cilat i ndajnë për shpezët. Një metaforë për shpezët është se ata kthehen me pranverën, mbase kjo ishte edhe shpresa e nënës për Shpendin e saj – këtë na lë ta kuptojmë “telefonata” e saj e fundit me Shpendin ku i tregon se shpezët ikën, por se ata mbase do të kthehen bashkë me të një ditë. Dhe sofra e saj, me bukën e Shpendit, me flijat që përgatiteshin në skenë dhe sofra që shtrohet për të gjithë, gjatë gjithë kohës ma kujtoi një nënë kosovare e cila pret burrin dhe djemtë e saj që t’i kthehen pas 20 vitesh dhe e cila çdo ditë ulet në tavolinën e bukës dhe e shtron për të gjithë familjen – por ama ajo ha e vetme.

Si shfaqje me motive tradicionale në të cilën përgatitet fli në skenë, janë mëse 50 shkama të vendosur nëpër skenë, nuk do të funksiononte njëjtë në skenë klasike, dhe gjithashtu edhe si dramë nuk do të përballohej në një ambient tjetër.

Ky zhanër ka leju që autori i dyfishtë të luaj me mënyrën e të rrëfyerit – rrëfimi pret rrëfimin, skena-skenën, emocioni-emocionin; pra një rrjedhë organike, edhe pse jo kronologjikisht e treguar, si ngjarje ka mbulu tërë kohën e kaluar që nga ndodhia e deri tek përvjetori i 20 – madje edhe të shkuarën me një reminishencë të shkurtër. Duke qenë e këtillë ka pasë nevojë të trajtohet duke gërmuar më shumë në të tashmen ashtu siç edhe ndodhi, sesa në atë se çfarë ka pasuar dhe në këtë formë kuptojmë krejt emocionet e përjetuara dhe ato të cilat po përjetohen. Me gjithë rrethanat e “çuditshme” në këtë tren emocionesh që të shpinte sa andej-këndej, për as edhe një moment të vetëm nuk pashë një kërkesë absurde – madje as atëherë kur nëna i kërkon të birit të vdekur, varrosur, zhvarrosur e zhdukur të kthehet, me celularin i cili kishte kohë që nuk punonte.  Është krejt njerëzore që një nënë të presë përjetësisht të birin, madje edhe atëherë kur iu thoshte të “tjerëve” se “Nuk e dua të pavdekshëm (në bust), e dua të gjallë”. Në tërë absurdin e kësaj shfaqje emocioni e mbyste logjikën, dhe nuk e lejonte të dukej tërësisht absurde!

Megjithëkëtë, Shpendi nuk vjen as në këtë përvjetor. Shpendi nuk ka për të ardhë as edhe në përvjetorin tjetër. Shpendi ia tha këtë nënës, nëna nuk u mërzit – qartazi më në fund e kuptoi se Shpendin e saj e “trembi” paqja që ajo bëri me vdekjen e tij, por asnjëherë me mos-kthimin e trupit, ashtu që të kujtohej siç i ka hije një të vdekuri. Nana na la të kuptojmë se përfundimisht ajo po shkon te Shpendi!/KultPlus.com

Të ngjajshme