Prej shqiptares në jazz

25 Tetor, 2021 - 1:39 pm

Nga Ballsor Hoxha

I

Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

II

Prej jazz në shqiptaren

III

Dafina Zeqiri – jo, a man, por woman me plan!

IV

Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

V

Prej shqiptares në jazz

A mund të kontrollohet muzika? A mund të kontrollohet zëri? Nëse teknika e muzikës dhe teknologjia e kanë arritur këtë, atëherë a mund të kontrollohet ndjesia e dëgjuesit të muzikës?

Ndoshta muzika ka qenë një ndër kështjellat e vetme, dhe të fundit ku është mbrujtur dhe thurur megalomania patriotike dhe kombëtare, në tërë botën! Dhe, shikuar logjikisht, e që del të jetë krejtësisht banale, për shkak të thjeshtësisë së saj, muzika – çahet – dhe “degjenerohet” nga patriotizmi dhe kombëtarja pikërisht me kompleksin e lindjes dhe të inaugurimit të xhaz muzikës. Xhaz i lindur nga përmbysja e muzikës së kaluar në impotencë e perëndimit, pikërisht për shkak të mbylljes së saj në një qark shprehjeje, e – çanë – për herë të parë këtë kështjellë, dhe atë pikërisht përkundër shtypjes dhe robërisë së saj, aty ku lind, në kolektivet afrikano – amerikane.

Xhaz është në të vërtetë një dhe i vetmi burim i – çarjes – së muzikës deri në bashkëkohoren tonë. Sa më shumë që eksplorohet estetika dhe teknika muzikore, së paku e asaj moderne, posaçërisht duke përshirë muzikën e ashtuquajtur – klasike, ajo del të ketë dy rrënjë: latino amerikanen dhe më thellë afrikanen. Aq më shumë duke përvijuar dhe duke hapur vetë historinë dhe ekzistencën e njerëzimit në tërë të diturën e tij.

Duke u nisur nga vetë zanafilla e mendimit, krijimit, dhe kritikës e filozofisë bashkëkohore, prej Heidegger dhe Maurice Blachot, le të gjurmojmë lindjen e kësaj – hapjeje – që u cek më lartë, si arti, si filozofia dhe si sociologjia jonë.

I pari, pra Heidegger, e sheh artin si – hapje, dhe më pas si – çarje – (‘rift’ nga anglishtja), ku përhershmëria e Tokës (si natyrë e fizike), dhe sajimi dhe ndërtimi njerëzor i asaj që e quajmë – Botë -, hapen përmes njëra tjetrës, dhe njëra në tjetrën, si masa dhe edhe psikë e vëzhgimit njerëzor, dhe aq më shumë janë në mishërim dhe konflikt me njëra tjetrën. Si hapje tej – vetëdijes – së sajuar, si hapje tej Publikes (prej Kierkegaard).

Pikërisht – çarja – dhe – hapja – e Heidegger, tek Maurice Blanchot, janë mungesa e kuptimit e cila  për shkak të kësaj, gjithmonë ka qenë dhe kalon në shënjueshmëri të pafundme. Gjë që sipas tij, është vetë gjuha; dhe më thellë në këtë, vetë imazhi. Nëse një herë kemi – prerë – imazhin nga objekti, qoftë nga guri apo nga një sajesë njerëzore, kjo është pikërisht – çarja Hedegerriane – e cila më nuk ka kthim dhe më tutje është e pafundme. Gjë që ndodhë me gjuhën: nëse fizikja e objektit të cilin e emëron gjuha është bërë psikike, një herë, ajo në të vërtetë do të emërojë në përhershmëri dhe aq më shumë në pafundësi konotacione të saj, gjithherë në mungesë të kuptimit definitiv, dhe gjithherë në pamundësi të caktimit të një fundi të kuptimit. Gjë që në fund krijoi modernizmin, e themeloi atë (edhe pse kjo nisë me Niçe), dhe aq më shumë -hapi – pafundësinë e të vërtetës sonë.

