Shkronja M: Matura, Makeupi dhe Mëkati

30 Maj, 2018 - 2:51 pm

Rrezearta Reka

Datën nuk e mbaj në mend, por maj ose qershor duhet të ketë qenë edhe atëherë: muajtë e zakonshëm kur rëndom, organizohen mbrëmjet e maturës. Mirëpo, më kujtohet mirë atmosfera, dhe se si isha ndjerë unë në mbrëmjen e maturës dhe gjatë gjithë kohës së pregaditjeve. Me buzë në vaj, “fajtore” që ne ishim në Prishtinë, derisa fshatrat e Kosovës tashmë ishin shëndrruar në vatër lufte, me një re gjigande të pasigurisë mbi kokë, se çka athua do të ndodhte më tutje. Po na prisnin fakultetet-shtëpi, ndërkohë që ishte viti 1998, dhe ne po përshendësnimpër të fundit herë, gjimnazin në shkollën- shtëpi, në lagjën e Kodrës së Trimave. Derisa po punoja në temën e diplomës për “Lidhjen e Prizrenit në Dokumente Angleze”, në kompjuterin tashmë antik të shtëpisë, përpiqesha të shtiresha sikur e shqetësuar ëmbëlsisht edhe për mbrëmjen e maturës. Kjo festë, në kohë pafestash, ku do të mblidheshim bashkë me shoqet dhe shokët e klasës, në zyret e kompanisë së babait të një shoqeje të klasës, dhe do të shënonim maturimin formal tonin, ishte një dromcë normaliteti në Kosovën e anarhisë kulmore të të 90-tave. Ne kishim kohë që kishim maturuar, shumë vite para qershorit të vitit 1998, atëherë kur na kishin segreguar në shkollë fillore, kur prindërit më nuk shkonin në punë, kur vështronim të helmuarit nga dritaret e makinave, kur shkruanim poezi patriotike në Pioner, kur nga ngrinin flokët nga udha disaorëshe për të vijuar mësimin te Herticët. Në shkollën-shtëpi, nga ballkoni i së cilës shikonim fshatra tek bombardoheshin.

Për të vazhduar me dromcat e normalitetit, sado të rrejshëm, mami kishte ftuar mysafirë në shtëpi me rastin e mbrëmjes së maturës, në gosti me gjithçka, që mund të bëhej me pakçka: menyja tipike e kohës. Ndërkaq unë, në dhomën ngjitur, ulur në dysheme, pranë një pasqyerje të madhe, po krihja flokët me kujdes, për ti fryrë lartë e më lartë, në përpjekje për të përmbushur maturimin dhe për t’u dukur më e madhe se që isha. Fustanin ma kishte sjellë daja nga Amerika, dhe ishte tipik për fustanet e maturave Amerikane: ngjyrë të kaltër mbretërore, në formë sireneje, dhe me gurë vezullues rreth qafes, ani që mbrëmja ime e maturës ishte krejtësisht jo tipike. Me sa më kujtohet, babi më kishte çuar me makinë deri në vendin e mbrëmjes, me Yugon e vjetër, tabelat e të cilit akoma sot i kujtoj, për kushedi se çfarë arsye. Në atë dhomë të vogël, kishim ftuar edhe arsimtarët, heronjtë tonë të kohës, duke i ulur në karriget e bardha të plastikës dhe duke i shërbyer me lëngjet që do të na mbanin të hidratuar nga një natë e gjatë vallëzimi. Nuk mbaj në mend shume detaje të asaj mbrëmje. E di që jemi pas dendur me lëng dredhëzash, aq sa të nesërmen kisha shpërthyer në puçërrza alergjike të denja për inekcion, kishim vallëzuar me hitet e kohës, ose të paktën ata që qëndronin në këmbë, deri në orët e para të mengjesit, dhe kishim tymosur pa kontroll kushedi sa cigare. Ky kishte qenë harbimi jonë, në mbrëmjen e fundit të azdisjes, ku sadopak dhe me shumë ngulm, ishim ndjerë normal. Pas 98-tës, normalja e mori teposhtëzën dhe ishte historia që u harbua. Por ky nuk është shkrim për luftën por për të tashmen. Në më pak se dy javë, unë bashkë me shoqet dhe shokët e gjeneratës, do të festojmë 20 vjetorin e kësaj mbrëmjeje të maturës, një takim shumë domethënës për ne. Tashmë, si një e maturuar qe 20 vjet, do të pispillosem , për të shkuar në një hotel të pispillosur, dhe për t”=u takuar me shokët dhe shoqet, të pispillosur, dhe mbi të gjitha, normal.

E tashmja është përplot festa, mbrëmje, manifestime, se e tashmja është e lirë. Një ditë, derisa po ecja rrugës për në shtëpi, më zuri syri një vajzë. Në fakt, më zuri syri makeup-in e vajzës dhe pastaj vajzën. Në fakt, mirë bëra që kisha syzet e diellit, se rrezet që reflektoheshin nga highlighteri në majë të mollëzave edhe ashtu të shëndosha mollë, ishin verbuese. E tek në fund, më zuri syri vajzën, prindërit, kushërinjtë dhe telefonat e mençur. Ma morri mendja se ishte duke u nisur për në mbrëmje të maturës. Por ky nuk është shkrim për makeupin e tepruar kundër thjeshtësinë bajate, se fundja, këto janë punë shijesh. Krehja ime për mbrëmje të maturës para 20 vjetësh, mund të ketë qenë ekstravaganca e kohës ngjashëm mbase me highlighterin sot. E që deri në fund të mbrëmjes do të rrëshqasë poshtë faqesh, në mesin e lotëve që shpërlajnë të kuptuarit se kjo do të jetë hera e fundit kur do të jeni bashkë me shoqet dhe shokët e klasës: e që të nesërmen, dhimbjen e këmbëve do t’a zëvendësojë stresi i afateve të regjistrimit në fakultet.

Funksioni i mbrëmjes së maturës është pikërisht ky: festimi i arritjes së një hapi të rëndësishëm në jetë, për ti lëshuar udhë hapave të tjera që tek do të vijnë. Dhe çdo përpjekje t’i bërë me faj maturantët, përmes afisheve që thërrasin në bojkot të “mbrëmjes mëkatare”, është e padrejtë dhe madje deri diku mizore. Si prind, si maturante e dikurshme dhe si njeri normal, edhe unë kundërshtoj pirjen e alkoolit në mbrëmjen e maturës. Aq më tepër, kur pas mbrëmjes, maturantët vazhdojnë ndejën ne ndonjë lokacion tjetër, te i cili shkojnë me makina. Por të thuash se mbrëmja e maturës (po parafrazoj) është vatër shfrenimi e harbimi, pikë thyese e të rinjëve, e sidomos të rejave, është privim i maturantëve nga normaliteti, e sidomos vajzave maturante, te të cilat edhe në këtë rast, ngarkohet përgjegjësia për “ruajtje të moralit”, pika e dobët e shoqërisë sonë patriarkale.

Mëkatarët po i kërkojmë në vendet e gabuara, matura një nga to, sepse mëkati “vjen prej syve të tillë”. Prandaj, a s’do të ishte më e udhës që “mëkatarët potencial”, të mbulonin kokat për të mos rënë pre e tradhëtisë së syve? Po më tregonte një mikeshë imja se si gjatë një udhëtimi, në aeroport kishte parë ca burra Hebrenj, që kishin mbuluar fytyrat, derisa po prisnin fluturimin e rradhës, për të “mbrojtur” kështu veten nga mëkatimi. Kjo është përnjëmend revolucionare dhe janë këto praktika që duhet të kundrohen seriozisht.

E sa shpenzojmë energji për të shtypur afishe në kundërshtim të mbrëmjes së maturës, do të duhej të përpiqeshim ti bëjmë fëmijët tonë të lumtur. E këtë, do ta dëshironte çdo Zot, në cilindo religjion. T’ju qëndrojmë bashkë në arritjen e hapave të rëndësishme në jetë, dhe t’ju gjindemi pranë kur të gabojnë diku gjatë udhës. Të jemi aty kur të hedhin kapelat lartë, po edhe të nesërmen aty, për t’ju ruajtur gjumin pas mbrëmjes së maturës. Për t’i mbrojtur nga “afishet” në jetë, dhe për t’i parë tek maturojnë në njerëz të mirë. Më normal se kaq s’bëhet!

Të ngjajshme