“Sot fjala “shka” tregon shovinizmin tonë”

13 Shtator, 2018 - 7:30 pm

Nga Ag Apolloni

Historia mes shqiptarëve dhe serbëve nuk është model miqësie, përveç nëse flasim për shekullin e pesëmbëdhjetë, kur Gjorgj Brankoviqi e përkrahu, financiarisht, Gjergj Kastriotin. Por konfliktet e shumta ndërmjet dy popujve (serb dhe shqiptar), nuk duhet të na shërbejnë si arsyetim për përdorimin e gjuhës shoviniste. Kur Jeronim de Rada në shekullin e nëntëmbëdhjetë e përdorte termin “shka” (“hapa derën e shklavunit”, thotë te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, 1866) nuk e bënte për të ofenduar, por thjesht e shqiptarizonte trajtën italiane “schiavone”, që do të thotë “sllav”. Pra, deri në shekullin 19, fjala “shka” nuk kishte kuptim pezhorativ.

Ndërsa, pas Lidhjes së Prizrenit (1878), kur nacionalizmi arrin kulmin, sllavët dhe, veçmas, serbët, quhen “shka” (shumësi: shkije, apo shkje) me konotacione përçmuese. Sot, në gjuhësi, fjalët e tilla quhen “etnofaulizma” (sharje me bazë etnike).

Në momentin që serbit i drejtohemi me emrin “shka”, ne e kemi përjashtuar mundësinë e dialogut me të. Fatkeqësisht, letërsia shqipe e viteve të fundit të shekullit 19 dhe, sidomos, e gjysmës së parë të shekullit 20 është e mbushur me etnofaulizma, kurse “vulgu” ende e bluan këtë fjalë pa e menduar, edhe pse sot, kur bota e qytetëruar po i lufton me të madhe këto fjalë fyese, do të duhej të ishim më të kujdesshëm ndaj gjuhës shqipe. Duke i thënë tjetrit “shka”, në shprehim injorancën tonë mbi etnofaulizmat dhe qëndrimin tonë shovinist ndaj fqinjëve, me të cilët ndajmë një histori të gjatë bashkëjetese (herë miqësore, herë armiqësore).

E di që disa do të thonë “edhe ata na ofendonin neve kur na quanin shiptari, shiftari, allbanci, shiptarski gjubre”, por as kjo nuk është arsye për shovinizmin tonë gjuhësor. Dikush mund të thotë “pse nuk merresh me deklaratën e Vuçiqit për Millosheviqin, po me postimin e një ish-gazetareje që paska thënë: N’Gjakove e n’Drenice, kamb e shkaut me shkel jo”.

Me Vuçiqin duhet të merren serbët, sepse deklarata e tij shpreh shovinizimin millosheviqian, kurse mua më shqetëson shovinizmi ynë.
Po i afrohemi dekadës së tretë të shekullit 21 dhe nuk na lejohet mendësia e kohës së Lidhjes së Prizrenit./KultPlus.com

(Këndvështrimet e shprehura në rubrikën e opinioneve të gazetës online KultPlus, jo domosdoshmërisht paraqesin qëndrimet e redaksisë së KultPlus.com)

Të ngjajshme