Duke marrë shembull këtu Fashion, si masë sociologjike e njerëzimit, të shtrojmë pyetjen: nëse aktualisht vishemi si në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, a nuk është kjo eksplorim i kësaj pafundësie të – imazhit – siç u parafrazua Blanchot?  Apo pafundësi e kuptimit, kjo duke qenë aporia në të veshurit sot si në atë që ka kaluar, dhe duke e quajtur më e reja, vetë e sotshmja.

Pastaj dhe duke ia shtuar këtij fenomeni edhe trendin e bartjes së emrit të disenjatorit, i cili as nuk ka qenë i lindur në periudhën të cilën e inauguron, pikërisht mbi veshjen tonë të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. A nuk është kjo – çarja – heideggeriane dhe pafundësia e shënjueshmërisë së Blanchot? Apo, për t’iu referuar bartësit të këtyre teorive, Derrida, a nuk është kjo – çarja – (differance) e të – tashmes -, të vërtetës më saktësisht? Duke qenë se të shkuarën e marrim si një gjë të prerë nga jeta jonë, të tashmen si të përhershme (duke bërë të pa vërejtshme vdekjen me këtë, Heidegger), a nuk është kjo hapje, dhe mishërim dhe – çarje (the rift Heideggerian) i asaj që një herë e kishim shndërruar në imazh nga objekti (Blanchot)? Thënë më thjeshtë, a nuk është kjo – differance – e qëniesimit?

Duke iu kthyer jazz, le ta shtrojmë po të njëjtën përmes muzikës jazz. Cila ishte e para, apo çka ndodhë së pari? Muzika, arti dhe ndër – kulturorja, si në rastin e Poetëve simbolistë francez, dhe pastaj modernizmi në filozofi e qoftë edhe në religjion: apo në të vërtetë së pari mendohet, arrin të etablohet në filozofi dhe pastaj kalon në mënyrë jete? Sepse, ishte jazz, në të njëjtën kohë me themelimin e filozofisë simboliste, modernizmin dhe edhe me Heidegger, dhe Blanchot, që ndodhën relativisht në të njëjtën kohë, dhe aq më shumë ushqyen njëra tjetrën, nëse jo në mënyrë direkte, së paku spontanisht. Sigurisht Heidegger nuk ishte shijues i Jazz, dhe aq më shumë jazz-i nuk kishte idenë e filozofisë së Heidegger, por në të vërtetë filozofia e Heidegger buron nga revolta dhe -kalimet në religjion, në kohën e tij. Më tutje, në të vërtetë, të gjitha ndodhën në të njëjtën kohë, dhe të gjitha ende vazhdojnë të hapen tutje dhe më thellë, në – çarje – dhe differance të shënjueshmërisë së pafundme. Në pafundësi kuptimi.

Pra, në të njëjtën kohë Fashion është hapje e, qoftë të – tashmes – sonë, qoftë të psikes sonë, qoftë të kohës në diakroni dhe rrënim të lineares së saj, dhe jazz duke thirrur (nëse muzika bën ndonjë gjë tjetër përpos që thirr!) kujtesën e tokës dhe të tërë historisë së njerëzimit. Dhe kjo duke mbetur dhe duke qenë vetë e – sotshmja jonë.

Natyrisht, ky është spekulim, dhe aq më shumë njëlloj revolte ndaj historicizmit dhe të referencave dhe të citimeve akademike, etj.; dhe aq më shumë është spekulim, në stilin dhe ndikimin e Kierkegaard (për autorin), si përvojë dhe përsiatje jetësore, por jazz muzika, është e pamohueshme në tërë teknikat dhe shprehjet e saj si lindje dhe bashkë – lindje e njerëzimit në një fazë të re të tij, dhe edhe bashkëkohore e jona e cila përballë këtë përsiatje me këtë kompleks dhe fenomen.

Jazz-i lindi dhe u etablua si revoltë, primitivizëm, naivitet dhe pasion e ikje nga skemat “shterpe” ku ishte kufizuar dhe kishte mbetur (imazhi) objekti i muzikës klasike (siç edhe e merr shembull Blachot gjuhën!). Ai lindi si që njihet në zhargonin dhe teorinë muzikore me teknikën dhe skemën e të bërit muzikë nga afrikano amerikanët përmes të ashtuquajturit – rag – të muzikuar. E që është braktisje, revoltë dhe përmbysje e skemave të kësaj kohe të lindjes së tij dhe të jazz: më tutje po e njëjta muzikë krijoi, dhe arriti të inaugurojë shpikjen më të madhe të njerëzimit deri në bashkëkohësinë tonë e që është – sinkopimi – , së paku në muzikë. Kjo duke qenë vetë – improvizimi – i themeluar si teori dhe teknikë në muzikë në përgjithësi, dhe aq më shumë në tërë qëniesimin tonë!

