“Gruaja histerike është i vetmi subjekt që dhuna patriarkale nuk ka arritur ta nënshtrojë, është i vetmi subjekt i lirë”

12 Shkurt, 2020 - 2:13 pm

Nga Sead Zimeri

Histeria është reagimi më normal i subjektit që jeton pa liri dhe që vazhdimisht i nënshtrohet dhunës dhe kërcënimeve për dhunë. Si e tillë histeria është shprehje e një situate të padurueshme dhe e vetmja shprehje emocionale e vërtetë në raste të tilla. Në histeri e gjejmë të vërtetën për situatën e padurueshme të subjektit. Çfarë është befauese prandaj nuk është që subjekti i tillë bëhet histerik por që ai/ajo akoma nuk është bërë histerik. Histeria është shpirti i rrebelimit, tregon që dhuna nuk e ka nënshtruar tërësisht subjektin, që subjekti ka arritur ta ruajë lirinë e saj që e shpreh në formë histerike. Histeria sinjalizon shpirtin rrebelues të subjektit, psherëtimën e të shtypurve, dhe refuzimin e situatës së padrejtë. Histeria është rezistencë.

Kur të shtypurit i merret e drejta e histerisë ajo më ka pushuar së ekzistuari si subjekt lirie, dhe tani vetëm sa i përçon diktatet e sunduesit të saj sikur të ishin të vërteta absolute. Kur subjektit histerik i kërkohet të shprehet me një gjuhë të sjellshme dhe të dialogut, ta respektojë mendimin dhunues (seksist) të bashkëbiseduesit të saj, asaj i kërkohet në fakt që ajo ta pranojë situatën e dhunës si normale, si të domosdoshme, dhe në besim që dhuna është legjitime. Histeria flet pikërisht për një tregim tjetër, atë që dhuna nuk është kurrë legjitime, që ajo është traumatike, që ajo nuk duhet toleruar.

Kërkesa për t’i respektuar të gjitha opinionet, pavarësisht që njëra palë ushtron dhunën dhe tjetra është viktimë e saj është në thelb kërkesë e dhunshme, kërkesë për ta shtypur edhe më tepër subjektin histerik. Në këtë rast, nuk ka barazi të vërtetë, prandaj kërkesa për barazi në mirësjellje, kërkesa për dialog është kërkesë hipokrite, kërkesë për ta mbuluar një situatë të dhunshme që shkakton trauma nga më të ndryshmet. Kërkesa për mirësjellje, në këtë rast i kërkon viktimës që ajo të mos mirret me situatën, me trishtimin që ajo i ka shkaktuar asaj por të ngrihet mbi të dhe të pretendojë që asaj nuk i pengon, nuk i shkakton traumë një situatë e dhunës. Kërkesa për mirësjellje është kërkesë që subjekti i traumatizuar, që subjekti histerik, të krijojë një imazh të rremë të vetes, që të mos i qëndroj besnike vetes por diskursit që ia normalizon dhunën./KultPlus.com

Të ngjajshme