«Père Lachaise», një qytet ndryshe nga të tjerët

10 Janar, 2018 - 2:41 pm

Shkruan Luan Rama (kronikë parisiane).

Brenda Parisit, ka një qytet tjetër që nuk ngjason me të, madje me asnjë qytet tjetër: është qyteti i të vdekurve pasi në mija vjet, të gjallët gjithnjë kanë banuar me të vdekurit, pranë tyre, me ta, me imazhin dhe prekjen e tyre në shpirt…

«Qytet i të vdekurve», pasi aty të vdekurit kanë ato mija shtëpi, herë të ngjashme, herë të ndryshme nga njëra-tjetra, herë me dhomëza të vogla dhe dritare, ku shpesh gjen portretin e xhamtë e ngjyrosur të virgjëreshës, ku veç drita e diellit që depërton, bën ta pikasësh atë. Një qytet më i gjelbëruar se vetë Parisi edhe pse është në cep të tij, atje në kodrinën që dikur e quanin «Mali i vreshtave» («Mont des vignes») dhe ku zogjtë e shumtë jetojnë në paqe, pemët fëshfërijnë si për të dremitur të vdekurit, kalldrëmet zgjaten tutje me ata gurë që janë lëmuar nga miliona këmbë që kanë shkelur dhe ku njerëzit sot ecin ngadalë, ngjiten për tek ish miqtë e tyre, meditojnë për jetën dhe kohën efemere dhe atë çka mbetet nga një jetë e jetuar, pasi në fund të fundit, të pasur e të varfër, perandorë, princa e presidentë, njëlloj përfundojnë si të thjeshtët, ustallarët e gjer tek njerëzit anonimë. Ajo që mbetet është thjesht kujtesa dhe krijimi.

Ky qytet quhet «Père Lachaise» në kujtim të abatit të famshëm jezuit La Chaise, i cili kishte aty shtëpinë e tij dhe ku vinte të rrëfehej dhe mbreti i ri Louis XIV. Është varreza e madhe e «Père Lachaise», vend i cili me vdekjen e abatit dhe falimentimin e të vëllait, u shit dhe më pas u kthye në varrezë dhe kjo duke filluar me varrimin e parë të një vajze pesë vjeçare, Adelaide, në vitin 1804. Ky ishte preludi i kësaj varreze të vogël e cila më pas do të zmadhohej aq sa brenda pothuaj 30 vjetësh ajo do të mbante nën vete 33 mijë të vdekur. E parapëlqyer nga të gjithë, këtu i sollën të prehen dhe të mëdhenjtë e Francës apo të kësaj bote si, artistë, letrarë, politikanë, shkencëtarë, filozofë të mëdhenj dhe jo vetëm francezë, pra gjenitë e kohës.

Këtu në «Père Lachaise» fëshfërijnë gjethet e blirit e të dushkut, të gështenjës dhe plepit apo të bajames kur është në lulëzimin pranveror; këtu dëgjon këngën e zogjve të shumtë, bilbilëve dhe harabelëve, mëllenjave dhe gushëkuqve, ku nuk mungojnë as krakëllimat e sorrave e laraskave apo zërat e kukumjaçkave dhe lakuriqëve të natës. Por këtu është vet paqja dhe ka vend për të gjithë krijesat e natyrës, madje dhe për ata që vijnë thjesht të meditojnë për jetën dhe vdekjen, për të gjetur zgjidhjen e një brerjeje ndërgjegje dhe për të shlyer në një farë mënyre fajin e bërë ndoshta pa dashje… Një ditë e veçantë është padyshim «Dita e vdekurve», ajo ditë kur njerëzit vijnë të kujtojnë të vdekurit, të gjallët të pikëtakojnë të dashurit e dikurshëm, të thjeshtët apo gjenitë. Më kujtohet si tani varrimi i Yves Montand atë fillim nëntori të vitit 1991 kur turma linte rrugën që vinte nga Bastille për të hyrë në portat e mëdha e të rënda të «Père Lachaise».

