14 Maj, 2025 - 12:22 pm
Shkruan: Merita Toçila
Një paraqitje eklatante e këngëtares Beatriçe e “Shkodra Elektronike” në “Eurovision 2025” me këngën “Zjerrm”. Ajo çon atje jo vetëm zërin e veten, por dhe historinë e traditën e vendit të vet si një indentitet i përkryer e në një harmoni të shpirtit dhe trupit. Kostumi i parë konceptuar sipas saj si një “Odë e gjyshes”, duhet parë si një “Ode për trashëgiminë” ku janë mbledhur detaje shenjuese të kujtesës individuale e kolektive (puskulet, msyshet, peshtahu, qylymi etj). Ai ka një dukje më statike e më të rëndë, por më shprehës i identitetit të këngës dhe këngëtares. I dyti (i skenës) konceptohet dinamik për lëvizje dhe më i lehtë e në funksion të artistit ku ndërliken në harmoni struktura e veshjes, simbolikës dhe trupit anatomik në përshtatje me gjestet gjatë performimit.
Beatriçja jonë me të kuqe zjarri, ashtu si gruaja e veshur me të kuqe në historinë e artit që shoqëroi Danten në udhëtimin e tij nga bota njerëzore në atë hyjnore, duke i zbuluar bukurinë dhe dritën e dashurisë, shndërrohet në performancën e sotme në një shkëndijë drite. Energjia që transmeton artistja tek rreket të joshë e të tërheqë në këtë udhëtim në kërkim të një bote të mirë e të pastër, partnerin skenik me setrën e errët skolastike, plotësohet me pamjen e jashtme të një fustani shkëlqyes. Veshja që përkon organikisht me këngën e jo vetëm trupin të jep idenë që ata duan të përcjellin tek thonë se zjarri vjen nga lashtësia dhe “ka një rëndësi të thellë simbolike përgjatë kulturave dhe historisë” dhe e lashta bashkjeton me modernen që prezantohet sot.
Metamorfoza e paraqitjes së Beatriçes si person, nga lëkura e trupit në lëkurën e veshjes me shtresë të parë, të dytë e të tretë tek interpretuesi, shënon një nga kushtet e para të nisjes së këtij udhëtimi skenik dhe komunikimi me skenën e publikun. Marrëdhënia trup-veshje shkon deri në atë gradë sa bëhet shenjë e trupit simbolik. Teknika e zbatuar në ekzekutimin e veshjes nga stilistja (që në këtë rast është e ëma e artistes) për të respektuar anatominë e trupit duke i dhënë liri gjymtyrëve në lëvizjet vallëzuese, shoqërohen me lojën iluzore të organcave dhe trillimin e flakëve të zjarrit. Kjo flakë zjarri që digjet e vërtitet në skenë në çdo lëvizje të zhdërvjellët trupi e tregon sa vlerë ka për paraqitjen skenike studimi i trupit të interpretuesit, i tekstit të interpretuar, i mesazhit e simbolikës përmbajtësore dhe ngjarjes që duhet të përfaqësojë artisti për veten, për realizuesit, për shikuesit dhe për vendin që përfaqëson në një ngjarje të këtij niveli. Trupi i saj është vetë kostumi, pasi ai kontribuon në përforcimin e iluzionit tek spektatori dhe në motivimin e interpretuesit për të kuptuar dhe transmetuar më bindshëm peshën e rolit të tij në skenë.
Loja figurative me dy struktura ku njëra është thjesht një lëkurë, e tjetra me pala e draperi e shpie në një shkallë tjetër paraqitjen skenike. Në antikitet palat (e imëta a të gjera) vendosnin një marrëdhënie të caktuar me trupin, duke zbuluar a mbuluar pjesë të tij, ndërsa në traditë kanë vazhduar të aplikuara në fustanella, korete, bohçe etj. Këtu palat e dendura mbështjellin, fshehin e zbulojnë pjesërisht format trupore me një pëlhurë elastike nëpër të cilën kalojnë disa vizatime e qëndisma për të cilat autorja e saj rrëfen se i referohet Rozafës. Të dukshme apo jo, ato vija të qëndisura gjatësore a të lakuara në forma të kërkuara estetike përshkojnë si kapilarë gjaku a zjarri trupin të përfshirë në gjuhë flakësh. Kjo dukje e bind shikuesin në përcjelljen e emocionit artistik kur kalon nga transparenca e pëlhurës, tek gjysmëtransparenca e mbulimi i plotë realizuar shkallë-shkallë në tekstura të larmishme. Stilistja me mençuri, nuk përpiqet të krijojë një veshje sipas modës, as të korrigjojë (panevojshëm) siluetën e një vajze të re, por me forma të kursyera në dukje evidenton trupin në përshtatje me moshën, karakterin dhe lojës skenike e gjesteve artistike.
“Vazhdo me shndritë” Beatriçe!/ KultPlus.com