Rrugëtim drejt vetvetes

27 Qershor, 2019 - 9:30 pm

Nga Irvin D. Yalom

Teksa lëshohem teposhtë një kodre të gjatë me biçikletë, mendja ime shkon pas në natën kur unë isha katërmbëdhjetë vjeç dhe babai im, asokohe dyzet e katër vjeç, u zgjua gjatë natës me një dhimbje të fortë në gjoks. Në ato kohëra, mjekët vinin në shtëpi, dhe nëna i telefonoi menjëherë mjekut tonë të familjes, doktor Mançesterit. Në pikë të natës, që të tre – babai, nëna dhe unë prisnim me ankth që mjeku të mbërrinte.

(Motra ime, Xhina, shtatë vjet më e madhe, qe larguar nga shtëpia për në kolegj.) Sa herë nëna ime shqetësojej, i kthehej mendimit primitiv: nese ndodhte diçka e keqe, duhej fajësuar dikush. Dhe ai dikushi isha unë. Atë natë, teksa im atë shtrëngohej nga dhimbja, ajo më bërtiti më shumë se një herë: ” Ti… ti e vrave!” Më la të kuptoja që moskokëçarja ime, mungesa e respektit, përçarja e vatrës familjare – të gjitha së bashku – e kishin futur babanë në dhe. Vite më vonë, kur ndodhesha vetë në kolltukun analitik, tek ia përshkruaja këtë ngjarje Oliv Smithit, psikanalistes sime superortodokse, ajo pati një shpërthim të rrallë momental dhembshurie.

Ajo kërciti gjuhën ncuq ncuq, u përkul drejt meje dhe tha: “Ç’lemeri. Kushedi sa e tmerrshme duket të ketë qenë për ty.” “Ti e vrave, ti e vrave.” Edhe sot më kumbon zëri i çjerrë i nënës sime. Mbaj mend që unë rrija kruspull, i paralizuar nga frika dhe i tërhuzur. Doja t’ia ktheja fort: “Ai nuk ka vdekur! Qepe gojën, idiote.” Ajo i fshinte ballin babait dhe e puthte në kokë, teksa unë strukesha i kruspulluar në një cep derisa, më në fund, më në fund, rreth orës 3 të mëngjesit, dëgjova Buikun e madh të doktor Mançesterit që kërcëllinte gjethet e vjeshtës në rrugë dhe u sula përposh, duke kaluar nga tri shkallë për të hapur derën. E pëlqeja shumë doktor Mançesterin, dhe ajo pamja e njohur e fytyrës së tij të madhe rrumbullake të buzëqeshur më qetësoi.

Ai më vuri dorën në kokë, më shpupurishi flokët, qetësoi nënën, i bëri një gjilpërë babait(ndoshta morfinë), vuri stetoskopin mbi gjoksin e tij, dhe më lejoi te dëgjoja teksa thoshte: “E shikon, birçe, po rreh, aq fort dhe e rregullt sa vet ora. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Do bëhet mirë.” Atë natë që pashë me sytë e mi babanë në fill të vdekjes, ndjeva, si kurrë më parë dufin shpërthyes të nënës sime, dhe mora një vendim vetëmbrojtës për t’ia mbyllur derën.

Duhej të ikja nga kjo familje. Përgjatë dy viteve në vazhdim, thuajse nuk fola fare me të: jetonim si të huaj nën të njejtën çati. Dhe, më shumë nga të gjitha, më kujtohet lehtësimi im i thellë e i madh kur pash doktor Mançesterin tek hynte në shtëpinë tonë. Askush nuk më kishte dhënë më parë një dhuratë kaq të madhe. Qysh atëherë, vendosa të isha si ai. Do të bëhesha doktor dhe do të përçoja te të tjerët përdëllesën që më kish dhënë ai./KultPlus.com

Të ngjajshme