Dikush këndonte këngën e tij me tekstin e Prevert «Gjethet e rëna»… të tjerë e shoqëruan, në hyrje shpërthyen duartrokitje, ndërkohë që ne ndiqnim arkivolin e tij. Jo larg me parcelën e «Komunarëve» të Parisit, ai u vendos afër varrit të poetit të madh të Rezistencës franceze Paul Eluard dhe të majtëve të tjerë francezë… Shpesh, janë miqtë e mi që vijnë në Paris, të cilët meqë kanë dëgjuar për «Père Lachaise», më kërkojnë ti shoqëroj ta shohin dhe për mua udhëtimi atje është gjithnjë i këndshëm, pasi gjithnjë do të shohësh diçka të re arkitekturale, një emër, një epitaf interesant, varre të autorëve që ke lexuar apo historianëve dhe udhëtarëve që kanë hskruar për Shqipërinë e shekullit XIX apo fillimet e shekullit XX. Dhe atëherë ne u ngjitemi atyre kalldrëmeve, me tabelat shoqëruese e kuadratet zbukuruar plot statuja e relieve çka dëshmojnë diçka nga jeta e banorëve të tyre. Dikush është me një paletë në dorë dhe menjëherë e kupton se ke të bësh me një piktor të dikurshëm. Afrohesh, lexon, përpiqesh të sjellësh në mendje pikturat e tij dhe vazhdon më tej ku libri apo instrumenti skulptural të bëjnë të mendosh se janë shkrimtarë apo muzikantë.

Virtuozët e muzikës janë ngado këtu, Bellini, Rossini, Bizet… Kudo janë shenjat e dashurisë e të përkushtimit. Madje diku, një skulpturë tregon një burrë të shtrirë që mban në duar kokën e të dashurës apo gruas së tij. Kalojmë pranë varrit të Georges Mustaki dhe dëgjojmë këngën «Le Meteque». Përshëndesim Balzakun me bustin e tij dhe ndalojmë në varrin e Proust ku në imagjinatë na shfaqen figurat e Swan apo të zonjave në sallonet e tyre letrare, vazhdojmë më pas tek Colette që priste vdekjen nga dritarja e saj, apo aktorja e famshme Sarah Bernardt pas së cilës ranë në dashuri një plejadë artistësh e shkrimtarësh. Më tutje, Chopin i rrethuar nga një gardh ka mbi një piedestal portretin e tij, por zemra e tij nuk është aty. Tregojnë se meqë ai kishte frikë mos e kujtonin të vdekur dhe e varrosnin të gjallë, muzikanti i famshëm e kishte lënë porosi që pas vdekjes zemrën t’ia merrnin dhe t’ia varrosnin në një kishë të Varshavës. Dhe ashtu u bë…

Më tej është varri i Edith Piaff dhe ja ku dëgjojmë në vetvete këngën e mrekullueshme të saj «La vie en rose». Dhe kënga nderet si për të paqtuar të vdekurit, si për tu kujtuar atyre vazhdimësinë e jetës… Po, jeta në ngjyrë rozë, jeta e saj mes aq shumë dashurive, ashtu si ajo e isadora Duncan, që pas vdekjes së dy fëmijëve të saj të mbytur në Senë, jetoi gjashtë muaj në Sarandë të Shqipërisë, ku tragjedia e madhe e një populli që i ikte tragjedisë së Luftës Ballkanike, e bëri ta kapërcejë dhimbjen e saj dhe pikërisht atje, ajo rigjeti përsëri pasionin për tu ngjitur në skenë dhe për të kërcyer zbathur në një dans të pafund në skenat e botës… E duke vazhduar kështu mund të ndalosh dhe në varrin e ish konsullit francez Auguste Dozon në vitet 1869-1874 në Janinë, i cili e vizitoi Shqipërinë dhe mblodhi e botoi thesaret e bukura të folklorit shqiptar. Kur Beti Njuma realizonte filmin dokumentar për Léon Rey, zbuluesin e parë të Apollonisë së Ilirisë, bashkë me djalin e tij, Jean-Gabriel, ne shkuam në «Père Lachaise» të xhironim dhe varrin e tij. Kur iu afruam, «shtëpizës» buzë kalldrëmit, ai nxori çelësin dhe hapi dyert si të hapte dyert e një shtëpie. Aty ishin vitrazhet e dritareve, aty ishin varret familjare, mes të cilave dhe ai i Léon Rey-t. Qirinj, virgjëresha në miniaturë, kryqe… një kuvendim «post-mortum». Padyshim gjithë kjo ishte shprehje e një kulture për njeriun pas vdekjes.

