“Për një kohë të gjatë, në shoqërinë shqiptare vajzat dhe gratë do t`i bartin pasojat e këtij mentaliteti”

3 Tetor, 2018 - 12:50 pm

Nga Sibel Halimi

Derisa në vendet e zhvilluara edhe një shikim i cili mund të jetë ngacmues dënohet, në Shqipëri dhe në Kosovë dhuna është multidimensionale, e pranuar dhe legjitimuar nga të gjitha mekanizmat shoqëror. Trajtimi që ia bëjnë mediat kohëve të fundit vajzës nga Shqipëria, tregon qartazi për një shoqëri e cila vazhdon të funksionoj sipas diktatit primitiv dhe patriarkal dhe i cili shumë pak duket të këtë dallim në mes të gjithë këtyre mekanizmave shoqëror dhe dhunuesit faktik. Mjafton një situatë të shpërfaq dhe të na kujtoj saktë se kush jemi dhe që ndryshimi vështirë të ndodhë edhe për një kohë. Kjo për faktin se misogjenizimi është duke u promovuar në çdo dimension të shoqërive tona.

Si mund të çuditemi, kur ka zhanre muzikore ku vajzat dhe gratë janë personazhet kryesore të inferioritetit, ku ato paraqiten që me dashurinë më të madhe pranojnë me qenë viktima, madje ndihen krenare për këtë rol. Andaj, jo rastësisht, Michel Foucaul shkruan se arkeologjia e dijes nuk është asgjë tjetër deri në mënyrën në të cilën i qasemi gjërave të caktuara.

Rrjedhimisht, fatkeqësia më e madhe është se një armatë e tërë teknikësh sot e zënë vendin e të vërtetave të tyre të cilat në një mënyrë a tjetër, të gjithë i shërbejnë një pushteti dhe çdo veprim a sjellje ose është disiplinim e kontroll ose dhunë.

Prandaj, me të drejtë Foucault shkruan se “Shtypja nuk është gjë tjetër veçse vënia në veprim e një raporti force të përhershme në gjirin e pseudo paqes civile, e cila është tërësisht e depërtuar nga lufta e pareshtur” prandaj, për një kohë të gjatë, në shoqërinë shqiptare, vajzat dhe gratë do t`i bartin pasojat e këtij mentalitetit të një politike militariste, e cila nuk po arrin asnjëherë të zhvilloj dhe të krijoj një shoqëri ku e drejta dhe mirëqenia janë një domosdoshmëri e jo luks!. /KultPlus.com

Të ngjajshme