Saktësisht, jazz-i, – rag – i tij, sinkopimi muzikor, dhe improvizimi – mbi – skemat ekzistuese të muzikës, pra jazz është vetë – çarja – (the rift) e primitives njerëzore, duke u kthyer në kujtesë të Tokës (sikur që thotë Heidegger), dhe hapje e botës si ndërtim dhe sajesë e njeriut. Janë – çarje – dhe mishërim i të dyjave.

Nëse modernizmi, sipas teorive kreative (lexo: të guximshme) ishte paranojë e njerëzimit, thuhet se ajo që pasoi e që u nocionua si post – modernizëm, në të gjitha stratat e njerëzimit, është skizofreni. Por, kjo e ka edhe referencën, e po të njëjtës kohë me lindjen e fenomeneve që u cekën më lartë (simbolizmi, religjioni, filozofia etj) e që është puna e Melanie Klain rreth tri fazave të zhvillimit të psikes së fëmijës. Dhe nëse këto dyja na përputhen, referencat për skizoidësinë e njerëzimit dhe të punës së Melanie Klain, jazz është ekzakt skizoidësi në vetë tri motorët dhe karakteristikat e zhvillimit dhe të tij, e që janë: sinkopimi, rag dhe improvizimi. Janë ekzakt skizofreni.

Por çka nënkuptohet, si në punën e Melanie Klain dhe po ashtu edhe në nocionimin e post – modernizmit, bashkëkohësisë sonë, si skizoide? Kjo është në të vërtetë konflikti, ndërthurja dhe mishërimi i, thënë shkurt dhe në esencë, të keqes së përhershme dhe të prerë me të mirën po ashtu të përhershme dhe të prerë. Pandashmëria e tyre dhe pamundësia e të jetuarit të tyre prerazi.

Përfundim – Xhazi, jazz muzika

Shikuar dhe vëzhguar me kujdes, në të vërtetë, e tërë muzika, së paku duke vëzhguar muzikën jazz, janë kujtesë. E kujtesa kthim në naiven, në primitiven dhe më tutje në Tokën heideggeriane.

Janë po e njëjta – hapje – sipas Heidegger, dhe më tutje, -kalim në – differance – derridiane, prej ku edhe themelohet mendimi bashkëkohor i njerëzimit! Differance ndërmjet vetë të vërtetës dhe të ‘padrejtësisë së të vërtetës’. Differance ndërmjet vetë qëniesimit, sipas Heidegger, në kujtesë të Tokës, dhe në të – tashmen – e njerëzimit. Vetë pranimi i gjurmëve, dhe pashlyeshmërisë së tyre nga qëniesimi jonë. Vetë e vërteta e njeriut me vdekjen e panjohur, të papërjetueshme, apo edhe që ndodhë pavarësisht megalomanisë sonë mbi dijen dhe përvojën.

Jazz është përpjekja, lufta, çlirimi shpirtëror, dhe aq më shumë qëniesimi i një kolektivi të robëruar, dhe në ankth të zhdukjes.

Jazz është drejtësia poetike, dhe edhe ngadhënjimi i qëniesimit mbi çmendurinë e skllavërimit.

Jazz është gjurma e rikthimit të njeriut dhe qëniesimit të tij, nga rruga të cilën e kanë bërë të gjithë të robëruarit dhe të përballurit me ankthin e vdekjes dhe të zhbërjes, si autentike e njerëzimit.

Dhe, sigurisht, gjetje e kontrollit duke e humbur po të njëjtin, apo, ndoshta, në të vërtetë është humbja e kontrollit të të sajuarës për t’u kthyer në autentiken. E që është vetë alethea greke (Heidegger), e vërteta që përmban si të njohurën tonë, po ashtu edhe të panjohurën tonë./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme