Scrutoni dhe BREXIT-i

23 Korrik, 2018 - 8:58 am

Shkruan Arsim Canolli.

Mediet britanike lajmërojnë se së fundi në Britani të Madhe ka filluar hetimi i entiteteve dhe personave të caktuar rreth ndikimit rus në BREXIT.

Si duket efektet postraumatike TRUMP edhe BREXIT kanë bërë të veten dhe oponentët shfrytëzojnë të gjitha mundësitë. Ata edhe mund të kenë të drejtë. Kësaj pune nuk i dihet. Megjithatë, sa ka lidhje Rusia me BREXIT-in, sa kanë lidhje persona apo organizata të caktuara me BREXIT-in, është argument tjetër. Lidhjet dhe ndikimet mund të jenë reale dhe si duket do të jenë objekt hetimi i organeve përkatëse britanike ashtu sikurse po bëhen edhe në SHBA. Por, pavarësisht këtij argumenti, ideja e BREXIT-t nuk mund të lidhet vetëm me ndikime të jashtme apo edhe vetëm me ndikime të fushatës së brendshme pro BREXIT. Ideja e BREXIT-it është më e thellë se sa ndikimet e politikës fushatore të para referendumit për të. Ideja e BREXIT-it është ide imanente në kulturën britanike; ajo është ideja e ishullarëve britanikë për sovranitetin e tyre, lirinë dhe përgjegjësinë e tyre, në një kohë kur të gjithë pyesin për identitetin e tyre politik të cilin mund ta mbajnë nën kontrollin e votës demokratike. Ata nuk duket se kanë qenë të kënaqur së qeni pjesë e një identitet grupor politik, i cili nuk kontrollohet nga botëkuptimi politik lokal i shtetit por nga teoritë abstrakte të suprashtetit. Kështu thekson Roger Scruton, një prej filozofëve britanikë.

Në librin e tij “Where We Are: The State of Britain Now” [Ku jemi: gjendja e Britanisë sot], të botuar në fund të vitit të kaluar, Scruton shpalos një mendim personal për BREXIT-in duke mos dashur të gjykojë shumë për BREXIT-in si strategji të mirë apo të keqe, por për “mënyrën se si sovraniteti ynë nacional duhet të kuptohet për të bashkuar ata pro daljes nga BE dhe ata pro mbetjes në BE”. Libri vjen si përmbledhje koherente e disa argumenteve të shkruara në artikuj gazetash e revistash dhe në ligjërata në salla universitetesh e institutesh kërkimore. Prandaj, libri del si një pikëpamje sa personale, aq edhe filozofike e historike për statusin e identitetit politik të Britanisë, sentimentet dhe përvojën britanike me imigracionin, kompleksitetin e situatës supranacionale në BE dhe burokracinë e dendur apo burotiraninë e saj, trashëgiminë kulturore e politike britanike, e shumë aspekte tjera. Të gjitha këto janë pikëpamje që Scruton i ka diskutuar shpesh edhe në faqe librash tjerë, si mendimtar që synon lirinë, sovranitetin dhe sensin e përgjegjësisë individuale e kolektive për jetën në bashkësi, gjithnjë brenda common sense-it britanik.

Scruton është ndër të paktët mendimtarë konsistentë që shkruan për common sense-in britanik duke e bazuar në njohjen e hollë të kulturës ishullare politike, sidomos idesë së lirisë dhe sovranitetit. Në këtë libër ai heton disa nga të metat e BE-së si entitet pa “demos”. Një nga të metat fundamentale të BE-së, sipas tij, është fakti se burokratët e saj udhëheqin politika supranacionale ndonëse janë politikanë të pazgjedhur. Pra, ata nuk zgjedhen me votë demokratike sikurse që zgjidhen politikanët në të gjitha shtetet evropiane, por sistemi i BE-së ua lejon të japin direktiva për gjithë “demosin” evropian. Dhe ky argument shkon edhe krahëmëkrah me argumentin empirik tashmë të njohur se nisma e tregut ekonomik të BE-së, si një mirësjellje plot buzëqeshje ndaj njëri tjetrit pas Luftës së Dytë Botërore, ka nisur të shndërrohet në çarllaisje të një grupi njerëzish në krye të institucioneve të BE-së ndaj njëri tjetrit, gjithnjë të dalldisur në procesin kafkian burokratik direktivdhënës.

Për lexuesin e shkencave sociale e dijeve humane, ky libër është një kallxor mjaft i mirë se çfarë mendon Roger Scruton, një nga filozofët më të njohur britanik, për BREXIT-in si gjendje e vetëdijes filozofike e politike të Britanisë, që u shpreh te britanikët e rëndomtë të cilët edhe u përqeshën “antropologjikisht” për votën e tyre. Megjithatë, lexuesi nuk duhet të pres argumente ekonomike mbi fakte të tipit “a la statistique” [zakonisht të shpikura vetë!] ku argumentet përdridhen rreth numrave të profitit ditor të tregut evropian dhe ndikimit në Britani, e gjëra të tilla, që Scruton i mendon si dytësore. Scruton jep arsyet imanente, të karakterit historik politik të kulturës britanike të bazuar te tradita e lirisë dhe përgjegjësisë.

Ja një copë nga kreu i parë, kur nis argumentin me tendencën e Cameron-it, ish-kryeministrit britanik, që të nxjerr ekspert pas eksperti për të bindur ishullarët britanikë për të votuar pro qëndrimit në BE.

“Megjithatë, votuesit nuk u bindën. Ekspertët kishin argumente, por ata tingëllonin sikur njerëz që mund të jetonin kudo dhe t’ia dalnin si zotni. Për të tillët, nuk është imponim i madh nëse sundohesh prej një shkami që është tjetërkund. Tjetërkundja është vendi i tyre i përhershëm. Por, për shumë votues të zakonshëm, lidhjet e të cilëve janë po ashtu lagjet e tyre, ideja se kush na qeverisë, dhe prej kuhit, është reale dhe urgjente. Për këta njerëz, ajo që ishte më e rëndësishmja dhe që politikanët e kishin anashkaluar përherë, dhe ajo ishte më e rëndësishme për ta se sa të gjitha argumentet ekonomike dhe gjeopolitike, ishte çështja e identitetit: kush jemi, ku jemi, dhe çfarë na mban së bashku në një rend të përbashkët politik? Por, nuk janë vetëm britanikët ata që ballafaqohen me këtë punë: kjo është pyetje politike e kohës sonë, dhe gjithandej Evropës ka filluar të bëhet kjo pyetje. Mbi të gjitha, nuk është punë që mund të zgjidhet nga argumentet ekonomike, sepse lypset përgjigje para se të kuptohen argumentet ekonomike” [në “Prelude”]

Scruton jep një pamje që tregon se Britania ka pësuar një lëngatë në vetëdijen e saj si ishull i lirë e sovran, kur BE ka nisur të bëhet diktat mbi lirinë, sovranitetin dhe përgjegjësinë tradicionale të ishullit të gjelbër. Dhe kjo pamje, në shijen time, duket solide, ndonëse ka përgjithësime që për ata që s’e njohin veprën e plotë të Scrutonit, mund të duken edhe banale.

Libri ka shtatë kre dhe lexohet me një frymë. E në frymën e uratës së Cekës, nëse ju e lexoni, juve ju bëftë me mendue.

(Shkruan: Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)

Të ngjajshme