24 Gusht, 2025 - 8:54 pm
Nga Rita Petro
Pse duhet lexuar libri i Vlora Konushevcit “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera”.
Sepse rrëfimet aty janë aq të sinqerta, pa kurrfarë deklamimi, dhe kjo vërehet më tepër kur tema intime dhe ajo sociale harmonizohen aq natyrshëm me atë të luftës në Kosovë. Një realitet pa lustër.
Personazhi femër, ndonëse është vënë në shënjestër nga mjedisi rreth e qark, si dhe bota konservatore mashkullore, nuk bëhet viktimë. Madje ka raste kur rebelohet fuqishëm duke treguar forcën mendore, por dhe atë fizike:
“Krejt organizmi m’u moblizue me nji fuqi që s’e kisha ditë kurrë se e ndryja mbrenda meje.”
Mjaft interesante janë edhe figurat e burrave apo të baballarëve, larg të qenit heronj lufte apo të idealizuar. Edhe kjo është një risi e bukur që na sjell autorja me prozën e saj:
“Fatosi u vra në luftë pa e shkrepë kurrë asnji plumb. Prej atëherë, na mblidhemi çdo vit tek permendorja e tij dhe e nderojmë për guximin që kurrë nuk e pati. Ndoshta herojtë edhe s’kanë nevojë me ba ndonji gja heroike, ndoshta veç duhen me vdekë në vendin dhe në kohën e duhun. Ndoshta kaq mjafton.”
Fundet e tregimeve janë si funde poezie, përmbyllje befasuese që të ndalin të mendosh e rimendosh çfarë lexove:
“Mandej rashë me fjetë, e qetë. Ishte si me kuptue që të gjithë bartim valixhe – disa veç kanë mësue me i mshefë ma mirë.”
Për titujt e tregimeve autores i mjafton veç një fjalë, aq e përzgjedhur sa të fut si një karem në historinë e rrëfyer: Korridori, Lavdia, Valixhja, Hekuri…
Dukja dhe e brendshmja te njeriu shpesh paraqiten në papajtueshmëri të plotë. Autores i intereson t’i zbulojë këto anë të kundërta dhe, në vend të trishtimit, na sjell ngushëllimin se edhe ajo që ndrit e që duket aq larg, është aq e arritshme:
“Sa shumë i kisha ikë jetës sime, tue shpikë histori për dikend që s’e di as kush asht.”
Ironia e fshehur është një armë e fortë dhe e guximshme në stilin e autores, veçanërisht kur ironizon personazhin grua, me të cilën do të identifikohet:
“Ishte sprovë. Nji lloj stërvitjeje për me pa sa larg mundem me shkue pa e ndje turpin. Doli që mundem me shkue edhe ma larg se katër orë.”
Ndihet gjatë gjithë librit fryma femërore e bukur, e lirë, pa tabu, sikur i thotë të gjithëve: më pëlqeni apo jo, unë kështu jam, e vërteta pa make up:
“Njajte si Maria Magdalena që mbarti barrën e mëkatit për kurvat, ndjej se edhe une e kam bartë me vete këtë dashni të verbët që më shtyu drejt tingujve të sirenes së ambël që të tërheq në humnere.”
Libri është shkruar me një gegnishte melodioze, që të shijon aq shumë. Është prej atyre librave që të përcjell edhe pasi ke mbyllur faqen e fundit./KultPlus.com