Vij nga Amerika në Shqipëri, e lahem me orar

11 Korrik, 2018 - 8:30 pm

Nga Agim Xhafka

Çdo vit unë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika, lodhjen e shpenzimet, se dua të gjendem mes njerëzve të mi të gjakut, shokëve dhe miqve.

Shkoj te varrezat, te prindërit, bisedoj gjatë me ta, besoj që më dëgjojnë, rri me gocën, nipin, mbesën, të afërm e plot të njohur e ia mbath ca ditë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh, acarohesh, grindesh, sëmuresh, tërbohesh e mund të shkosh në djall.

Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë. Këtë as e them, as e mendoj. Por, veten e dua, e dua shumë, edhe më tepër se Shqipërinë. Se një jetë kam që do e falja për njerëzit e mi, por për atdheun e sotëm kurrë.
Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kërkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e unë lahem me orar, se për të pirë ka vite e vite që ujin e blej. Krahasoj ajrin me të vendeve pranë, jo atyre të zhvilluara, e del që është 4 herë mbi normat e lejuara. Shoh grafikët e zhurmave dhe shigjeta në Shqipëri po i drejtohet hënës. Kryeqyteti ynë si një kapanon i madh, ku prodhon sëmundje e tret njerëz.

Plazhet pa drita, ose me voltazh që frigoriferi nuk ngrin gjë e kondicioneri vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit, e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur. Rrugët copë e gropë, bajpaset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh, ku ka veç qenë se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit nuk i kanë menduar ndonjë rreng hë për hë.

Në këto kushte unë, i përmalluar për vendin, por i gjendur në grackën e tij, i thërras mendjes e iki me vrap kudo, veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri, vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet, shpirti më qetohet. Shkoj në Mal te Zi e gjej rehati, arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime.

Unë e dua veten, e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del, se Shqipëria e ca njerëzve nuk i do shqiptarët. Na përbuz e na largon, nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi, nxjerr dufin, trishtimin, inatin, por nuk qëndroj. Iki. / KultPlus.com

Të ngjajshme