Një tjetër herë isha me restoratorin e njohur Frederik Stamatin, i cili donte të zbulonte pikërisht Parisin e kulturës, Parisin e historisë. Dhe historia këtu të ngjan e pafund, pasi në «Père Lachaise» gjen banorë të ardhur nga e gjithë botë, diçka që më kishte habitur së tepërmi në vizitën time të parë kur rastësisht kisha ndalur në një varr dhe kisha parë se çuditërisht aty prehej Miguel Asturias, shkrimtari i romanit tim të preferuar në atë kohë «Papa jeshil»… Kurrë nuk e kisha imagjinuar se mund ta pikëtakoja një ditë, qoftë dhe varrin e tij. Dhe kështu, atë ditë, me Fredin ne shkuam në varrezën e komunarëve të Komunës së Parisit, pasi për këtë varrezë është shkruar shumë. Aty është dhe muri ku më 28 maj 1871 janë pushkatuar 147 komunarë të Komunës së Parisit nga ushtarët e Adolphe Thiers. Dhe emocionet padyshim ishin të mëdha se të gjithë të pushkatuarit, atje në “Mur des Fédérés” u hodhën në një gropë të përbashkët… Duke shkuar një ditë drejt varrit të Jean Moreas, të poetit arvanitas nga Hidra, poetit që krijoi «Shkollën e Simbolizmit Francez» në Paris, mikut të Verlenit e të Malarmesë, duhet të kalosh anash varrit të Jim Morisson, gjithnjë të mbuluar nga puthjet me buzë të kuq, dedikimet e shkruara, një cigare, vizatimi i një shishe whisky… Për Moréas kisha shkruar një libër dhe më duhej një fotografi e varrit të tij, edhe pse aty ishte vetëm hiri i tij, pasi ai kishte kërkuar ta digjnin në krematoriumin e «Père Lachaise». Apollinaire, që e mbante si mjeshtrin e tij, atë ditë që digjej ishte aty. Po kështu dhe Paul Valery, i cili e kujtonte me trisht atë ditë duke shkruar: «… Papritmas pashë tymin, tymin e eshtrave të Moréas-it. Meqë krematoriumi është me gaz, një tym i lehte, i kuq dhe në të zezë ngrihej lart: gjithçka e tij shkonte në ajër dhe shpërndahej mbi pemët si një re. Mund të thuash çdo gjë rreth asaj skene, por përshtypja që pata ishte e hatashme dhe idiote. Kufoma që varroset është diçka e veçantë. Është një objekt midis objekteve, siç mund të thoshte dikush: «ai i ngjan vetëm vetvetes”. Ndërsa ai tym ishte një motërz e padallueshme e gjithë tymrave të Parisit. Vështroj rreth meje dhe vë re, apo ashtu më duket, se askush nuk vështron lart. Ka nga ata që pinë cigare. Askush nuk e sheh atë tym aq të zakonshëm. Ad libidum. Dhe kështu unë mendoj sesi njeriu përfundon si tymi i një cigareje. Përfytyroj ndërkohë Moréas-in që ndez këtë cigare të fortë dhe jo të mirë … Kjo furrë me oxhaqet binjake më ngjan me një lloj anije që në furrat e saj do të djegë poetë. Atëherë ika në metro, ndërkohë që në krematorium fjalimet duhej të vazhdonin… Më vjen keq për të që e njoha vonë dhe lumturisht në epokën kur ai ishte bërë mjaft i këndshëm. Ne kishim një lloj intimiteti në ato orë që uleshim në kafene rrotull një kafeje… Dhe të thuash se dje e pashë të nderur në atë erë të lehtë të veri-lindjes, kjo është absurde! Natën e mirë miku im… » Ishte viti 1910. Tetë vjet më vonë do të vdiste dhe Apollinaire, poeti më i madh i simbolistëve, atë ditë që lufta e madhe botërore kishte mbaruar dhe kur ai donte të niste një jetë të re! Miqtë e tij të afërt, Picasso, René Char, Cocteau, e të tjerë, dy ditë më vonë ngjisnin kalldrëmet e «Père Lachaise» për ta lënë më së fundi të prehej në vetminë e tij…

