Piktorët në kohë të rezistencës

11 Korrik, 2025 - 2:54 pm

Shkruan. Avni Spahiu

Piktura, bashkë me muzikën dhe artet përgjithësisht, është një nga mrekullitë më të mëdha të shpirtit njerëzor. Sa i përket pikturës secili dëshiron ta kuptojë atë, jo vetëm për të vënë në spikamë qëndrimin e tij  ndaj së bukurës dhe estetikës, por shpesh edhe për  të dëshmuar shijen e vet fine ndaj pikturës. Se kjo i bënë ata të  duken më të avancuar kulturalisht  dhe  më të edukuar në sytë e të tjerëve. Secili njeri flet për të, e interpreton në mënyrën e vet, duke gjetur diç esenciale, shpirtërore në të. Por, në këtë rast, unë dua të kaloj përtej një identifikimi, vlerësimi dhe shijimi të një vepre apo të disa veprave të vetme arti që do të mund të më pëlqenin dhe që mund ta bëjë çdo kush. Fare  lehtë do të zgjidhja një a  dy piktura të njohura dhe  do të thosha: ja kjo është shija ime… Dhe,  ato do  të mund të ishin vepra të shtrenjta të pikturës botërore, apo vepra të mëdha të piktorëve tanë… Përtej kësaj, kam pritur shumë gjatë për një rast  që të shpreh respektin e merituar për një plejadë të tërë piktorësh tanë, në Kosovë, të mjeshtërve dhe emrave të shquar të një plejade të tërë artistësh figurativë të këtij trualli që lanë gjurmët e tyre në artin tonë figurativ

Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në kuadër të rezistencës së gjerë shoqërore në Kosovë, ishte edhe ai që quhej “art i rezistencës” që përfshinte angazhimin e pothuajse të gjithë artistëve dhe piktorëve të Kosovës, të njohur e më pak të njohur, që përmes  artit të tyre figurativ u bënë pjesë e këtij manifestimi të hapur estetik të protestës si formë e kundërshtimit dhe refuzimit të realitetit që i ishte imponuar Kosovës. Si dukej dhe si qe e mundur përthyerja e  një arti të tillë në atë atmosferë ngulfatëse për artet dhe për tërë jetën kulturore në Kosovë? Dhe, cili ishte  efekti?

Arti qe kultivoi kjo plejadë ekspozuese e artistëve tanë ishte i kuptueshëm, i shprehur kryesisht përmes tablove realiste ku dominonte ngjyra e zezë, pa avangardizmin abstrakt që nganjëherë rezulton me shpërthime të rastësishme. Ishte art me preokupim dhe tematikë të njohur për ne, artikulim i identitetit tonë në këto hapësira, i këndimit artistik shpirtëror të njeriut tonë në ecjen e tij nëpër histori dhe aktualitet. Kishim të bënim me personalitete te ndryshme artistike, qasjesh e stilesh, por me një vijëzim të identitetit tonë etnik, historik, kulturor. Por që tani reflektohej si revolt. Si tek veprat e Rexhep Ferrit të torzove domethënëse, Muslim Mulliqit, të Engjëll Berishës, tek Gjelosh Gjoka, Shyqri Nimani, Zake Prelvukuaj, Nebih Muriqi, me imazhet e lashtësisë shqiptare-pellazgiane në ciklin e tij “Pellazget”, tek Hysni Krasniqi, Mustafa Ferizi, Hajrush Fazliu, Esat Valla, Eshref Qahili, Gani Gashi, Mehmet Behluli, e  të tjerë. Atëbotë disa prej piktorëve të shquar ishin “strehuar” nën ciklin e “Dardanëve” ku bëhej trajtimi i identitetit historik, kulturor, mitologjik, gjenetik i qenies sonë, që ishte në atë kohë një angazhim plotësisht patriotik i artistit tonë mes dyzimesh që cytnin dellin dhe talentin artistik krijues dhe dëshirës për të kontribuar si ndërgjegje dhe zë patriotik. Dhe, këtë e shprehnin jo në institucionet e tyre të zakonshme por nëpër kafe-galeri, në holle dhe hapësira të hapura korridoresh…  

Gjatë luftës shumë prej këtyre piktorëve iu shkatërruan veprat jetësore. Punime të tëra të famshme u dogjën, u grisën, u demoluan, apo u hodhën nëpër koshë mbeturinash. Shqiptari nuk duhej të ishte piktor! (Por, jo vetëm piktorët humbën veprat e tyre – më kujtohet skulptori nga Drenica, Aziz Islami, i cili arriti në Prishtinë kur nisi lufta në Drenicë dhe pikëllimi i tij më i  madh ishte se si skulpturat me portretet e personaliteteve të njohura kombëtare, që kishte  bërë ai vetë, kishin mbetur tani të hedhura dhe të rrëzuara nëpër arat dhe përrenjtë e vendlindjes së tij, pasi ishin shkatërruar nga pushtuesi!)…

Kam menduar që ky të jetë një dorështrëngim për piktorët kosovarë të paraluftës, ndërkohë që korifenjtë e mëdhenj të pikturës shqiptare janë në që ty anët e kombit, sidomos në Shqipëri. Mirënjohja për ta ka  të bëjë me  vlera të  vërteta arti. Emrat e tyre janë të shumtë dhe  ata paraqesin një dëshmi të pasurisë së  qytetërimit shqiptar. 

Në një aspekt më të gjerë, ndërkaq, piktura shqiptare në përgjithësi ka pasur një traditë dhe vlerë të paçmuar. E kam fjalën si për emrat e lashtësisë  së pikturës shqiptare, si Onufri i Korçës, Viktor Karpaçi i shkollës veneciane, etj. E deri në piktorët modernë. Por ajo që më ka intriguar  gjithmonë në këtë aspekt është ajo se si piktorë të njohur të huaj, që nga  Renesanca, kanë pasur shqiptarët si objekt të pashmangshëm të brushës  së tyre? Si ndodhi që piktorë si francezi L. Zherom, që pikturonte “arnautët” me fustanellë, Hobhaus i pasionuar me peizazhet shqiptare  dhe Thomas Filips, që bëri portretin e Bajronit në kostum shqiptar, të bënin disa  prej portreteve më të mira  të shqiptarëve që stolisin muzetë europiane? Apo, se si bën që gruaja shqiptare ishte objekt i pothuajse çdo portretuesi europian që nga shekulli shtatëmbëdhjetë e deri tek ai nëntëmbëdhjetë? Që  të  gjithë këta piktorë i referohen bukurisë së gruas shqiptare, portretet e  së cilës dekoronin salonet dhe shtëpitë aristokrate anembanë Europës. 

Sa mirë do  të ishte që të mblidhen të gjitha këto “Monaliza” shqiptare në një botim të vetëm reprezentativ dhe të ruhej në çdo shtëpi të shqiptarit…

(Në “Arti i bashkëbisedimit”, 2024)   

Të ngjajshme