Fate dhe supersticione

Ky qytet të vdekurish është një minierë e vërtetë historish nga më të jashtëzakonshmet. Një nga këto varre është dhe ai i braziliant me pseudonimin Allan Kardec, themeluesit të spiritizmit dhe njeriu çuditet se përse ai varr është i rrethuar gjithnjë me aq shumë lule. Por dhe kjo e ka një domethënie sepse para se të vdiste, autori i «Ungjilli sipas spiritizmit» kishte thënë: «Pas vdekjes, nëse ju vini dhe më prekni zverkun në skulpturën time, duke thënë pastaj një dëshirë, nëse kjo u realizohet, ejani përsëri dhe më sillni një tufë me lule »… Jo rrallë njerëzit janë supersticiozë dhe ai varr ka gjithnjë vizitorë dhe lule. Duart zgjaten dhe prekin zverkun e skulpturës së tij e më pas sjellin lule. Spiritzmin ai donte ta ngrinte në shkencë, aq sa dhe Hugo apo Flammarion besonin në një fuqi të fshehtë… Kjo është fuqia magjike e atij varri. Dhe jo vetëm kjo. Një tjetër varr me një skulpturë mbi të, me pamjen e një djaloshi të ri të shtrirë me fytyrë nga qielli është gjithnjë i rrethuar me njerëz. Madje rojet e varrezës janë vigjilentë sepse një supersticion vërtitet mbi figurën e atij djaloshit. Eshtë Viktor Noir, një gazetar, kryeredaktor i një reviste parisiane, i cili u vra me pistoletë në grindje e sipër nga nipi i Napoleon Bonapartit në moshën 21 vjeçare. Por meqë skulptori që i bëri skulpturën i mori masat reale sipas një kallëpi, kur statuja u derdh doli që tek pantallonat ku zbërthehet dukej si shumë e fryrë. Vallë ishte reale?… Sidoqoftë legjenda u përhap se po të prekje atë vend, gratë bëheshin pjellore dhe ashtu si në antikitetin grek, përsëri historia e fertilitetit duke prekur organet e hyjnive. Disa nga gratë parisiane, ato që s’lindnin, vinin dhe preknin atë vend të bekuar nga supersticioni dhe jo nga Zoti… aq sa vendet e fërkuara sot shkëlqejnë, e jo vetëm aty, por edhe buzët… madje supersticioni shkonte deri aty saqë dhe po të preknin ashtu mbuluar me seksin e tyre këpucët e tij, përsëri pjelloria femërore do të rivinte. Por kishte nga ato që dhe hipnin mbi të, aq sa më në fund doli urdhëresa e bashkisë që kundravajtësit gjobiten për «imoralitet» deri në 15.000 euro sipas Kodit Penal! Pak më tej një lloj mazoleu pompoz është ngritur dhe njeriu pyet veten se përse ku varr kaq hijerëndë dhe i madh.

Është varri i një princeshe ruse, me emrin Strogonoff-Dominoff, e cila duke qenë mjaft e pasur, në prag të vdekjes thonë se kishte lënë me testament se kush rrinte pranë varrit pa ndërprerje gjatë 365 ditëve (vallë mos donte kështu të kishte një roje për mbrojtjen e saj ?), në fund ai do të shpërblehej me një shumë të jashtëzakonshme florinjsh. Disa e provuan por pas një jave askush nuk kishte rezistuar pasi kishin frikë se çmendeshin, dhe varri sot ka mbetur i heshtur, me premtimin e dhënë…

Sot janë të rrallë ata që varrosen në «Père Lachaise» pasi varrezat janë plot dhe s’ka më vende të lira, veç në varret familjare. Varrmihësit duken rrallë, jo si në kohët e arta të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Tregojnë se varrmihësit atëherë pinin pa meze dhe nuk i takonin gotat për të uruar për shëndetin, pasi për ta, shëndeti i mirë do të thoshte papunësi. Ai që ngrinte dolli për përjetësinë përjashtohej nga rrethi i tyre… Natën, dyert e varrezave mbyllen. Portat janë memece, kalldrëmet të heshtura. E ç’mund të ishte një kalimtar i vetmuar në një qytet të tillë ndarë në lagje, si vetë Parisi, ndarë në kuadrate si Division 20, Division 105, Division 89… si të ishin pjesë e një armate. Për ç’luftë?… Por gjithçka këtu tregon veçse kulturë. Pasi s’mund të ndodhte të kishte bunkerë si tek ne, që i vdekuri të bashkëjetonte me luftën imagjinare si në shkretëtirën tartare të Buzatit.

Ndërkohë që shkruaj këto rrallë, imagjinoj atë qytet të heshtur pas mesnate, me dritën hënore që bije mbi statujat dhe mermerët e varreve, shkëlqimin e argjend mbi relievet dhe mbishkrimet, mbi ato dritare me vitrazhet shumëngjyrëshe religjioze dhe nuk di pse në atë errësirë, në atë përgjumje te botës nën fllad, mu shfaq përsëri figura e atij burri të shtrirë prej bronxi i cili mbante me aq dashuri kokën e asaj gruaje, sikur të kishte dashur të mos ndahej nga ajo, apo si të donte ti jepte dhe një puthje të fundit. Ajo dritë e bukur hëne më bëri ta harroj realitetin morbid, ti harroj kufijtë njerëzorë dhe fatalitetin e njeriut dhe të shoh në ata duar anonimë se pikërisht aty mbahej peshë bota, jeta, pasi në themelet e gjithçkaje është ai pulsim zemre që ne ndodh që nuk e dëgjojmë…

Të ngjajshme